E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita, shkak për zvarritjen e procesit të integrimit, në vjeshtë duhet të marrim statusin kandidat”

01-08-2011 / Gazeta 55

Fatos Beja, deputet i PD-së

Vendimet politike të opozitës e pengojë drejt për drejt procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe apeli publik do të mbetet përsa kohë kjo forcë politike refuzon të luajë rolin e vet. Kryetari i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Fatos Beja, shprehet se Shqipëria ka kaluar një praktikë ngadalësuese të proceseve të saj të integrimit nga sjellja e opozitës, gjë që rrezikon edhe në këtë moment të përsëritet.
“Nëse opozita do të vazhdojë të konfirmohet jo bashkëpunuese do të ndodhë ajo që ndodhi me rastin e vizave. Vizat ne mund t’i kishim marrë një vit më parë, për fat të keq për mënyrën e veprimit të opozitës si në takimet në Tiranë ashtu dhe ato në Bruksel, në takimet ndër-parlamentare me 14 deputetë shqiptarë dhe 14 deputetë Evropianë, opozita ka qenë shkas i mos realizimit në kohë të procesit të heqjes së vizave”, u shpreh Beja.
Një paketë ligjore që përmbush rekomandimet e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, është ende e mundur të procedohet për një vendim pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian.
“Nëse opozita e Partisë Socialiste do të ishte bashkëpunuese, ose do të jetë bashkëpunuese për të realizuar të gjitha kërkesat si p.sh ngritja e Gjykatës Administrative, miratimi i Avokatit të Popullit, të cilat janë kërkesa që s’kanë lidhje me ngjyrimet politike, janë shumë konkrete, absolutisht ne mund të bëjmë maksimalen, në mënyrë që në raportin e vjeshtës të dalë ndryshe, më mirë dhe më pozitiv se një vit më parë. Por, nëse do të nisemi përsëri me idenë për të prishur gjërat, raporti nuk do të jetë ai që është dhe që realisht do të ndikonte në një vendim negativ përsa i takon statusit të vendit kandidat”, tha Beja.
Hapësirat e bashkëpunimit për të cilat mazhoranca është shprehur gjithnjë e hapur, kreu i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Fatos Beja i sheh më tepër se të mundura në javët që do të paraprijnë vendimin e Komisionit Evropian në vjeshtë.
“Procesi i integrimit, ashtu sikundër edhe vizat një vit më parë, nuk bllokohen, por ngadalësohen, do të shtyhet si proces. Pasi disa aspekte që i përkasin mazhorancës, janë të mazhorancës, ndërsa ato që janë të opozitës s’i bën dot mazhoranca dhe kjo është shumë e thjeshtë për ta kuptuar. Opinioni publik na dëgjon, gjykon si dhe e logjikon se si do të ecë. Unë uroj që të kemi një bashkëpunim me debat politik si dhe një bashkëpunim në miratimin e ligjeve dhe kompletimin e legjislacionit për t’iu përgjigjur 12 prioriteteve të Brukselit”, tha më tej Beja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›