Anulimi i lojës, një kërkesë e foshnjërisë politike
Ka marrë fund procesi i dëgjimit të spicave opozitare për gjithçka që mund të na vejë mendja, që nga “paraqitja skenike” e fletëve të votimit e deri tek “prishja e imazhit” nga ana e numëruesit më të fundmë të votave. Ka marrë fund me vendimin e mbrëmshëm të KQZ-së, i cili e shpalli Lulzim Bashën si fitues të bashkisë së Tiranës, pasi kishte grumbulluar 93 vota më shumë se rivali i tij opozitar.
Por në të njëjtën kohë, bile disa orë pak përpara sesa të shpallej formaliteti i rezultatit, opozita shpalli se do të kërkonte tek Kolegji Zgjedhor (edhe pse pa shpresa të mëdha), as më pak e as më shumë, por anulimin e lojës ...pra, anulimin e zgjedhjeve.
Është një vendim që s’u shqiptua as me 3 qershor, kur u shpall vendimi i parë i Kolegjit, ai që legjitimoi numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar e as me 13 qershor, kur një tjetër trupë gjyqtarësh, sanksionoi se rezultati final i zgjedhjeve duhej të dilte pasi të numëroheshin e tabuloheshin (një shprehje e veçantë e zgjedhjeve shqiptare) votat e hedhura gabim, për të gjitha sfidat zgjedhore të kryeqytetit. Kërkesa për pavlefshmëri u shqiptua vetëm dje, kur u mor vesh se të gjitha kutitë ishin hapur e se s’kishte më asnjë mundësi që të shpresohej për një përmbysje rezultati, ose në rastin më të vogël, për një tej zgjatje të procesit të numërimit, i cili do të delegjitimonte çfarëdolloj fitoreje elektorale.
Bash në këtë çast, erdhi kërkesa tironse për “anulim loje”, ajo klithma që zakonisht e dëgjojmë tek fëmijët e dëshpëruar kur humbasin sfidat e 9-vjeçares, apo ajo shprazja e dëshpërimit që dëgjohet veç tek shoqatat e tifozëve ekstremistë të futbollit, kur ekipi i tyre i zemrës e ka humbur përballjen sportive.
Psikologët e vlerësojnë si një “reagim të arsyeshëm”, i nxitur nga dëshpërimi i atypëratyshëm për rezultatin, i cili s’i lejon të shohin meritat sportive apo fundi i fundit matematikën e sfidës, atë që sanksionon edhe fituesin. Në këtë dëshpërim, përkundër matematikës, gjithmonë shfaqet kokëfortë kërkesa për anulimin e lojës, si një rikthim në gjendjen kur performanca dhe morali nuk janë korruptuar nga shfaqjet irracionale.
Është tëpkë rasti i Edi Ramës. E toleroi deri në fund procesin e apelimit, me shpresën që i flinte në gji, se do të mund të ndodhte kataklizma, njëherë me anti-veprimet e Apelit e më pas me afro 2000 kutitë që do rinumëroheshin. Por kur e vërteta nuk u tjetërsua, në skenë u kthye shprazja e foshnjërisë, klithma e anulimit të lojës, si një verdikt i shpejtë (por i pa perspektivë), që do të mund të rikthejë gjithçka në gjendjen fillestare.
Fakti është se kur klithnin fëmijët dhe loja s’kthehej dot, përplasja sportive kish qenë krejt e parëndësishme dhe tek fëmija i trazuar ndikonte autoriteti moral i prindit, një figure paterne që i dëshmon atij se bota s’është përmbysur e se pas humbjes, vjen një tjetër sfidë, mjaft që gjithçka të përgatitet më mirë.
Tek kërkesa e djeshme e PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të kryeqytetit, kemi shfaqjen flagrante të kësaj foshnjërie politike, por optimizmi na fanitet kur mendojmë se Edvini s’ka lënë asnjë figurë paterne në këmbë, as në familje, as në botën shkencore e as tek institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që të gjithë të mendojnë se “fëmija” i politikës do të gëlltisë humbjen e s’do nisë të thyejë pjata, filxhanë e ç’të gjejë përpara (kryesisht nisma ligjore për integrimin në BE).