E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në zonën ‘Schengen’, brenda pranverës së këtij viti”

Ministrat e BE shprehen në unison për liberalizimin e vizave

Shqipëria do firmosë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian brenda pranverës së këtij viti. Ky është konfirmimi i ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Europian, të cilët njëherazi sigurojnë se do të japin mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Këto i janë deklaruar ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili zhvilloi një vizite njëditore në Bruksel, ku u takua me ministra të brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve të BE, në kuadër të Këshillit të BE mbi çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë.
Ministri Basha zhvilloi takime me zëvendëskryeministren dhe ministren e ngarkuar me Politikat e Emigracionit dhe të Azilit të Belgjikës Joelle Milquet, ministrin francez të Identitetit Kombëtar dhe të Migracionit Eric Besson si dhe ministrin e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme Holandës Ernst Hirsch Ballin.
Ministri Basha zhvilloi një takim edhe me eurodeputeten sllovene Tania Fajon.
Në takimin e zgjeruar të Këshillit për Ballkanin Perëndimor, të përbërë nga 27 përfaqësuesit e vendeve anëtare në Bruksel, ministri Basha informoi mbi progresin e Shqipërisë në tre blloqet kryesore të kritereve për liberalizimin e vizave, sigurinë e dokumenteve të identitetit, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit.
Basha u bëri të ditur përfaqësuesve të vendeve anëtare se Shqipëria lëshon tashmë për qytetarët e saj dokumente identiteti të sigurisë më të lartë, sipas teknologjisë më moderne dhe standardeve më të larta të BE-së, zotëron një sistem modern të kontrollit kufitar, të unifikuar dhe të ndërlidhur me bazën e të dhënave të informacionit kriminal dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, dhe se bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe strukturave policore të vendeve të BE-së në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është në nivele të shkëlqyera dhe ka dhënë rezultate të dukshme.
Bazuar në këto arritje, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u kërkoi homologëve mbështetjen politike në momentin e marrjes së vendimit, duke theksuar se vonesat nuk i shërbejnë besueshmërisë së gjithë procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanin.
“Shqipëria ka bërë progres të shpejtë e të qëndrueshëm në plotësimin e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe krahasuar me tre vendet e Ballkanit Perëndimor që përfituan së fundi nga ky proces. është e rëndësishme që menjëherë pasi Komisioni të përgatisë raportin, dhe të paraqesë për mendim tek vendet anëtare, të ruhet ritmi i axhendës si me valën e parë të liberalizimit të vizave”, u shpreh Basha.
Ndërkaq, ministrat e BE-së vlerësuan progresin e bërë nga qeveria shqiptare dhe sidomos arritjet në fushën e sigurisë së dokumenteve dhe modernizimit të kontrollit të kufirit. Ata vlerësuan reformat e bëra në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe përafrimin e legjislacionit me BE-në në drejtim të azilit dhe migracionit si dhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale.
Ministrat për Drejtësinë dhe punët e Brendshme të vendeve të BE deklaruan mbështetjen e plotë për procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›