"Përgëzime për modernizimin e policisë shqiptare"

Kreu i Europolit ka veçuar Shqiperine ne nje konference per policine ne Ballkan dhe situaten e kriminalitetit ne kete rajon. “Pergezoj veçanerisht ministrin Basha per lidershipin e tij lidhur me...
Ju keni shprehur shqetësimin për armë zjarri që vijnë nga Ballkani si kallashnikovë dhe shërbejnë për rrëmbimin e bankave në Evropë. Nga vijnë këto armë?
Këto armë vijnë nga shumica e vendeve të ish-Jugosllavisë, ku ka pasur konflikte. Nuk ka një vend specifik nga i cili vijnë këto armë, por rajoni i Ballkanit është në përgjithësi përgjegjës për qarkullimin e tyre në territorin e BE-së. Duhet të them se nuk është i vetmi problem që kemi. Ne përballemi gjithashtu edhe me qarkullimin e armëve të rënda të zjarrit nëpërmjet internetit, që vijnë nga burime jashtë Evropës. Gjithsesi, Evropa Juglindore mbetet një prioritet për luftimin e trafikut të armëve.
A është e vërtetë që në takimin që keni pasur me ministrat e Brendshëm dhe zyrtarët e Ballkanit, keni përmendur Shqipërinë si një shembull i mirë bashkëpunimi me Europolin?
Po, është e vërtetë. Kisha kënaqësi që gjatë takimit që pata me ministrat e Ballkanit, të nënvizoja punën që është bërë midis Shqipërisë dhe Europolit për marrëveshjen që do të nënshkruajmë së shpejti për bashkëpunimin operacional midis Europolit dhe Shqipërisë, marrëveshje që do të transformojë marrëdhëniet e Europolit me Shqipërinë. Përgëzoj veçanërisht ministrin Basha për lidershipin e tij lidhur me modernizimin e policisë në Shqipëri dhe veçanërisht për bashkëpunimin e tij miqësor me mua dhe me organizatën time.
A ka kontribuar lufta kundër krimit për liberalizimin e vizave, pasi ishte një kusht i rëndësishëm për këtë?
Ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh për luftën kundër krimit të organizuar në rajon dhe është e vërtetë që diskutuam shumë për këtë.
Çfarë kërkon Europoli më shumë nga vendet e Ballkanit?
Ne u kërkojmë vendeve të rajonit që ta bëjnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit një prioritet të vërtetë dhe të investojnë në forcimin e shtetit ligjor dhe strukturat e rendit, që t’u japin instrumentet e duhura forcave të policisë për të kryer siç duhet punën e tyre dhe që të bashkëpunojnë me Europolin, agjencitë policore evropiane për të ndarë informacionin dhe për të bashkëvepruar forcat në luftimin e terroristëve më të rrezikshëm në rajon.