E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelja e konkurrencës nga kompanitë celulare, ndryshon ligji për komunikimin elektronik

Rriten gjobat për operatorët, drafti riorganizon shkallën hierarkike në AKEP

Shkelja e rregullave të tregut duke përcaktuar çmime monopol për shërbimin e telefonisë së lëvizshme ka detyruar Ministrinë e Inovacionit dhe Teknologjinë e Informacionit

dhe Komunikimit të ndërhyjë në ligj. Reforma do të fillojë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili është rregullatori i këtij tregu. Drafti, i cili pritet të mbërrijë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave parashikon rritjen e masës së gjobës për kompanitë që shkelin rregullat e tregut. Sipas një drafti të hartuar nga Ministria e Inovacionit është parashikuar ndarja e pushteteve në AKEP në ndryshim me situatën aktuale ku pushteti është përqendruar te një post. Aktualisht Kryetari i Bordit Drejtues është njëkohësisht edhe Drejtor Ekzekutiv. Drafti parashikon ndarjen e dy funksioneve, në mënyrë që të bëhet një ndarje më e qartë ndërmjet vendimmarrjes, detyrave strategjike dhe drejtuese të Këshillit Drejtues dhe detyrave administrative.


Drafti
Ligji Për Komunikimet Elektronike pritet të ndryshojë. Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, ka përgatitur amendimet e projektligjit, që së shpejti priten të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave. Projektligji parashikon një rishikim të dispozitave për gjobat që AKEP mund tju vendosë subjekteve shkelëse. Burime nga ministria bëjnë të ditur se gjobat më të rënda trajtojnë shkelje serioze të konkurrencës, në veçanti mos respektimin me detyrimet e vendosura mbi operatorët me fuqi të ndjeshme në treg pas analizave të tregut. Projekt propozimi përmban ndarjen për gjobat e vendosura për shkelje serioze, që do të vendosen nga Këshilli Drejtues, ndërsa për shkeljet e tjera do të vendosen nga Inspektorët. Ministria gjykon se niveli aktual i gjobave është shumë i lartë dhe në veçanti hapësira e vogël ndërmjet gjobës maksimale dhe minimale nuk duket e përshtatshme, si lidhur me ndarjen e kategorive të shkeljeve, ashtu edhe lidhur me hapësirën për zgjedhjen e gjobës për secilën kategori. Projektligji gjithashtu do të sanksionojë edhe një riorganizim të rëndësishëm në hierarkinë e AKEP.


Ndarja e pushteteve
Aktualisht Kryetari i Bordit Drejtues është njëkohësisht edhe Drejtor Ekzekutiv. Drafti parashikon ndarjen e dy funksioneve, në mënyrë që të bëhet një ndarje më e qartë ndërmjet vendimmarrjes, detyrave strategjike dhe drejtuese të Këshillit Drejtues dhe detyrave administrative. Drejtori Ekzekutiv do të zgjidhet nga Këshilli Drejtues, do të përgjigjet para këtij organi dhe mund të shkarkohet ose lirohet po nga Këshilli Drejtues. Ndryshimet e tjera në ligj synojnë kryesisht harmonizimin e plotë me kuadrin rregullator të BE-së për Komunikimet Elektronike të vitit 2009.


Ndryshimet
Ndryshimet në ligj kanë marrë shkas nga çmimet monopolistike të caktuara nga operatorët e telefonisë celulare në vend dhe nga arbitrariteti i tyre për të mos lejuar operatorin e katërt të dalë në treg. Tre operatorët e telefonisë celulare dhe Albtelekom nuk nënshkruajnë marrëveshjen e interkoneksionit me operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend, duke penguar daljen e këtij të fundit në treg në datën e parashikuar. Ndërkohë që po skadon afati ligjor për nisjen e ofrimit të shërbimit, që është data 8 korrik, bëhet e ditur se në rrugë ka dalë një tjetër pengesë. Sipas një korrespondence mes operatorit të katërt që pritet të dalë në treg dhe tre kompanive ekzistuese mësohet se janë hasur një sërë problemesh që ndalojnë Mobile 4 AL, të hidhet në treg. Operatori Plus ka dështuar të arrijë një marrëveshje interkoneksioni me operatorët e tjerë celularë dhe me Albtelecom. Çështja ka shkuar për zgjidhje në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por deri tani nuk ka asnjë zhbllokim të situatës. Mobile 4 AL më datë 14 qershor i është drejtuar AKEP me kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së interkoneksionit me operatorët Albtelecom, AMC, Eagle Mobile dhe Vodafon Albania.

Plus gati për treg, funksionimi peng i marrëveshjes së interkonjuksionit
Operatori i katër i telefonisë celulare ka kryer telefonatën e parë, duke ofruar gadishmërinë për treg. Prova është kryer brenda rrjetit të operatorit Plus, pasi ende nuk është nënshkruar marrëveshja e interkonjuksionit me kompanitë e tjetra në tre. Sipas një njoftimi për mediat mësohet se telefonata e parë në rrjetin e Plus  u realizua nga përfaqësuesit e AKEP tre ditë para përfundimit të afatit përcaktuar nga Autorizimi Individual. Plus tha sot se konfirmon gatishmërinë për ofrimin e shërbimit të telefonisë së lëvizshme në territorin shqiptar.  Sipas të njëjtave burime Plus, operatori më i ri celular në Shqipëri deklaroi sot përmbushjen e afatit të caktuar nga Autorizimi Individual për ofrimin e shërbimit celular në Republikën e Shqipërisë. Moni Buchnik, Drejtor Ekzekutiv i Plus, deklaron se një prej objektivave më të rëndësishëm u arrit me sukses: më 5 korrik u realizua telefonata e parë në rrjetin e Plus. Gjatë aktit të inspektimit të ndërmarrë nga AKEP para pak ditësh, anëtarët e grupit të inspektimit patën mundësinë të realizojnë telefonatën e parë në rrjetin e Plus. Për shkak të mospërfundimit të marrëveshjeve të interkonjeksionit, telefonatat u realizuan brenda rrjetit të Plus. Me anë të kësaj deklarate, Buchnik konfirmon që Plus është i angazhuar në përmbushjen e objektivave të biznesit për tu bërë shumë shpejt operatori i preferuar i shqiptarëve dhe njëkohësisht, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe kryesisht në sektorin e telekomunikacionit. Ne si Plus, jemi të vetëdijshëm për sfidat e tregut, i cili po bëhet gjithnjë e më konkurrues. Thelbi i biznesit tonë bazohet tek nevojat e konsumatorëve tanë, tek teknologjia më e përparuar si dhe tek besimi, angazhimi dhe ekspertiza profesionale e skuadrës së Plus deklaroi drejtori ekzekutiv.  Tre ditë më parë, grupi i AKEP inspektoi fushën e veprimit të biznesit tonë: centralin e rrjetit, stacionet bazë, planifikimin dhe realizimin e rrjetit të transmetimit, sistemet e tarifimit dhe sisteme të tjera, zyrat dhe pajisjet teknike të instaluara tashmë si edhe zyrat qendrore të kompanisë.Jemi të kënaqur të deklarojmë se Plus përmbushi kërkesat e Autorizimit Individual, duke vërtetuar në të njëjtën kohë se cilësia është në fokusin tonë, - deklaroi z. Buchnik.


Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›