E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS, asnjë fakt për zgjedhjet- ngritja e hetimeve mbi dyshimet, kundër kushtetutës dhe ligjit

20-12-2010 / Gazeta 55

UPDATE- Lideri i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, reagoi sot ndaj projektvendimit të Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve, duke e konsideruar atë si jo në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit. Deklaratën e tij, kryeministri e bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Berisha i cilësoi pretendimet e PS-së,  si të pa bazuar në ligj dhe në prova e fakte konkrete. Sipas kreut të qeverisë, rezoluta e socialisteve kërkon “hetimin e dyshimeve pa fakte” dhe kjo tha Berisha është e papranueshme. “Projektrezoluta e PS-së ngre hetimin mbi dyshimet, gjë që është kundër Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Si mundet një njeri i qytetëruar të shkruaj 9 paragrafë, 8 prej të cilave të hetohet dyshimi. Prandaj, deputetët e opozitës braktisën mbledhjen sepse nuk kishin asnjë argument për të mbrojtur”- u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit tha më tej se “Prokuroria shqiptare me hetimin e saj në Shkodër i dha përgjigje të merituar dhe përfundimtare të gjithë atyre që u përpoqën t’i nxijnë zgjedhjet në Shqipëri”. Ai i bëri thirrje grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të shqyrtojë dhe të riformulojë projektrezolutën në përputhje me Kushtetutën dhe garantoi se mazhoranca që nesër do të jetë e gatshme ta miratojë atë me unanimitet. Sa i përket procesit të liberalizimit kryeministri e quajti “kartolina më e bukur e Europës drejtuar Shqipërisë”. Berisha tha se “liberalizimi u prit me civilizim nga Shqiptarët dhe përsëriti akuzat se “bllokmenët e rinj se shpifën për eksodin”. Nga ana e tij Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se kriza politike në vend është thelluar që prej ditës së sotme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›