E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita sulmon Priftin për naftën e Albpetrolit

Ministri i Ekonomisë: Jeni bërë si Hugo çavez. Debate për aktin normativ të shitjes me bursë

Akti normativ i qeverisë për të lejuar “Albpetrolin” të shesë naftën me çmim burse ka shkaktuar debate në Kuvend, aq sa ka detyruar ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, të japë sqarime të hollësishme. Sipas tij, akti normativ e bën vendimin më të shpejtë për t’u zbatuar, pasi kompania në tre muajt e fundit nuk ka shitur naftë për probleme teknike të ARMO-s dhe se dalja në bursë i jep mundësi të likuidojë mallin e mbetur stok. Ministri sqaron se kompania nuk ka borxhe, por për shkak të problemeve që lidhen me mosshitjen e mallit, nuk ka pasur mundësi të paguajë punëtorët. Për të zgjidhur problemin, ministria urdhëroi nisjen e ankandit për shitjen e naftës së “Albpetrolit”, por edhe ky proces dështoi. “Duke parë këtë situatë, ne nuk mund të prisnim më dhe menduam që kësaj kompanie t’i japim lirinë, të cilën e ka dhe kompania KESH. Me shitjen e naftës në burse, me çmim kombëtar ditor, mund të tërheqë likuiditete dhe të plotësojnë detyrimet ndaj punonjësve”, iu përgjigj ministri akuzave të deputetëve të PS-së. Sipas tij, akti normativ është thjesht shpejtësi për të shitur mallin, pasi janë rreth 60 mijë tonë naftë sot në depozitat e “Albpetrolit” që rrinë stok. “Kaq është kapaciteti maksimal i depozitave, nuk kemi mundësi më të madhe depozitimi. Na duhet të shesim mallin, të paguajmë punonjësit, të paguajmë detyrimet ndaj buxhetit të shtetit dhe detyrime të tjera”, tha ministri i Ekonomisë, i cili nuk kurseu kritikat ironike ndaj deputetëve të PS-së, duke i cilësuar si “Presidenti i Venezuelës, Hugo çavez”. Më pas ka ndërhyrë edhe Kryeministri Berisha, duke mbrojtur investimet e huaja në sektorin e naftës dhe biznesin vendas. Sipas tij, privatizimi i ARMO-s ishte një sukses i madh, pasi u shit shtrenjtë dhe se kompania po i zbaton të gjitha detyrimet, pavarësisht krizës financiare në botë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›