Opozita ripërsërit: Ndërprejini bisedimet

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka deklaruar se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit që nga fillimi kanë qenë politike dhe se tani vetëm ky dialog po ngarkohet me një temë ekskluzive politike, siç është Veriu i Kosovës.
Ai ka thënë se Lidhja Demokratike konsideron se nuk duhet të ketë bisedime me Serbinë.
“Asgjë nuk është e re nëse tash thuhet se do të ketë bisedime politike, përpos asaj që nuk po thuhet një e vërtetë që ato kanë qenë politike që nga fillimi. Për LDK’në, aktualisht nuk duhet të ketë kurrfarë bisedimesh, sepse nuk ka me kë të bisedohet në kuptimin e asaj që Serbia e ka të njëjtin qëndrim që e ka pasur edhe më herët”, thekson Beqiri.
Për dialogun, të dielën ka folur edhe Lëvizja Vetëvendosje, në një konference për media.
Deputeti i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri ka thënë se Kryeministri Hashim Thaçi është ai që po e nxit dialogun politik me Serbinë.
“Tash në këto negociata do të flitet për Veriun e Kosovës, ose do të thellohet diskutimi dhe pajtimi me Serbinë për rregullimin e brendshëm territorial dhe institucional të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka kurrfarë trysnie nga ndërkombëtarët që të takohet me kryetarin e Serbisë, Boris Tadic. Vetë Kryeministri Thaçi po bën trysni që të takohet me Tadicin, duke përsëritur shumë herë këtë kërkesë të tij për t’u takuar me Tadicin, ai po e shndërron kërkesën në lutje”, thotë Ymeri.