E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviq: Bisedimet mund të zgjasin 10 vjet

Nga Express më 29 mars 2011 në ora 11:31

Bisedimet e nisura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të zgjasin aq sa do të ketë nevojë, mbase deri në 10 vjet, thotë Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ivanoviq vlerëson se ky dialog është i vështirë, pasi dy palët nuk kanë komunikuar mes vete, me siguri, në 15 vjetët e fundit. “Prandaj, nuk duhet pasur pritje të shumta. Palët janë ulur, kanë biseduar, kanë krijuar listat e prioriteteve dhe kanë përcaktuar parimet. Tash, ato do të zhvillohen për herë të dytë dhe unë shpresoj se do t’i zgjidhin disa prej çështjeve. Është me shumë rëndësi, sepse këto bisedime do të zgjasin aq sa do të ketë nevojë, që do thotë mbase deri 10 vjet e ndoshta edhe më shumë”, është shprehur Ivanoviq.

Megjithëse po thuhet se bisedimet janë teknike, Ivanoviq thekson se nëse duam të jemi të sinqertë, nuk ka tema të pastra teknike. “Të gjitha ato prekin në domenin politik. Prandaj, për këtë duhet të jenë të përgatitura të dyja palët. Ajo që vërej në këtë çast është se pala serbe është goxha e përgatitur për diçka të tillë, përderisa te pala shqiptare ekziston një rezervë e fuqishme dhe rezistencë”.

Sipas tij, gjendja e pazgjidhur në Kosovë nuk mund të zgjidhet në qoftë se nuk krijohet stabiliteti politik. “Ndërkaq, çelësi për stabilitetin politik është marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës”.

“Rezistimi ndaj bisedimeve, në përgjithësi, dhe ndaj Beogradit, është i madh, për shkak se shqiptarët kanë një perceptim krejtësisht të gabuar se nga kjo mund të humbin diçka. Ata nuk mund të humbin atë që nuk e kanë. Ata nuk e kanë statusin. Kjo që kanë është vetëm zgjidhje e përkohshme dhe kalimtare”, shprehet zyrtari serb.

“Përmes negociatave mund të arrihet deri te statusi, i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja anët. Përderisa statusi është i pranueshëm vetëm për njërën anë, e kjo është ajo që kemi sot, nuk do të japë stabilitet politik dhe në shtigje të gjata do t’i destabilizojë jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por të gjithë Serbinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, kur Ballkani perëndimor është jostabil, atëherë edhe Evropa është jostabile”.

Më tutje Ivanoviq shprehet se shqiptarët e Kosovës i kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë në zgjedhjet paraprake, me mjaft probleme dhe vërejtje, por është fakt se e kanë përfunduar procesin zgjedhor. “Mendoj se kanë legjitimitet që të bisedojnë për të gjitha temat dhe nuk do të duhej të hamendeshin për këtë. Për këtë arsye edhe i ka zgjedhur populli - për arsye se janë të aftë dhe mbase kanë vizion, e jo pse janë të bukur. Prandaj, unë mendoj se guximi është pjesë përbërëse e jetës politike dhe e procesit të vendimmarrjes. Duhet që të nisen hapur në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, pa kufizime të shumta. Kufizimi nuk do t’u ndihmojë që t’i zgjidhin problemet e brendshme të grumbulluara. Së pari vjen stabiliteti politik, pastaj vjen sundimi i ligjit dhe rendit dhe krejt në fund, investimet eventuale, sepse nën këto kushte, askush nuk do të vijë në Kosovë që të investojë”.

Sipas Ivanpviqt, askush nga serbët nuk e respekton pavarësinë e Kosovës. Askush nuk i respekton institucionet, të cilat janë themeluar me pavarësinë e Kosovës. Kjo absolutisht është e sigurt. “Ata po durojnë. Në jug të lumit Ibër janë duke e duruar pavarësinë e Kosovës, sepse nuk kanë shtegdalje tjetër. Ndërkaq, në veri, nuk kanë pse ta bëjnë këtë. Prandaj, ky është dallimi themelor ndërmjet serbëve në veri dhe atyre në jug. Përndryshe, konceptualisht dhe esencialisht nuk ka dallime”.

Ivanoviq mohon se ndarja e veriut të Kosovës ka qenë dhe është ide e dikujt në Serbi. “Por, me siguri që ideja e ndarjes nuk është eliminuar asnjëherë krejtësisht, sidomos jo në nivelin lokal, ku njerëzit shikojnë nga perspektiva e ulët...Më duket se edhe në qarqe ndërkombëtare, ndarja si zgjidhje nuk është përjashtuar që nga fillimi. Shumë prej tyre i janë qasur ndarjes si zgjidhje shumë e lehtë dhe kanë ofruar diçka të tillë. Unë, personalisht, po them se qëndrimi im është absolutisht kundër kësaj ideje. Ne ashtu nuk mund ta zgjidhim çështjen. Zgjidhjen për statusin duhet ta kërkojmë në bisedimet, duke i njohur si të rëndësishme qëndrimet e të dyja palëve, sepse edhe shqiptarët e Kosovës janë palë legjitime në këto bisedime”.

Prandaj Ivanoviq konsideron se “nuk duhet përjashtuar mundësia që në ndonjë konferencë ndërkombëtare (statusi) të zgjidhet edhe një herë dhe përfundimisht”.

I pyetur nga REL, nëse me këtë do të hapej Kutia e Pandorës, zyrtari serb shprehet se “Kutia e Pandorës asnjë herë nuk është mbyllur, sepse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga 75 vende, e kanë hapur Kutinë e Pandorës”.

Madje ai thotë se kjo “Kuti e Pandorës” duhet të mbyllet, duke u zgjedhur çështja e statusit, sipas tij ende e hapur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›