Shpreh besimin se ngërçi politik do kapërcehet
15/02/2010 Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta komenton situatën politike në vend
Shefi i diplomacisë merr mbështetjen e Sllovenisë për vizat dhe integrimin në BE
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka deklaruar nga Sllovenia, ku gjendet për një vizitë zyrtare, se kriza politike që ka mbërthyer Shqipërinë do të gjejë shpejt zgjidhje. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij slloven, ministrin e Jashtëm Samuel Zbogar, Meta u shpreh optimist për kalimin e këtij ngërçi politik. “Natyrisht, ne na vjen keq që ka një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse kemi besim se kjo çështje do të zgjidhet, për arsye se qeveria dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që t’i ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës që të luajë rolin e saj në Parlament, që të çojë përpara të gjitha pretendimet e saj . E vetmja gjë që ne nuk mund të bëjmë është të dalim mbi vendimin e gjykatave”, - nënvizoi Meta. Sipas tij, kjo situatë është e stisur nga opozita e majtë shqiptare. Duke iu përmbajtur qëndrimit të tij politik ndaj kërkesave të Partisë Socialiste dhe forcave të tjera politike në opozitë, Meta u shpreh se fundi i bojkotit të Parlamentit duhet të vijë pa hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. I pyetur nga gazetarët për zgjidhjen që do t’i jepte fund krizës, Meta tha se qeveria ka qenë gjithnjë e hapur për mundësitë ndaj opozitës që ajo të kthehet në Parlament, por gjithnjë duke respektuar vendimin e gjykatave. Shefi i diplomacisë i ka bërë apel liderit të opozitës të heqë dorë nga kërkesat që sipas tij rrezikojnë shkeljen e pavarësisë së gjykatave. “Ne besojmë në një ndërgjegjësim më të madh të lidershpit të opozitës, sepse një shtet ku nuk respektohet pavarësia e gjykatave , nuk mund të quhet një shtet demokratik, aq më tepër një shtet që ecën seriozisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, - tha Meta.
Liberalizimi vizave
Gjatë takimit që ministri i Jashtëm Meta pati me ministrin e Jashtëm slloven Samuel Zbogar theksi u vu në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe integrimin në Bashkimin Europian. Në njoftimin për shtyp të MPJ-së në qendër të bisedimeve ishin thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave dhe roli që dy vendet luajnë në rajon. Zbogar theksoi se Sllovenia mbështet fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën dhe shprehu bindjen se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt zonës “Shengen” brenda vitit 2010. Vetë ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një çështje dinjiteti dhe do t’i shërbente përshpejtimit të integrimit evropian.
Presidenti Danilo Turk
Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, ka deklaruar gjatë takimit që pati me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta se Shqipëri është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, mësohet se kreu i shtetit slloven u shpreh se përkushtimi politik i Sllovenisë ndaj Shqipërisë do të mbetet i fortë dhe se ky përkushtim duhet të konkretizohet tashmë edhe në terma ekonomikë. Presidenti Turk theksoi nevojën e intensifikimit të kontakteve mes ministrive relevante, me qëllim që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të jetë më konkret dhe më real. Nga ana e tij numri dy i qeverisë dhe shefi i diplomacisë shqiptare tha se gjatë vizitës së tij në Ljublianë ka marrë sinjale të rëndësishme se marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë do të reflektohen së shpejti edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik. Meta tha se Shqipëria ofron shanse të mëdha për investitorët sllovenë, duke qenë se ajo u ka shpëtuar efekteve drastike të krizës globale ekonomike. Po ashtu ministri Meta ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën që Sllovenia vazhdon të ofrojë për Kosovën.
Kryeparlamentari slloven
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta gjatë vizitës së tij zyrtare në Slloveni është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Parlamentit Slloven, Pavel Gantar. Meta dhe Gantar diskutuan mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në mënyrë që ato të arrijnë të njëjtin nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Kryeparlamentari Gantar u shpreh se vizita e ministrit të Jashtëm Meta në Slloveni do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve në këtë drejtim. Gjithashtu Gantar shprehu mbështetjen e Sllovenisë për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar bindjen e tij se zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë drejt Ballkanit Perëndimor dhe pa vonesë. Shefi i diplomacisë, pasi shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë në Parlament, i shprehu kreut të Parlamentit slloven besimin se ky do të jetë një vit i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-sllovene dhe se hapja e ambasadës sllovene në Tiranë do të shërbejë shumë në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes, veçanërisht atij ekonomik.