Do jetë produkt i dy partive të mëdha
Të vegjlit të pakënaqur nga reforma zgjedhore
Republikanët nuk do ta votojnë produktin final të Kodit Zgjedhor. Kreu i kësaj partie, njëkohësisht një prej 10 anëtarëve të komisionit të Reformës Elektorale, Fatmir Mediu e argumenton këtë vendim me faktin se vota dhe prania e të vegjëlve nuk luan asnjë rol në komisionin e dy të mëdhenjve. Edhe për Vangjel Dulen, e PBDNJ-së, dështimi i reformës, është tashmë një fakt i kryer. “Partitë e tjera nuk kanë ndonjë vlerë të madhe në votën e tyre, sepse vota e partisë Demokratike dhe asaj Socialiste janë ato që determinojnë si konsensusin edhe mos funksionimin apo vendimin e këtij komisionin. Kështu që, prezenca është krejt formale, pa pikën e vlerës”- u shpreh Mediu.
Ndërsa Vangjel Dule tha se kjo reformë s’do ketë asnjë ndryshim nga ligjet e mëparshme elektorale, teksa ekskluziviteti i takon dy forcave të mëdha politike, PD dhe PS. “Do të kemi një produkt të ngjashëm me ato të reformave të mëparshme zgjedhore, të cilat na çuan në mënyrë të përsëritur dhe sistematike në zgjedhje të dështuara dhe të kontestuara”- tha ai. Por, si e shohin të vegjlit, atë që të mëdhenjtë e quajnë ngecje të kësaj reforme? “Dy partitë kanë gjetur gjuhën për të groposur partitë e tjera dhe kanë probleme se si do të ndajnë raportet me njëra-tjetrën. Gjinden pretekste nga më të ndryshmet, qoftë të qëndrojnë brenda kuadrit të OSBE/ODHIR apo të bëjmë një reformë të plotë. Partitë e mëdha nuk janë të interesuara për këtë çështje”- tha Mediu.
“Reforma elektorale është një proces pa frymëmarrje natyrale. Dy forcat e mëdha politike e kanë futur atë në reanimacion. Ç’rëndësi ka, nëse zgjat një ditë, një muaj, apo një vit. I ngjan një kostumi të prerë dhe të qepur në masën e dy forcave të mëdha politike”- tha Dule. Mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore skadon në 29 shkurt. Ndërkohë, që pritet një zgjatje e tij, komisioni ka miratuar 4 kapitujt e parë të kodit dhe ka shqyrtuar rreth 20 nga 52 rekomandimet e ODIHR-it. Disa ditë më parë bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri bëri të ditur se shumë shpejt mazhoranca e opozita do t’i drejtohen seancës plenare me një kërkesë për të shtyrë afatin, të paktën me një muaj pasi përfundimi i ndryshimeve për të gjithë kapitujt brenda afatit fillestar duket i pamundur.
Ndërkohë, s’kanë munguar as polemikat mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Socialiste akuzoi shumicën parlamentare se ka bllokuar reformën, ndërkohë që reagimi i mazhorancës ishte se PS s’ka dorëzuar asnjë propozim konkret, ndërsa në qendër të vëmendjes ka ndryshimet kushtetuese.