E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton ligjin “Për buxhetin e vitit 2011”

Presidenti Bamir Topi dekretoi dje ligjin “Për buxhetin e vitit 2011”. Ky ligj është debatuar ashpër në komisionet parlamentare, por dhe seancë plenare. Opozita kërkoi rikthimin e tij për shqyrtim edhe pasi ai mori miratimin e shumicës në seancën maratonë, që nisi paraditen e 2 dhjetorit dhe përfundoi mëngjesin e ditës tjetër. Socialistët përdorën si arsyetim për këtë kërkesë situatën e përmbytjeve në Shkodër. Por mazhoranca e kundërshtoi këtë propozim si të pabazuar në ligj. Madje, kundër propozimit të PS-së doli dhe deputeti i saj, Andis Harasani, i cili ishte edhe një nga deputetët që paraqiti mendime në seancën ku u debatua drafti. Buxheti 2011 synon të mbështesë 4 sektorë: arsimin, bujqësinë, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Nëpërmjet zbatimit të tij, duke filluar nga muaji korrik 2011, pagat parashikohet të rriten nga 5-7 për qind, ku rritjen më të madhe do ta kenë pagat e ulëta, ndërsa pensionet parashikohen të rriten 10 për qind, ku sërish do të ketë diferencim, pasi rritjen më të madhe do ta kenë pensionet e ulëta dhe ato të fshatit. Gjithashtu, buxheti i ri synon një parashikim realist të treguesve ekonomikë e buxhetorë për të arritur objektiva, si: ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe vijimësinë e zhvillimit ekonomik me ritme të larta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›