E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita, të gjithë të pandehur

Share

Një seri procesesh me të paditur deputetë socialistë. Një nga mënyrat për të bërë opozitën të heshtë: padit kur denoncohesh për korrupsion. Pjesën tjetër e mbyll gjykata që gjobit me dhjetëra milionë lekë opozitarët. Në gjykatën e Tiranës, standard i dyshimtë gjykimi, në të kundërt nga mënyra sesi vepron Gjykata e Lartë. Një tjetër skandal juridik në drejtësi, ku peshorja e saj është prishur përfundimisht. Ruçi: Nuk harrojmë!

Nga Lorenc Vangjeli

Revista JAVA

Të gjithë në rresht. Të gjithë të pandehur. Kush thotë se në Shqipëri ekziston kultura e mosndëshkimit të politikanëve, e ka pjesërisht gabim. Ky togfjalësh duhet të rikompozohet. Politikanët nuk ndëshkohen sa kohë janë në pozitë. Kur vjen radha të jenë në opozitë, sistemi gjyqësor vepron me saktësinë e bisturisë së kirurgut. Pret thellë. Edhe pa anestezi. Mbi të gjitha, operon me dy standarde. Mbi dhjetë deputetë të opozitës janë përfshirë në një kalvar procesesh gjyqësore, përgjithësisht të akuzuar për veprën penale të shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Vendimet gjyqësore për ta? Fajtorë! Ndëshkimi? Dhjetëra milionë lekë gjobë. I fundit në radhë, por jo i fundit që ka provuar një fat të tillë, është Saimir Tahiri, deputeti socialist, kryetar i PS-së për Tiranën, i dënuar me pesë milionë lekë gjobë në këmbim të shpifjes dhe fyerjes që gjykata mendon se ka realizuar në dëm të dy fëmijëve të kryeministrit. Një shumë pothuaj sa rroga katër vjeçare që Tahiri do të ketë marrë muaj mbas muaji në cilësinë e tij si deputet. Në fakt pati fat: në padi i kërkohej të paguante një shumë gati dyfish më të madhe.

Bashkë me Tahirin, lista e deputetëve socialistë të zënë peng në procedurat gjyqësore shtohet me emrat e Shega Ligorit, Mimi Kodhelit, Olta Xhaçkës, Vasilika Hysit, Ermonela Felajt, Erion Braçes, Eduard Shalsit, Taulant Ballës, Artan Gaçit, Eltar Dedës. Një listë e pambyllur, e cila parashihet të rritet edhe më tej për shkak të ashpërsimit të pritshëm të temperaturave politike në vend. Për shkak të një teknologjie tashmë të kuruar në detaj nga maxhoranca dhe me një aleancë të çuditshme me sistemin gjyqësor: çdo akuzë për korrupsion, me emër e mbiemër për përfaqësues të saj, do të dërgohet në gjykatë me pretendimin se është konsumuar shpifje.

Si nisi dhe si nuk po mbaron?

Në verën e dy viteve më parë, në mënyrë absolute për të parën e ndoshta të vetmen herë në 20 vjet, opozita socialiste mundi të marrë iniciativën e denoncimit të korrupsionit. Në korrik e gusht 2010, mbasi kishte provuar të gjitha mjetet që kishte në dispozicion dhe që demokracia vë në dispozicion të luftës politike, përveç votës, që nga bojkoti i Kuvendit për rezultatin e kontestuar të zgjedhjeve dhe deri tek greva e urisë që kërkonte hapjen e kutive të votimit të përgjithshëm të vitit 2009, opozita ndryshoi taktikë. Ajo nisi të godasë në zemër të imazhit të hershëm antikorrupsion që kishte mundur të ndërtonte maxhoranca e Berishës dhe duke dëshmuar se, sipas të vërtetës së saj, kjo shumicë, kishte instaluar një kulturë të egër korruptive me përfitim të të mirave publike, me shpërndarje pronash, pasurish e koncesionesh si shpërblesa, në tendera të paracaktuar në fusha të ndryshme. Ekonomia, kryesisht me koncesionet e hidrocentraleve, shëndetësia me blerjen e medikamenteve, industria e minierave, nafta e kromi, licencat e ndryshme, arsimi me shtypjen e teksteve shkollore e kështu me radhë, u bënë targete të goditjeve të ditëpërditshme të deputetëve socialistë që furnizonin ditë mbas dite publikun me të vërtetën e ndryshme: anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të PD-së dhe të afërm të tyre, po pasuroheshin në mënyrë marramendëse. Në vjeshtë, largimi i një anëtari të kabinetit qeveritar, ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, afroi një tjetër valë akuzash të forta që dëshmonin thellësinë e fenomenit që Berisha dikur e denonconte shumë egër.

Nga ky moment, në ndihmë të maxhorancës, u kërkua dhe u vetafrua si aleat në luftë kundër akuzave të opozitës, asgjë tjetër përveçse gjyqësorit. Një lëvizje e mençur e maxhorancës, që në sinkron me ashpërsimin e akuzave ndaj saj, nisi një serial padish për shpifje për deputetët akuzues socialistë. …paditësja ushtron funksionin e deputetes dhe përhapja e fakteve të pavërteta karshi saj ka cenuar rëndë personin e saj duke cenuar jo vetëm ndjenjën që ajo ka për personin e saj (cenimi i nderit në kuptimin subjektiv), por edhe konsideratat që të tjerët kanë për paditësen (cenimi i ndertit në kuptimin objektiv), pra, kanë dëmtuar reputacionin dhe imazhin e saj si përfaqësuese e popullit. Ky lloj formulimi juridik, do të bëhej formula që do të hidhej shumë shpejt në kurriz të shumë deputetëve të opozitës, shoqëruar me një faturë të kripur financiare në dëm të tyre. Në këtë kohë, të paktën një nga deputetet e PD-së, më e goditura nga akuzat e socialistëve, për histori që ngrenë dyshime për përfitime nga ajo dhe familjarë të saj, ka kërkuar dhjetëra milionë lekë dëmshpërblim nga akuzatorët e saj politikë. Madje, ajo ka paguar rast pas rasti, edhe shumën prej tre për qind të parave që lejojnë nisjen e procesit. Gjithashtu në vlerë prej miliona lekësh. Mbas dy vjetësh, tashmë, nga gjykatat ka ardhur momenti që ato të japin vendimet e tyre. Të gjithë në sinkron: je në opozitë? Paguaj se je fajtor!

Në të njëjtën kohë, në anën e kundërt të segmentit, edhe opozita ka iniciuar një seri procesesh për të njëjtën akuzë, shpifje dhe fyerje për shkak të detyrës. Targeti i këtyre akuzave ka qenë kryeministri i vendit, Sali Berisha, i paditur që nga Edi Rama, kryetar i PS-së, nëna e tij dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në jetën e vendit, biznesmenë të njohur.

Ky është dhe momenti më interesant i kësaj historie: në të njëjtat rrethana dhe në të njëjtat situata, gjykata e shkallës së parë në Tiranë dhe Gjykata e Lartë, kanë dhënë vendime kundërthënëse. Nëse gjykimi rishtar në gjykatën e shkallës së parë i ka gjetur përgjithësisht fajtorë socialistët, në Gjykatën e Lartë, ndaj kryeministrit janë pushuar të gjitha çështjet.

Deputetët nën akuzë

Rekordin e mban Saimir Tahiri, i dënuari i fundit nga gjykata e Tiranës. Ndaj tij janë në vijim gjashtë padi. E fundit, duhet ti kushtojë 5 milion lekë. U gjykova dhe u dënova nga një proces i parregullt gjyqësor, nga një farsë e dirigjuar nga jashtë gjykatës dhe e vënë në skenë nga një gjykatës i vetëm, vetëm pse kam shprehur shqetësimet e mia mbi korrupsionin. U dënova sepse besoj se ky vend mund të jetë i lirë, ku pushteti tu shërbejë qytetarëve dhe ligji të ndajë të drejtën nga e padrejta, thotë Tahiri. I cili shton se një gjë e tillë nuk ka mbaruar ende. Se çfarë ka parasysh me një gjë të tillë, ngjan se e shpjegon qartë kryetari i grupit të tij parlamentar Gramoz Ruçi: Kush ka menduar se do heshtim, ka bërë llogaritë gabim. Kush ka menduar se do na përkulë, ka bërë llogaritë gabim. Kush ka menduar se duke i bërë shërbimin pushtetit sot, do ia hedhi paq nesër, i ka bërë llogaritë gabim, thotë Ruçi.

Mimi Kodheli, socialistja tjetër, është paditur nga kolegia e saj e PD-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›