E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha shpallet zyrtarisht fitues

26-06-2011 / Gazeta 55

Kandidati i mazhorancës është fitues me 93 vota më shumë se rivali i tij i PS-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e miratoi mbrëmë tabelën përfundimtare për rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, ndërkohë që pas apelimit formal, pritet marrja në administrim e një institucioni të braktisur qysh tani nga ish-kryebashkiaku

Lulzim Basha kryetar i bashkisë së Tiranës me 93 vota më shumë se rivali i tij. Ky është vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili dje në orët e vona të natës ka miratuar tabelën përfundimtare për rezultatin e zgjedhjeve të Tiranës. Kësisoj, kryetari i bashkisë së Tiranës hyn në rrugën zyrtare të certifikimit të rezultatit, edhe pse KQZ e ka bërë këtë për të 2-ën herë, por në çdo shtet ligjor, ankimimet e partive politike janë një e drejtë ligjore dhe kushtetuese. KQZ miratoi me 4 “pro” dhe 2 kundër, tabelën e rezultatit që përmbledh në një garën elektorale të Tiranës.
Në bazë të rezultatit të publikuar në tabelën përfundimtare Lulzim Basha fiton bashkinë e Tiranës me 93 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama. Mbledhja e KQZ nisi me debate midis palëve, ku nuk munguan tendencat e çuditshme të PS-së, për të quajtur të pavlefshëm rezultatin e Tiranës, edhe pse argumentet apo justifikimet në dukje dhe në bazë ishin thjesht banale. Më herët KQZ miratoi projekt aktin që i hapte rrugë hartimit të tabelës përmbledhëse të ndryshuar me numërimin e votave të hedhura gabim në 1793 kuti votimi, të 11 njësive bashkiake në Tiranë.
Kreu i KQZ Arben Ristani i kërkoi palëve që të bëjnë të ditura pretendimet e tyren lidhje me projekt-aktin si dhe të shmangin atakimet e theksuara politike. Kësisoj, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, i kërkoi kreut të KQZ Arben Ristani që të informojë palët në lidhje me mënyrën e ankimit të aktit.
“Duke qenë se është një akt që në formë është ndryshe nga praktika është e nevojshme të dimë si të bëjmë një ankimim ndaj aktit, për ne është e paarsyeshme mënyra si është diskutuar në akt”, deklaroi Gjonçaj.
Si përgjigje kreu i KQZ, Ristani, deklaroi se PS duhet të bëjë ankimin sipas ligji. “Ankimi bëhet sipas ligjit”, deklaroi prerazi kreu i KQZ, Arben Ristani.
Palët debatuan edhe më tej, duke mos gjetur gjuhën e përbashkët për miratimin e tabelës së rezultatit zgjedhor të bashkisë së Tiranës. Kreu i KQZ, Arben Ristani, pas fjalës të përfaqësuesve politik, deklaroi se vëmendja duhet të përqendrohet mbi aktin dhe propozimet që duhen bërë mbi të.
“Pavarësisht dëshirave politike ne po merremi me aktin dhe duhet të bëjmë propozime për pika konkrete. Akti votohet në parim, në rast se nuk jemi pro nuk duhet ta votojmë, në rast se jemi pro duhet të diskutojmë për pikat e aktit, për vërejtjet dhe nëse duhet ta miratojmë apo jo aktin”, nënvizoi Ristani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të enjten numërimin e votave të hedhura gabim në 368 Qendra Votimit të Tiranës, ku nga numërimi i të cilave, Lulzim Basha kryesoi garën duke u shpallur fitues me 93 vota më shumë. Në përfundim të këtij rinumërimi, Lulzim Basha ka marrë 125 042 vota gjithsej, ndërsa rivali i tij Edi Rama, ka marrë 124 949 vota.
Brenda një kohë zgjatje 10 ditore, procedura të zakonshme këto, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha merr mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›