E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të heqë dorë nga propozimet që shkelin marrëveshjen e 14 nëntorit

27-02-2012 / Gazeta 55

Deputeti Jemin Gjana komenton largimin e Oketës: Duhet të mësojë që një forcë politike funksionon sipas statutit

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për rishikimin e rregullores së Kuvendit dhe njëherazi deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana kujtoi dhe njëherë se mazhoranca s’do pranojë propozimet e opozitës, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 nëntorit. Sipas z.Gjana, me amendamentet e saj, opozita kërkon të shantazhojë mazhorancën, për ndryshimin e Kushtetutës. “Propozimet e PS që kanë ardhur jashtë marrëveshjes së 14 nëntorit, janë në shkelje me Kushtetutën. Shpresoj që opozita ta heqë tentativën për të sjellë propozime që janë në shkelje me marrëveshjen e 14 nëntorit. Asnjë mandat grupi, nuk mund të cekë ndryshime kushtetuese. Nuk mund të ketë amendamente të cilat janë në thyerje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të ketë amendamente të cilat nuk janë në koherencë vetëm me një rregullore, dhe ajo është rregullorja e Parlamentit Europian. Më konkretisht është provokuar me qëllim për ta penguar, bllokuar, punën në grupin e punës”- u shpreh ai. Ndërkohë, Gjana shprehu dhe njëherë zotimin e mazhorancës për të kompletuar reformat, veçanërisht atë parlamentare dhe reformën zgjedhore. “Me gjithë këtë fryme dhe këtë tendencë për ta bllokuar, ne jemi përpjekur të tregojmë të gjithë gjenerozitetin tonë. Madje duke mos sulmuar, atakuar opozitën, përfaqësuesit e saj, drejtuesin e opozitës, deri në momentin që ata as nuk kthyen përgjigje, as treguan gatishmërinë për t’u ulur, për të punuar, dhe nuk kanë sjellë asnjë amendim të ri” - deklaroi Jemin Gjana.
Gjana komenton largimin e Oketës: “Duhet të mësojë që një forcë politike funksionon sipas statutit”/Për Partinë Demokratike nuk përbën asnjë shqetësim largimi i Gazmend Oketës nga radhët e grupit parlamentar, pasi kjo forcë politike që qeveris vendin, funksionon në bazë të statutit të saj dhe s’lë vend për pakënaqësi. Një mesazh të tillë dha dje deputeti i PD-së, Jemin Gjana duke kujtuar se z.Oketa iu dha gjithçka në PD, pozicione të tilla si Ministër dhe deri në zv/Kryeministër. “Gazmend Oketa është zgjedhur deputet i Partisë Demokratike, në 2005-ën falë atij rezultati spektakolar kundër Partisë Socialiste, 9 me zero. Por, z.Oketa nuk ka patur aktivitete politike në PD-në e Durrësit. Meqë erdhi brenda PD-së, brenda qeverisë, në 4 vite ka patur në dispozicion të gjtihë kohën e duhur të shihte se si funksionon PD. Këtë që bëri tani, “Mësova, pashë dhe po iki”, duhet ta kishte bërë në 2009-ën. Statuti i PD-së e ka tërësisht të qartë funksionimin e partisë. Një nga pozicionet drejtuese të Kuvendit, është automatikisht nën/kryetar i Partisë Demokratike. Kryetari i grupit parlamentar është nënkryetari i PD-së. Kjo është me statut. Unë kam 20 vjet në jetën politike. Në fillim, Berisha ishte President dhe PD-në e drejtonte Eduard Selami, e ka drejtuar Tritan Shehu, se kështu e thoshte statuti. Z.Oketa ishte zv/kryeministër, ministër i Mbrojtjes, pra i arriti të gjitha shkallët e pushtetit politik në pak kohë. Megjithatë, këto tendenca janë llogari për 2013-ën, se s’dihet se si e ka interpretuar veten e tij në listat e PD-së. Argumentet e Oketës për largimin nga PD, nuk janë aq të qëndrueshme”- u shpreh deputeti Gjana.
Gjana tha gjithashtu se PD nuk i druhet rrjedhjes së votave brenda së djathtës, pasi sipas tij, një forcë e vogël politike, aq më tepër e sapokrijuar, nuk mund të influencojnë zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike të vendit. “Disa individë që përflitet se do t’i bashkohen kësaj lëvizve, kjo do të thotë se këta njerëz nuk kanë votuar PD-në në të gjitha kohërat. E kam me një sërë njerëzish që dikur kanë qenë eminenca e kësaj partie”- tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›