E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të kërkojë falje, stimuloi politikisht shkeljen e ligjit në Jalë

Edhe Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT) komentoi deklaratën e Bankës Botërore

TIRANE - Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT), Sokol Olldashi, akuzoi dje opozitën se “po stimulon politikisht shkeljen e ligjit”.
Deklaratën e tij Ministri Olldashi e bëri në parlament, duke marrë shkas edhe nga deklarata më e fundit e Bankës Botërore, për prishjen e ndërtimeve në Jalë.
Ministri i PPTT-së e cilësoi të padenjë, sidomos për një anëtar të Kuvendit të Shqipërisë, që të hedhë baltë mbi shtetin e tij, pa asnjë lloj kujdesi. “Si mundet që një opozitë, në mënyrë kolegjiale, të ngrihet e të stimulojë shkeljen e ligjit në emër të luftës në parlament. Ju duhet të kërkoni falje për mënyrën se si e trajtuat projektin e Jalës”, deklaroi ministri Olldashi.
Ministri Olldashi i kërkoi opozitës që pas publikimit të këtij raporti, të kërkonte ndjesë për gjithë spekulimin e qëllimshëm ndaj anëtarëve të qeverisë.
“Ju akuzuat qeverinë për korrupsion në Jalë. Por, ashtu si pritej, raporti i BB-së thotë se ‘askush nga zyrtarët e qeverisë apo anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion’. Dhe pas kësaj ju duhet të kërkoni ndjesë”, u shpreh Olldashi duke iu drejtuar deputetëve socialistë.
Nga ana e saj opozita, nëpërmjet nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe akuzoi zyrtarë të qeverisë së seancën plenare të radhës për shkelje në projektin për jugun e vendit. Brace akuzoi qeverinë për mungesë serioziteti për projektin duke e quajtur të mbyllur çështjen. “Hetimi për projektin vetëm sa ka nisur”, tha Braçe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›