E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama jep detajet e bisedës me Berishën. Zgjidhja i lihet tryezës

15/02/2010  Kreu socialist takime informuese me deputetët dhe aleatët
Kreu socialist informoi dje në takime të veçanta deputetë të PS-së dhe drejtuesit e partive aleate të kësaj partie lidhur me negociatat në Presidencë. Një ditë pas takimit te kreu i shtetit me kreun e mazhorancës Sali Berisha kryetari Edi Rama zgjodhi t’u bëjë me dije fillimisht deputetëve socialistë panoramën e qartë të kësaj tryeze e më pas krerëve të partive të njohura tashmë si aleatë të PS-së. Burime pranë selisë rozë konfirmuan se gjatë takimit me disa nga deputetët e grupit kuvendor socialist Rama ka dhënë detaje të takimit mes tij dhe Berishës, ku ndër të tjera ai ka bërë me dije së tryeza e negociatave do të vijojë. Por në këtë takim të parë janë mbrojtur qëndrimet e kundërta të të dyja palëve kundërshtare, ku sikundër dihet e majta kërkon hapjen e kutive, si pjesë përbërëse e hetimit mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndërsa PD-ja, nga ana e saj, insiston në qëndrimin e saj se për një çështje të tillë ka një vendim gjykate, i cili nuk mund të rimerret për hetim. Madje, kjo është dhe arsyeja për të cilën do të vijojnë takimet deri në një rakordim qëndrimesh, në të kundërt PS-ja do t’u drejtohet qytetarëve për riorganizimin e protestave. Megjithëse për një çështje të tillë ende nuk ka një datë konkrete. Po në të njëjtën linjë ka vijuar edhe takimi i radhës me aleatët e PS-së, ku dhe gjatë bisedës me krerët e majtë Rama ka ripërsëritur zhvillimet e ndodhura një ditë më parë në Presidencë me kreun e mazhorancës. Njëkohësisht gjatë këtij takimi kryetari i PS-së mësohet të ketë garantuar aleatët e tij se do të vijojë të kërkojë edhe në tryezën e radhës realizimin e kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit. Por nga ana e tyre aleatët e PS-së kanë qenë më agresivë në qëndrimet e tyre ndaj mazhorancës. Burime pranë takimit bënë me dije se Ngjela ka këmbëngulur në caktimin e një date konkrete për rinisjen e protestave qytetare. Por nga ana e tij Rama së bashku me drejtues të tjerë të majtë kanë preferuar që t’ia lënë në dorë tryezave të radhës te kreu i shtetit zgjidhjen e këtij ngërçi, që ka sjellë dhe krizën politike në vend. Më pas, nëse kjo zgjidhje nuk gjendet në Presidencë, në takimin e ardhshëm mes PS-së dhe aleatëve të saj të majtë do të përcaktohet data për rifillimin e protestave në të gjithë vendin.
Takimi i PS-së me aleatët
“Nëse tryeza tek Topi dështon, në fillim të marsit protesta”
Aleatët e Partisë Socialiste insistojnë në rifillimin e protestave qytetare. Kështu, gjatë takimit të zhvilluar dje me kreun e PS-së Edi Rama krerët e majtë kanë kërkuar një zhvillim të tillë. “Zoti Rama na informoi për bisedimin e djeshëm. Ne i qëndrojmë mendimit se ishte progres, por tryeza s’ka zgjidhur gjë. E drejta jonë për transparencë të zgjedhjeve përmes komisionit hetimor parlamentar është shkelur, dikush duhet të marrë përsipër ta zgjidhë, do të jetë gjë e madhe. Duhet caktuar data për protestën e madhe”, - vuri në dukje kreu i partisë “Ligj dhe Drejtësi” Spartak Ngjela. Madje, po në këtë linjë, Ngjela shtoi se “tryeza ra dakord se data do qëndrojë si çështje e padiskutueshme, por për faktin se mund të shkaktojë shqetësim për tryezën do të mblidhemi të caktojmë datën kur të shohim se tryeza nuk vlen”. Sipas tij, nuk ka bisedime në nivel ekspertësh, pasi ekspertët duhen kur të fillojnë të bëjnë modalitetet e hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i “G-99”, Erion Veliaj. “Takimi ishte një fillim i mirë për të ballafaquar nëse deri në 2-3 javët e ardhshme, pra deri në fillim të marsit, nuk marrim përgjigje, por e vetmja butafori e zotit Berisha do të jetë se kutitë nuk hapen, që do të jetë një aksion kundër transparencës dhe kundër drejtësisë, atëherë nuk na mbetet më për të diskutuar të njëjtat gjëra”, - nënvizoi Veliaj. Ndërsa kreu i Demokracisë Sociale Paskal Milo e cilësoi si të rëndësishëm takimin mes Ramës dhe Berishës. Por sipas tij i takon Presidentit Topi tashmë t’i japë zgjidhjen e duhur çështjes. “Tashmë topi është në zyrën e Topit, te Presidenti i Republikës. Gjej rastin t’i bëj thirrje Presidentit të Republikës që të respektojë të drejtën kushtetuese të opozitës për hapjen e kutive. Ky nuk është favor, siç mund ta interpretojë dikush, që Presidenti po i bën opozitës, por është një e drejtë dhe detyrë kushtetuese e Presidentit që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin t’i japë rrugëzgjidhje, ashtu siç dëshirojnë të gjithë, krizës politike dhe ashtu siç komuniteti ndërkombëtar ka besim se ai do të luajë rol të rëndësishëm si garant i Kushtetutës për zgjidhjen e krizës”, - vlerësoi Milo.
PS shigjeton kreun e LSI-së
Felaj: Meta u bë pulë sa u fut në kotecin e Berishës
Replikat mes Partisë Socialiste dhe kreut të LSI-së Ilir Meta, njëkohësisht numri dy i kabinetit qeveritar, vijojnë të jenë prezentë pothuajse për çdo ditë. Edhe pse në distancë, akuzat dhe kundërakuzat mes palëve nuk kanë munguar as dje. Nga Sllovenia zëvendëskryeministri Meta shigjetoi ashpër PS-në lidhur me bojkotin e saj ndaj Kuvendit. Referuar një deklarate të tillë, selia rozë solli për publikun përgjigjen e saj për ministrin e Punëve të Jashtme të vendit. “Ilir Meta ishte ai që lëshoi ulërimën më të madhe pas zgjedhjeve për vjedhjet e Saliut, por u bë pulë sa u fut në kotecin e qeverisë. S’ka asgjë më qesharake që po kjo pulë e majmur ndjeshëm nga shitja e votave opozitare për një karrige të bëjë edhe gjelin duke kënduar majë karriges refrenin e Saliut për moslejimin e transparencës. Ne nuk kemi punë me gjykatat, por me të drejtën për të hetuar. Një parlament që nuk ka kurajë të respektojë të drejtën tonë kushtetuese, duhet të shpërndahet”, - u shpreh deputetja e PS-së Ermonela Felaj gjatë një deklarate të shkurtër për shtyp lidhur me një çështje të tillë. Kreu i LSI-së shprehu keqardhjen e tij për një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse shprehu besimin se një çështje e tillë do të zgjidhet, për arsye se qeveria dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që t’i ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës që të luajë rolin e saj në Parlament, që të çojë përpara të gjitha pretendimet e saj “Ne besojmë në një ndërgjegjësim më të madh të lidershpit të opozitës, sepse një shtet ku nuk respektohet pavarësia e gjykatave , nuk mund të quhet një shtet demokratik, aq më tepër një shtet që ecën seriozisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, - u shpreh Meta nga Sllovenia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›