E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohen përmes një tubimi madhështor në Qafë-Botë, 2600 viktimat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë

26-06-2011 / Gazeta 55

Përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, si dhe të diasporës në SHBA, nisën në Sarandë, me procesionin “Trëndafilat e Çamërisë”, përkujtimin e 67-vjetorit të gjenocidit. Deputeti Dashamir Tahiri kapërceu pengesat dhe udhëhoqi dërgatën e rezistencës përtej kufijve administrativë

Mijëra shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga të gjitha trevat shqip-folëse, marshuan ditën e djeshme drejt Qaf-Botës, në përkujtim të 67 vjetorit të masakrës greke ndaj popullsisë çame. Të pranishëm në këtë tubim, përveç figurave të njohura të Partisë Drejtësi Integrim dhe Uniteti, Shoqatës Patriotike “Çamëria”, ishin dhe figurat të njohura të kombit shqiptar si Princi Leka, djali i heroit Adem Jashari, Lulzim Jashari, Kryetari i Shoqatës “VATRA”, Gjon Buçaj si dhe një numër i madh përfaqësuesish të ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ndalesa e parë e këtij marshimi, nën moton “Trëndafilat e Çamërisë” ishte në Varrezat e Kllogjërit, aty ku 67 vite më parë mbi 2600 njerëz humbën jetën nga etja dhe uria, pasi ishin shpërngulur me dhunë nga ushtritë zerviste, prej trojeve të tyre. Pranë memorialit të ngritur në Kllogjër, vendosën kurora me lule në përkujtim të viktimave të gjenocidit grek.
Ndërkohë, deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri gjatë fjalës së tij në varrezat e Kllogjërit vuri në dukje incidentin që kishte ndodhur vetëm pak orë më parë në pikën e Kalimit Kufitar në Qaf-Botë, Sarandë.
“Unë së bashku më Kryetarin e Komunës Markat, Ismali Myrtaj dhe një grup gazetarësh tentuam që duke plotësuar të gjitha kushtet ligjore, të hymë në territorin grek. Në pikën Kufitare të Qaf-Botës në Sarandë, oficerët grekë të policisë refuzuan hyrjen tonë pa asnjë motiv të përligjur duke shkelur haptazi të drejtat bazike të njeriut. Pas një sërë debatesh duke qenë se mbaja pasaportë diplomatike, oficerët grek të policisë, ndoshta duke tentuar të mënjanonin një incident diplomatik, më lejuan, por Kryetarin e Komunës Markat, i cili është mbajtës i një pasaporte shërbimi dhe gazetarët, u refuzuan. Në shqiptarët e Çamërisë jemi diskriminuar vazhdimisht prej 1913 e deri më sot. Ka ardhur çasti që në mënyrë të organizuar, por edhe shteti ynë si përfaqësuesi i interesave tona që e ka detyrë kushtetuese mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptar, duhet t’i thotë ndal një herë e përgjithmonë abuzimit me të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. PDIU dhe unë personalisht do bëjmë çmos që t’i japim fund makinacioneve që vijnë në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriu ndaj një popullsie që ka pësuar gjenocid, spastrim etnik dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave. Për këtë unë vendos garanci emrin tim dhe gjithçka që kam”, u shpreh deputeti Dashamir Tahiri.
Më pas, marshimi vazhdoi drejt Pikës së Kalimit Kufitar të Qaf-Botës, ku mijëra të pranishmit zhvilluan një protestë paqësore në kërkim të të drejtave të tyre. Gjatë kësaj proteste, Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi shprehu edhe njëherë bindjen e tij dhe të forcës politike që ai drejton se ky problem do të gjej zgjidhje.
“E di që disa njerëz të gatuar keq, në anën andej, do ta përdorin këtë tubim për të thënë: ja shqiptarët po na provokojnë në kufirin tonë. E dimë që formalisht pak metra pas nesh ekziston një kufi. Përtej atij kufiri, qëndrojnë shumë shqiptarë të tjerë, që pikërisht pamjet e atij gjenocidi, gjenocidi i vazhdueshëm në këto 67 vjet, i ka bërë të deklarohen grekë, megjithëse në shtëpi flasin gjuhën e nënës. Janë vëllezërit tanë çamë, që këndojnë si ne, që qajnë si ne. Janë shqiptarë dhe ata që jetojnë përtej atij kufiri, që sot është kufiri më i blinduar i Europës. Por ne s’kemi ardhur me armë t’ja mësyjmë atij. Ne kemi ardhur me lule. Armët tona janë lulet tona. Beteja jonë është për drejtësi, për të drejtat e njeriut, por mesa duket mësimet e demokracisë së korifejve të civilizimit si Aristoteli janë tretur në humbëtirat e shekujve e Greqisë fqinj i kanë mbetur vetëm statujat dhe loja me tavllë e buzuqi”, u shpreh Idrizi. Ai nuk la pa përmendur dhe rastet e kthimit të çamëve në kufij dhe moslejimin e tyre për të kaluar në shtetin grek. “Të gjithë ne i dimë rastet e refuzimit në kufi të shtetasve shqiptarë me origjinë çame. Për secilin rast PDIU ka bërë maksimumin: i kemi shkruar autoriteteve evropiane, kemi folur me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar. Dje pamë se dhe ministri ynë i jashtëm reagoi duke i kërkuar shpjegime palës greke. Liria e lëvizjes, hapja e kufijve, i frikëson trashëgimtarët e atyre që jetësuan spastrimin etnik dhe gjenocidin mbi çamët. Unë nuk dua të vendos lidhje tërësore midis shtetit grek të asaj kohe dhe shtetit të sotëm. Por ndërkohë dua të nënvizoj se sjellja refuzuese ndaj çamëve në kufi, i fajëson grekët e sotëm. I vë ata në pozitat e mbrojtësve të krimeve të paraardhësve. Liria e lëvizjes, e cila do të thotë fuqizim i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, shton shanset e zgjidhjes së çështjes çame. Sot nuk mund të sillesh me një individ si në fund të luftës së dytë botërore”, bëri të ditur kryetari i PDIU-së.
Gjithashtu Shpëtim Idrizi e cilësoi kufirin grek si më të blinduarin në Evropë dhe kjo vjen sipas tij, nga pasoja e frikës nga fqinji.
Presidenti i nderit i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini tha se ka ardhur koha që çështja çame të gjej rrugën e zgjidhjes.
“Çdo vit ne bëjmë një hap përpara drejt qëllimit tonë final. Çdo vit zgjidhja e çështjes çame është një hap më afër. Sot ne jemi krenar që bashkë me ne, janë dhe bashkëkombës të tjerë që nuk kanë origjinë nga Çamëria dhe sot ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen për kauzën kombëtare”, deklaroi gjatë fjalës së tij Presidenti i Nderit Tahir Muhedini.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Princi Leka u shpreh se ka nderin të mbështesë çështjen çame. “Është nder për mua të mbështes çështjen çame. Duhet që Kosova, Maqedonia e Çamëria të bashkohen në Shqipërinë e Madhe. Jam i bindur që Ekrem Spahia dhe Shpëtim Idrizi do punojnë bashkë në këtë betejë”, mbylli fjalën e tij Princi Leka.
Gjatë kësaj ceremonie morën fjalën edhe djali i Adem Jasharit, Lulzim Jashari, Presidenti i Shoqatës “Vatra”, Gjon Buçaj, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia si dhe kryetari i Lëvizjes “Zgjohu” në Maqedoni Artan Grubi.

Policia greke vazhdon të provokojë qytetarët çam, ndaloi në kufi deputetin e PDIU-së, Dashamir Tahiri

Policia greke s’heq dorë nga aktet e provokacionit ndaj qytetarëve çam. Një tjetër incident shënohet në kufi mes Shqipërisë dhe Greqisë pasi pala greke ka ndaluar dje një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Dashamir Tahirin, deputet i PDIU në Vlorë. Deputeti i PDIU-se, Dashamir Tahiri, i shoqëruar nga gazetarë dhe kreu i komunës Markat, është ndaluar dje të kalojë pikën kufitare të Qafë Botës në Sarandë. Pas debatesh në pikë kufitare, Tahiri është lejuar të kalojë pikën kufitare, ndërsa gazetarët dhe kreu i komunës Markat që e shoqëronin atë, nuk kanë mundur të kalojnë. Policia greke i ndaloi shoqëruesit e deputetit çam me argumentin se janë persona të cilët konsiderohen të rrezikshëm për rendin dhe qetësinë.
Pak ditë më parë shoqata “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çelën në mjediset e Hotel Tirana, “Javën çame – Trëndafilat e Çamërisë”.
Në përmbyllje të javës çame, deputeti Tahiri dhe qindra qytetarë të tjerë shqiptarë ishin në Qafë Botë, pasi në orët e pasdites u mbajt marshimi madhështor tradicional çam. Ndërkaq, shqetësues vazhdon të jetë fakti i kthimit të çamëve në kufi. Rreth 20 shtetas shqiptarë me origjinë nga Çamëria janë ndaluar këtë vit nga policia greke për të kaluar në kufi, për arsye që janë të kuptueshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›