E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita t’i rikthehet debatit politik dhe të marrë përgjegjësi për integrimin

Zëvendëskryeministri Ilir Meta, deklaron para gazetarëve


Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, i bënë edhe një herë apel opozitës shqiptare, t’i rikthehet debatit politik në Kuvend dhe njëherazi të kontribuojë për procesin e integrimit të vendit. Gjatë një komunikimi me mediat, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, e konsideroi dorëzimin e Pyetësorit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, si një moment historik. Ai bëri thirrje për bashkëpunimin e të gjitha forcave politike, për finalizimin me sukses të proceseve të integrimit. “Opozita ka mjaft ekspertë që mund të japin kontributin e tyre. Besoj se opozita do reflektojë. Nuk e besoj se opozita do paraqesë si sukses së saj, mosfunksionimin e saj si një opozitë aktive parlamentare që përmbush detyrimet në këtë proces kombëtar. Opozita duhet të drejtojë komisionin parlamentar të integrimit europian”, u shpreh Meta. Zëvendëskryeministri shtoi se duhet thelluar bashkëpunimi në Parlament e jashtë tij për integrimin në Bashkimin Europian. Ai ka falënderuar ekspertët që kanë punuar në përgjigjet e Pyetësorit dhe theksoi se procesi i integrimit është i pandalshëm, ndaj i rëndësishëm është cilësia. “Ndërkohë që nuk mund të mos vlerësoj edhe deklarimet dhe vlerësimet shumë të qarta që Komisioneri Fule ka bërë për punën siç e vlerësoi ai, jashtëzakonisht të madhe të realizuar nga Shqipëria për t’iu përgjigjur Pyetësorit, por edhe për punën dhe progresin shumë të madh të bërë në çështjen e plotësimit të kushteve dhe të standardeve për liberalizimin e vizave. Gjë që u konfirmua po dje në Bruksel pas takimit me Ministrin tonë të Brendshëm Basha edhe nga Komisionerja përgjegjëse për çështje të cilat kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, Malmstrom”, u shpreh më tej Meta. Lidhur me një tjetër çështje të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave, Meta deklaroi se Shqipëria ka përmbushur kriteret dhe do të marrë shumë shpejt aprovimin e Komisionit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›