E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita sërish e bojkoton Pacollin

Nga Express më 29 mars 2011 në ora 12:00

Partitë opozitare të cilat e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president, e kanë mirëpritur vendimin e këtij institucioni, që iu përgjigj pozitivisht ankesës së LDK-së dhe AAK për zgjedhjen e presidentit në seancën e Kuvendit më 22 shkurt.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se argumentet të cilat në këtë gjykatë kanë qenë të qëndrueshme. Ajo ka thënë se LDK-ja ende nuk ka vendosur të marrë pjesë nëse mbahet ndonjë seancë në Kuvend nëse Pacolli rikandidohet për president, shkruan Koha Ditore.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka përshëndetur edhe nga AAK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ardian Gjini, e ka vlerësuar të drejtë vendimin e gjykatës, ngase në momentin kur e ka nënshkruar peticionin, AAK-ja, sipas tij, ka besuar se zgjedhja nuk ishte konfrom Kushtetutës.

Sipas Gjinit, AAK-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj nëse Pacolli do të rikandidohet për të marrë postin e presidentit.

AAK: Thaçi, përgjegjësi kryesor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson me keqardhje se nuk ka qenë befasues konfirmimi nga Gjykata Kushtetuese, se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në seancën parlamentare të 22 shkurtit të këtij viti, gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në një komunikatë të lëshuar për media, të martën AAK e ka përshëndet vendimin, siç thuhet të drejtë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në mbrojtje të dokumentit më të lartë juridik të shtetit.

“AAK konsideron se përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar drejt shkeljes së aktit më të lartë juridik të vendit, është Hashim Thaçi, i cili përmes presioneve dhe insinuatave ndaj deputetëve, krijoi klimë degraduese mbi Kuvendin dhe institucionet tjera të vendit.

AAK konsideron se Kosova dhe imazhi i saj në botë, fatkeqësisht po vazhdojnë të dëmtohen, gjithnjë e më shumë, për shkak të politikave për interesa të ngushta dhe personale të përgjegjësit kryesor të këtyre zhvillimeve, z. Hashim Thaçit.

AAK fton në rivendosjen e shpejtë të kushtetutshmërisë në vend dhe kërkon respektimin e plotë të saj në të gjitha veprimet tjera në ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Dje Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese, në seancën e mbajtur më 22 shkurt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›