Opozita shfaq tjetër shenjë pabesie, mbërrin te ligjet me një kërkesë antiligjore

Mazhoranca miraton një relacion me vërejtje për 8 nga 9 pikat e draftit të opozitës. Shumica fton opozitën që të reflektojë dhe të bëjë ndryshimet e duhura në projektvendim
Opozita e Partisë Socialiste vazhdon të tregojë shenja të qarta frike dhe pabesie, lidhur me pretendimet e saj për parregullsinë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Qëndrimi unik i mazhorancës, e cila përmes një relacioni e cilëson draftin e PS-së si të parregullt dhe njëherazi në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, jo vetëm që s’ka ndeshur në kundërshtimin e opozitës, por përkundrazi ata braktisën sallën e komisionit në shenjë pakënaqësie. Aq më tepër, kur pala tjetër politike u paralajmërua javën e shkuar për paligjshmërinë e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor. Ashtu siç edhe u njoftua sot në orët e para të mëngjesit Komisioni parlamentar i Ligjeve, nisi diskutimin për kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e kaluara të 28 qershorit. Por, në kushte të paqarta opozita braktisi komisionin menjëherë pasi deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka lexuar projekt-vendimin e socialistëve, që sipas tij është në përputhje me ligjet. Xhafaj tha se “ky projektvendim është në bazë të qëndrimit politik të palëve dhe rrëzimi i tij do të rrezikonte zgjedhjet e ardhshme”. “Nëse nuk miratohet dështon transparenca e zgjedhjeve dhe rrezikon manipulimi i zgjedhjeve të ardhshme”- tha ai. Gjithashtu Xhafaj ka kërkuar shumicën vendimmarrëse në komisionin hetimor duke sqaruar sërish se Partia Socialiste nuk kërkon hetimin e fletëve të votimit, por të materialeve zgjedhore. Por nga ana tjetër ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike Viktor Gumi duke argumentuar se projektvendimi i PS-së nuk jep fakte, por vetëm dyshime. Sipas tij në këtë projektvendim shkelet neni 77 pika 2 e Kushtetutës dhe se kjo kërkesë ka dy kuptimësi. Po ashtu, edhe deputeti tjetër Edi Paloka i cilësoi pretendimet e opozitës si antikushtetuese. “Kjo që kërkoni ju të nderuar anëtarë të PS në këtë Komision është, antikushtetuese”- tha Paloka. Pas reagimeve të Gumit dhe Palokës, Xhafaj tha se me këtë qëndrim të mazhorancës, qëndrimi i opozitës në Komisionin e Ligjeve për të diskutuar, do të ishte e kotë, duke bërë fakt edhe largimin nga ky komision. Anëtarët e mazhorancës miratuan të vetëm një relacion të deputetit Viktor Gumi që në përmbajtje kishte vërejtjet ndaj rezolutës së PS-së që propozonte ngritjen e Komisionit Hetimor për të kryer transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit te vitit, 2009. Gumi arsyetoi se objekti i hetimit në projektrezolutën e PS nuk ishte i qartë dhe jo në përputhje me Kushtetutën. Sipas deputetit demokrat, shumica në komisionin hetimor bazuar në ligj, duhet t’i takojë mazhorancës. Gumi në relacionin që mori votat në Komisionin e Ligjeve vlerëson që pikat 2, 3 dhe 4 janë antikushtetuese, dhe kërkoi ndryshimin e tyre. “Tre pikat e kërkesës së opozitës (2, 3, 4) duhet të vijnë në përputhje me Kushtetutën”- tha Gumi. Shumica kërkoi që projektvendimi i opozitës duhet të riformulohet që të marrë votat e shumicës ditën e enjte kur në Kuvend është vendosur të votohet për kërkesën e PS, në ditën e fundit të sesionit kuvendor për këtë vit.
Edhe pse në seancën e fundit plenare palët ranë dakord për ngritjen e Komisionit Hetimor, me kushtin e vetëm që opozita do të rregullonte kërkesën e saj në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, sot u mësua se Partia Socialiste ka një mungesë të theksuar vullneti për të dialoguar drejt formave të rëndësishme vendimmarrëse.