Kutitë, Strazimiri: Rama, pretendime të pabaza
PD përmes zëdhënësit të grupit parlamentar, Gent Strazimiri, akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka mbajtur të fshehur qëllimisht vendimin e prokurorisë së Shkodrës pas kallëzimit se një prej aleatëve të tij, Nard Ndoka, për manipulime në këtë qark në zgjedhjet e qershorit 2009. Prokuroria Shkodër, pasi hetoi fletët e votimit të katër qendrave të numërimit të këtij qarku, doli në përfundimin se pretendimet për manipulim janë të pabaza. Një fakt që sipas Srazimirit, Rama e di prej 1 muaji, duke iu referuar periudhës së vendimmarrjes. Strazimiri tha gjithashtu se vendimi i Prokurorisë së Shkodrës zbardh dhe arsyet pse Rama hoqi dorë një muaj më parë nga fletët e votimit. Arsye që sipas tij nuk lidhen me lëshime për hir të kompromisit politik por se ky vendim siç citohet në deklarate e nxirrte kryesocialistin sërish lakuriq.
“Ka një muaj që Edvin Rama e di se prokuroria ka hapur kutitë, ka numëruar votat, ka verifikuar materialet dhe mbi këtë bazë ka vendosur se pretendimet e opozitës janë pa bazë. Në Shkodër nuk ka pasur manipulime, nuk ka pasur parregullsi”, - ka thënë Strazimiri për mediat. Më tej deputeti demokrat theksoi se Rama më mirë se kushdo në Shqipëri e di se pretendimet e veta i ka të sajuara.
Ai e përfundoi komunikatën e tij me duke thënë se kur Rama hoqi dorë nga numërimi i fletëve të votimit rreth një muaj më parë, nuk e bëri këtë për kompromis politik, nuk u tregua i sinqertë me shqiptarët, nuk u tha se po hiqte dorë për shkak se prokuroria me këtë vendim e nxirrte sërish lakuriq. Akuzat e Strazimirit vijnë pas deklaratës së përfaqësuesit të opozitës së bashkuar, Nard Ndoka, i cili akuzoi prokurorinë për proces jotransparent.