E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita proteste ne Vlore Nuk ndalemi deri ne ikjen e qeverise

Tubimi Kryebashkiaku Gjika sulmon Patozin dhe Kollozin: Po grabisin pasuritë

Opozita e bashkuar ka vijuar dje turin e protestave në qytetin e Vlorës prej nga ku është kërkuar përfshirje në një lëvizje qytetare me synim largimin e Sali Berishës nga pushteti. Në mitingun e zhvilluar në sheshin e Flamurit ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili ka mbajtur fjalën e hapjes. Me përshkrimin e gjendjes në vend dhe me akuza ndaj deputetëve të Vlorës, Astrit Patozi dhe Ardian Kollozi, Gjika ka ndërtuar brendinë e fjalimit të vet përmes të cilit apeloi për përkrahje të kauzës së Opozitës së Bashkuar. “Një gjysmë Shqipërie e tharë në jug, përfshi dhe Vlorën, qytetin tonë, të bukur dhe të dashur për të gjithë shqiptarët, e lënë qëllimisht në harresë, larg vëmendjes së qeverisë dhe buxheteve të saj që prodhojnë vetëm krizë...Dy gjysmë deputetë, dy gjysmagjelë, siamezët Patozi dhe Kollozi, merhumë dhe të pagojë në Parlament për të qarë hallet e Vlorës dhe të vlonjatëve, e trima të çartur nga Novosela e deri në Orikum për të shtrirë kthetrat e tyre mbi pronat e pasuritë e vlonjatëve, ndërtues të suksesshëm të bizneseve të tyre, por të paaftë dhe keqdashës për zhvillimin e qytetit...Saliu dështoi dhe duhet të ikë si një dështak për t’i hapur rrugë transparencës dhe zgjedhjeve të lira”, është shprehur Gjika. Pas tij kanë folur të gjithë përfaqësuesit e partive aleate të PS-së përfshirë Paskal Milon, Spartak Ngjelën, Vangjel Dulen dhe Kurt Kolën. Finalizimi i protestës është bërë nga kreu socialist, Edi Rama, i cili edhe në këtë takim me qytetarët vlonjatë ka mbajtur si temë kryesore hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sali Berisha u thotë shqiptarëve se u hapi kufijtë për të lëvizur lirisht në Europë, por në fakt është Europa që hapi kufijtë për shqiptarët dhe i vuri kufi Shqipërisë duke u mbyllur derën e negociatave e duke refuzuar si kandidate për në BE...I tërë shteti kthehet në një makineri që bënë vetëm hyzmetin e interesave të atyre që janë në qeveri jo me votat e popullit, por duke i vjedhur ato e duke i mbyllur në kutitë që Sali Berisha nuk ka kurajën t’i hapë, sepse nuk ka kurajën të ballafaqohet me krimin elektoral që po e mban peng sot e gjithë ditën Shqipërinë”, është shprehur ndër të tjera, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›