E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita sulmon paktin me Serbine Marreveshja pa dobi

Partitë opozitare në Kosovë arritjen e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e lëvizjes së lirë, njohjen e diplomave dhe regjistrave civilë e vlerësojnë të padobishme.

”Në marrëveshjet e arritura mund të shihet një tendencë e qartë e shtetit të Serbisë për ta mohuar shtetësinë e Kosovës. Ndërsa sipas LDK këto marrëveshje janë joformale”-thotë Glauk Konjufca nga lëvizja “Vetëvendosje”.

“Në asnjë moment këto nuk mund të quhen marrëveshje ndërshtetërore. E kemi dëgjuar edhe përfaqësuesin BE-së dje i cili tha se këto konkluzione nuk e paragjykojnë statusin e Kosovës” –u shpreh Vjosa Osmani, deputete nga  Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani tha qeveria e Kosovës duhet që këto marrëveshje ti prezantoj në kuvend.

“Ne si Kosovë, pra qeveria i ka bërë një favor Serbisë, por të paktën do të duhet që qeveria t’i bëjë publike, t’i sjellë në parlament të gjitha marrëveshjet që i bënë”- tha Ramadani.

Por për Partinë Demokratike të Kosovës me këto marrëveshje dëshmohet se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara, që duhet të  intensifikojnë bashkëpunimin për të ndërtuar të ardhmen.

“Ne jemi tani dy kombe, dy popuj dy vende fqinje që kemi luftuar me njëri tjetrin dhe po bëjmë përpjekje që t’i tejkalojmë vështirësitë dhe problemet që kanë të dy popujt andej dhe këndej kufirit”-theksoi Xhavit Haliti,  deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryenegociatori serb për bisedime Prishtinë- Beograd, Borisë Stefanoviç për mediat  serbe ka deklaruar se arritja e këtyre marrëveshjeve nuk nënkupton në asnjë mënyrë  ndryshimin e politikes serbe ndaj Kosovës.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›