E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon familja Katuçi: Dick Marty tentoi të hidhte eshtra në shtëpinë tonë, i kërkojmë shtetit të ngrejë padi ndaj raportuesit

20-12-2010 / Gazeta 55

- Prokuroria e Shqipërisë: Akuza dashakeqëse, hetimet kanë faktuar se të dhënat nuk kanë bazë vërtetësie


Në atë zonë të thellë të vendit, Gurra e Matit, familjarët e shtëpisë e cila përflitet në raporte të zeza të eksponentëve radikalë evropianë, të cilët njëherazi njollosin edhe besueshmërinë e Këshillit të Evropës, vazhdon jeta normale si zakonisht, por banorët e atjeshëm s’mund të ndjehen të qetë, kur në të gjitha edicionet informative, lart e poshtë, flitet për shtëpinë e tyre, si streha e krimit çnjerëzor. Të ndodhur në këto kushte familja Katuci në Gurrë të Matit, vazhdon të vuajë një prej presioneve më të egra psikologjike. Abdulla Katuçi deklaroi se raporteri i KiE, Dick Marty, gjatë vizitës së tij në atë shtëpi, 2 vite më parë, tentoi të hidhte eshtra në banesë, ndërsa kërkon nga shteti që të padisë raportuesin e KiE dhe ish kryeprokuroren e Hagës. Katuçi hedh poshtë çdo akuzë të raportit sikurse mohon pretendimet se Lulëzim Basha ka shkelur në shtëpinë e tij. Banorët shprehen të bindur se nuk kanë parë asnjë ushtar apo civil serb të kapur rob, ndërsa pohojnë se 2 vite më parë, një ekip investiguesish të huaj ka kontrolluar çdo cep të kullës dy katëshe në pronësi të tyre. Sipas familjes Katuçi, gjithçka që rezultoi pas këtyre kontrolleve rrëzon akuzat e Dick Marty-t sikurse rrëzoi ato të ish kryeprokurores Carla Del Ponte, në kohën e botimit të librit të saj “Gjuetia”. Familja Katuçi jeton në këtë shtëpi prej vitit 1964. Nëse aty, në vitin 99, do të kishte patur serbë që u hiqeshin organet, Abdulla Katuçi, Hatixhja e Mersimi, që nuk e kanë braktisur asnjëherë këtë shtëpi për të jetuar gjetkë, së paku do ta dinin. E nëse do të kishin dijeni, do të thotë se kanë bashkëpunuar në një prej historive më të tmerrshme që flitet se ka ndodhur gjatë konfliktit të Kosovës, të paktën duke fshehur provat. Pra, këta banorë të fshatit Ribë, në Gurrë të Vogël të Matit, do të ishin bashkëpunëtorë në krime lufte e do të duhej të ishin në Hagë, bashkë me Sllobodan Millosheviçin, Karaxhiçin apo Sheshelin. Një histori e tillë i kalon kufijtë e imagjinatës. Megjithatë ka mjaftuar për t’ia trazuar jetën e kësaj familje që jeton me të tjera halle, në këtë shtëpi gati në të rrënuar. Sot, ende nuk ka asnjë provë nga këto hetime. Por ka pasoja të tjera për familjen Katuçi. Pas Karla Del Pontes, një tjetër zviceran do t’ua lëngonte plagën e hapur në vitin 2004. Dick Marti do të kërkonte prova afro 1 dekadë pas kohës për të cilën thuhet se ka ndodhur ngjarja. Madje, sipas Mersim Katuçit, ish –prokurori nga Zvicra i kishte sjellë vetë ato që mund t’i përdorte ai si prova për të realizuar qëllime të tij. Pjesëtarët e kësaj familje matiane, nuk e kuptojnë se ç’lojë po luhet me fatin e tyre dhe përse gjenden të përfshirë në histori që as i kishin dëgjuar ndonjëherë. Duan të dinë të vërtetën dhe se çfarë fshihet pas këtyre akuzave që i quajnë fantazi. Fantazi e një ish –prokurorje që në fakt po ua shkatërron jetën. A është kryer vërtetë heqje organesh në Gurrë e Vogël në rrethin e Matit? Kjo hipotezë e frikshme, edhe pse po mban të gjallë debatin në qarqet politike e diplomatike në vend dhe më gjerë, gjithnjë e më shumë po ngre pikëpyetje, në vend që të japë përgjigje. Të paktën në terren një gjë është krejtësisht e qartë, familja Katuçi, shtëpia e të cilëve po lakohet kaq shumë, minimalisht është e fyer nga mënyra se si po trajtohet rasti. Ndërkohë, që kërkojnë ndërhyrjen energjike të organe shtetërore në Tiranë, jo vetëm për të sqaruar opinionin e brendshëm për pafajësinë e tyre, por edhe për të ndëshkuar ligjërisht personat dhe institucionet e huaja që po abuzojnë me jetën e tyre. Emocionet e anëtarëve të familjes Katuçi janë të kuptueshme, aq më tepër kur mendon gjendjen e tyre ekonomike, vendin ku ndodhet fshati Gurrë e Madhe në rrethin e Matit. Dhe pyetja më pa përgjigje sot e 11 vjet është: përse UÇK do të zgjidhte pikërisht këtë vend të harruar për të kryer këtë krim monstruoz, duke patur parasysh gjendjen e infrastrukturës rrugore shqiptare në vitin 1999? Gjithnjë në rast se e ka kryer atë!


Prokuroria e Shqipërisë: Akuza dashakeqëse, hetimet kanë faktuar se të dhënat nuk kanë bazë vërtetësie


Prokuroria e Shqipërisë, pas njohjes me përmbajtjen e Projekt-Rezolutës së Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që vjen si rezultat i Raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, dhe pas shqyrtimit të detajeve të shprehura në të, deklaron se “akuzat për trafik të organeve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të ushtarëve serbë të zënë rob gjatë luftës në Kosovë janë tashmë të vjetra, të ezauruara dhe pa asnjë bazë vërtetësie”. Përmes një njoftimi për shtyp, organi i akuzës deklaron se deklarimeve të ish prokurores Carla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim. “Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale. Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar. Prokuroria e Shqipërisë, e cila gëzon besimin e organeve hetimore ndërkombëtare, besim që është forcuar nga profesionalizmi i treguar dhe shkalla e gjerë e bashkëpunimit me to, e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›