E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Urim opozitës për më shumë dashuri për njëri-tjetrin”

15/02/2010  Partia Demokratike
Partia Demokratike ditën e djeshme ka gjetur një mënyrë të veçantë për t’u drejtuar mesazhin politik kundërshtarëve politikë. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, duke shfrytëzuar ditën e Shën Valentinit, u ka uruar opozitarëve shumë dashuri. “Sot (dje) është Shën Valentini. Dita në të cilën njeriu nderon dashurinë e tij për shokun, mikun, bashkëshortin, vëllanë, motrën, fëmijën, prindërit. Në këtë ditë na duhet të shprehim keqardhjen se drejtuesit e opozitës shqiptare, në vend që t’ua kushtonin të dashurave dhe të dashurve të tyre, sërish ia kushtuan kryetarit të Partisë Demokratike dhe në vend të dashurisë së njeriut për njeriun zgjodhën Shën Valentinin për të shpallur protestat. Jam sot këtu në emër të kryetarit të Partisë Demokratike për t’u uruar drejtuesve të opozitës shqiptare më shumë dashuri për njëri tjetrin, për të dashurat dhe të dashurit e tyre”, - thuhet në deklaratën e djeshme të Partisë Demokratike. Kjo deklaratë vjen një ditë pas nisjes së negociatave me lidershipin e Partisë Socialiste për të gjetur zgjidhje të situatës së vështirë politike. Gjithashtu kjo deklaratë duket se ka si qëllim të thumbojë opozitën e majtë shqiptare, e cila ka theksuar se nuk lëviz nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›