“Opozita ta ndërpresë bojkotin, të nisë dialogu në parlament për reformat”

Projekt-rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Europës
Këshilli i Europës i bën thirrje opozitës shqiptare të ndërpresë bojkotin dhe të bëhet pjesë e institucioneve. Në një draft-rezolutë të Komitetit të monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku merret në shqyrtim situata në disa vende përfshirë dhe Shqipërinë, bëhet thirrje për dialog politik mes opozitës dhe forcave të tjera politike, duke theksuar se zgjidhjet gjenden në institucione dhe jo në rrugë.
“Partia kryesore e opozitës në Shqipëri, PS të ndërpresë bojkotin e saj në punën e parlamentit dhe të hyjë në një dialog konstruktiv politik me forcat e tjera politike. Nga ana tjetër, abuzimi nga partitë e opozitës me strategjitë e bojkotit, si në rastin e Shqipërisë, ose refuzimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, nuk kujdeset për procesin demokratik”, thuhet në draft rezolutën.
Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës shpreh shqetësim për situatën e tensionuar politike në Shqipëri kryesisht pas 21 janarit, duke bërë opozitën përgjegjëse për mosbashkëpunim.
“Paaftësia e opozitës për të bashkëpunuar me partinë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2009 shkaktoi një krizë të vazhdueshme dhe çoi në ngjarjet tragjike të janarit 2011”, citohet në draft.
Ky komitet krahas thirrjeve për t’i dhënë fund bojkotit shpreh gatishmërinë për të asistuar politiken shqiptare edhe për vazhdimin e reformës zgjedhore.
“Autoritetet shqiptare janë ftuar nga ana e Asamblesë Parlamentare për të përmirësuar kuadrin legjislativ dhe në rritjen e kapacitetit të administratës zgjedhore në një numër fushash”, vijon draft rezoluta.
Në veçanti Asambleja Parlamentare në draft rezolutën e saj, lë detyra edhe për Kuvendin e Shqipërisë lidhur me zgjedhjet dhe pluralizmin politik.
“Kuvendi i Shqipërisë të fusë një kornizë legjislative për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe të përmirësojë aftësitë e administratës zgjedhore për sa i përket regjistrit zgjedhor, rregullimin e mediave dhe të financimit të fushatave, rregullat e transparencës në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve dhe listat e kandidatëve”, thuhet në draft rezolutë.
Bashkë-raportuesit e Këshillit të Europës, Lakso dhe Wilshire pritet të vizitojnë së shpejti Shqipërinë për situatën e krijuar pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Dy parlamentarët u angazhuan me situatën në Shqipëri edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009.
Draft-rezoluta e KiE
Paaftësia e opozitës për të bashkëpunuar me partinë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 shkaktoi një krizë të vazhdueshme dhe çoi në ngjarjet tragjike të janarit 2011.
Nga ana tjetër, abuzimi nga partitë e opozitës me strategjitë e bojkotit (rasti i Shqipërisë), ose refuzimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje (në disa vende të tjera), nuk kujdeset për procesin demokratik.
Në Shqipëri, megjithëse zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2009 u konsideruan në nivel global të ndershme dhe të lira, politizimi i procesit zgjedhor dhe shkeljet e gjetura gjatë fushatës, si dhe disa parregullsi të vërejtura gjatë votimit, i dhanë shkas rritjes serioze të krizës aktuale politike.
Asambleja Parlamentare i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës kryesore që t’i japë fund bojkotit të punës së Parlamentit dhe të hyjë së bashku me forcat e tjera politike. Është përgjegjësi e liderëve politikë për të thirrur mbështetje në kuadër të institucioneve demokratike dhe jo në rrugë.
Zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 maj 2011 nxorën në pah natyrën e brishtë të demokracisë dhe polarizimin e vazhdueshëm midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Bashkë-raportuesit kanë ndërmend të vizitojnë vendin menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve të mbyllet.
Autoritetet shqiptare janë ftuar nga ana e Asamblesë Parlamentare për të përmirësuar kuadrin legjislativ dhe në rritjen e kapacitetit të administratës zgjedhore në një numër fushash.
Asambleja Parlamentare kërkon që në lidhje me zgjedhjet dhe pluralizmin politik:
1. Kuvendi i Shqipërisë të fusë një kornizë legjislative për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe të përmirësojë aftësitë e administratës zgjedhore për sa i përket regjistrit zgjedhor, rregullimin e mediave dhe të financimit të fushatave, rregullat e transparencës në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe listat e kandidatëve.
Në lidhje me bashkëpunimin parlamentar me opozitën:
2. Partia kryesore e opozitës në Shqipëri (Partia Socialiste), të ndërpresë bojkotin e saj në punën e Parlamentit dhe të hyjë në një dialog konstruktiv politik me forcat e tjera politike.