“Opozita të kthehet në Kuvend, të japë kontributin e saj në procesin e integrimit”

Deklaron ministri i Mbrojtjes Arben Imami
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, mazhoranca qeverisëse i ka cilësuar kundër akuzat e bëra dje nga kreu i PS Edi Rama, si shpifje dhe sulme të pabaza. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, gjatë fjalës së tij ka deklaruar se akuzat e bëra një ditë më parë nga kryeministri Berisha ndaj kreut të PS-së dhe deputetëve të tij, duhen marrë seriozisht. “Ne i dhamë kohe Ramës që të reflektonte, por ne sot pamë një kryetar të PS që sulmonte me akuza të shpifura. Faktet e paraqitura nga kryeministri kërkojnë hetim dhe jo reagim me akuza të pabaza”, ka theksuar Imami.
Sipas tij, me kërkesën e vazhdueshme për të hapur kutitë e votimit, Rama kërkon të dalë mbi vendimet e gjykatave, gjë që është tërësisht e papranueshme. “Edi Rama dhe burra e tij duan të kapërcejnë vendimet e gjykatave. Ligjet e Kodit Zgjedhor janë shkruar bashkërisht, duke krijuar mundësi dhe garanci të barabarta që pasi të mbyllet procesi zgjedhor, palët të mos i bëjnë zgjedhjet një agoni të pafund”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes Imami.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat ka përsëritur kërkesën e mazhorancës që opozita të kthehet në Kuvend dhe të japë kontributin e saj në procesin e integrimit. “T’i jepet fund bojkotit, ashtu siç kërkojnë edhe ndërkombëtaret. Le të hetohen zgjedhjet me një komision, por opozita duhet të kthehet në Kuvend në mënyrë që të kontribuojë në procesin e heqjes së regjimit të vizave”, tha ndër të tjera Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, gjatë seancës së djeshme parlamentare