Rama nxjerr “Këshilltarët e Hekalit” për të linçuar mediatikisht LSI-në
Me një kujdes të veçantë regjisorial, Edi Rama ka atakuar Ilir Metën nga selia e Bashkisë së Tiranës. Grumbulli i këshilltarëve të PS dhe PSD morën para kamerave pozat heroike të këshilltarëve të dikurshëm komunistë të Hekalit, duke vjellë vrer dhe premtuar hakmarrje për turpërimin e pardjeshëm të kryebashkiakut
Diana Çuli, e dënuara majtiste të luajë rolin e çapaçulit
TIRANE - Partia Socialiste dhe ajo Socialdemokrate kanë sulmuar ashpër Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke e akuzuar këtë të fundit për bashkimin e votave me të djathtën në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak ku u rrëzua me shumicë votash projektbuxheti i vitit 2009 paraqitur nga kryebashkiaku Edi Rama.
Zëdhënësja e këshilltarëve socialistë, Mimi Kodheli tha se “për Ilir Metën, njësoj si për Partinë Demokratike, nuk kanë rëndësi nevojat e shumta të qytetarëve që zgjidhen me buxhetin e rrëzuar mbrëmë, nuk kanë rëndësi rrugët, shkollat, kopshtet, qendrat sociale dhe lulishtet që përfshihen në financimin e këtij buxheti të rrëzuar me votat e tyre të përbashkëta, por ka rëndësi vetëm politika e vjetër e interesave të politikanëve që nuk e duan ndryshimin në të mirë të qytetarëve”, deklaroi Kodheli.
Në të njëjtën linjë me Kodhelin ka qenë dje deputetja socialdemokrate, Diana Çuli, e cila duket se dje ka qenë e dënuara politike e së majtës, që të luajë rolin e çapaçulit të segmenteve të Sigurimit të Shtetit. Ajo e ka cilësuar bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, si një veprim që cenon drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Tiranës.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PSD, theksoi dje se “nuk është hera e parë që LSI bashkon votat me PD-në, pasi në vitin 2005, LSI shkaktoi humbjen e shumicës parlamentare të së majtës, ndërsa tani shkakton humbjen e shumicës në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit”.
Grupi i Këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka shpjeguar nga ana e tij motivet se pse nuk votoi pro projektbuxhetit 2009.
Zëdhënësja e tyre, Monika Kryemadhi tha se LSI kishte kërkuar si fillim nga kryebashkiaku Rama një shpjegim të detajuar të realizimit të buxhetit të vitit 2008, çka nuk u pranua për shkak të mungesës së vetë këtij të fundit në mbledhje. “Në mbledhjet e Komisioneve të Këshillit Bashkiak, kemi kërkuar një transparencë më të madhe të mënyrës së hartimit të projekt-buxhetit 2009, procesin e marrjes së mendimeve nga drejtuesit e Njësive Bashkiake, të cilët kanë shprehur rezerva dhe kontestime të shumta mbi këtë projekt-buxhet, çka nuk është bërë as në mbledhjen e djeshme. Kemi kërkuar rritjen e fondeve për disa çështje të rëndësishme, sikurse janë ngrohja në shkolla e çerdhe, ngritjen dhe funksionimin e qendrave sociale për moshën e tretë, kategoritë në nevojë, paraplegjikët e tetraplegjikët, si dhe ngritjen e një thertoreje për qytetin e Tiranës, çka nuk ishte reflektuar as në mbledhjen e djeshme. Kemi kërkuar shkurtimin e shpenzimeve administrative dhe rritjen e fondeve për investime, veçanërisht në infrastrukturë, çka nuk ishte reflektuar në mbledhjen e djeshme”, deklaroi Kryemadhi, duke mohuar akuzat se Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkuar votat me Partinë Demokratike.
Më tej Kryemadhi theksoi se për këtë buxhet, LSI është konsultuar edhe me kryetarët e minibashkive.
“Nga 11 kryetarë të minibashkive, 7 prej tyre kanë qenë kundër këtij projektbuxheti. Pra, më shumë se gjysma, gati 65 për qind e qytetarëve të Tiranës, po ta quash si përfshirje në këtë gjë. Ne këtu kemi edhe dy kryetarët e minibashkive, propozime të LSI-së, për të konfirmuar edhe nga prezenca e tyre që në të gjitha diskutimet dhe debatet që ne kemi bërë me administratën e Bashkisë, sepse kemi vajtur me projekte konkrete, me investime konkrete, me zëra konkret dhe me aplikime konkrete”, theksoi ajo.
Me 26 vota kundër dhe 19 pro dhe katër abstenime Këshilli Bashkiak i Tiranës rrëzoi në mbledhjen e tij të ditës së hënë projektbuxhetin e kryebashkiakut Edi Rama për vitin 2009. Vetë kryebashkiaku Rama nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje për të mbrojtur buxhetin e tij, ndërsa mbledhja është shoqëruar me debate të ashpra kur përveç këshilltarëve demokratë, kanë qenë dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste 91 që kanë bashkuar votën kundër këtij projekti të shumëkontestuar që në muajin e kaluar.