E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita, ultimatum Presidentit

 Aristir LumeziOpozita i lë një javë afat Presidentit Topi për tryezën e radhës, në të kundërt, nisin protestat. Kryetari socialist Edi Rama mblodhi dje kryetarët e partive aleate, të cilët i informoi rreth tryezës së Presidentit Topi, ku ai dhe kryeministri Berisha shkëmbyen qëndrimet e tyre për zgjidhjen e krizës. Por aleatët, kryesisht kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i ka kërkuar Edi Ramës caktimin e datës së protestës së madhe që ishte parashikuar të zhvillohej në fund të shkurtit në Tiranë. Ky ka qenë momenti që në takimin e djeshëm të ndizej një debat, i cili nuk ndodh shpesh në këtë tryezë, ku Rama ka argumentuar domosdoshmërinë e lënies së një afati deri në shpalljen e datës së protestës. Burime brenda tryezës së djeshme, thanë se kryetari socialist ka kërkuar që t'i lihet një afat Presidentit Topi, i cili është duke punuar për të organizuar tryezën e dytë, mes Ramës dhe Berishës. Kreu i PS ka argumentuar se shpallja e datës së protestës do të ishte një minim i tryezës së dialogut të nisur nga Presidenti Topi. Ndërsa Ngjela ka qenë më radikal në qëndrimin e tij, duke kërkuar që bashkë me pritshmërinë e tryezës së ardhshme të Presidentit, data e protestës vetëm do ta nxiste më tepër Topin dhe Berishën që të jepnin një përgjigje për kërkesat e vëna nga opozita, për hetimin e kutive. Ngjela ka këmbëngulur që nga takimi i djeshëm të dilej me një datë të fiksuar për protestën e madhe, që opozita ka parashikuar të organizojë në Tiranë, nëse negociatat në tryezën e Presidentit dështojnë. Në fund të takimit, të gjithë ranë dakord që Presidentit të Republikës t'i lihej një javë kohë, që të fiksonte tryezën e radhës, vetëm në nivel kryetarësh dhe jo me ekspertë, siç ka pretenduar Kryeministri Berisha. Në të kundërt sipas drejtuesve të partive opozitare, do të vazhdohet të kërkohet transparenca e zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit në sheshet e protestave. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm kryetari i PDS, Paskal Milo, kreu i G99 Erion Veliaj, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, kryetari i PLiDr, Spartak Ngjela, ish deputeti i PD-së, Preç Zogaj dhe ish nënkryetari i LSI-së, Ndre Legisi. Aleatët i kanë kërkuar Edi Ramës që të bëjë publike tryezën e Presidentit, në mënyrë që të rrisë transparencën e saj dhe të mos akuzohet në të ardhmen për një negociatë për interesa personale. Ndërkohë mësohet se përfaqësuesit e djathtë të opozitës do t'i kërkojnë një takim Presidentit Topi për të dhënë dhe ata mbështetjen e tyre kërkesës së Edi Ramës për hapjen e kutive, nisur dhe nga faktet që PDK i ka depozituat në Prokurorinë e Përgjithshme.Milo: Topi në derën e Presidentit TopiI drejtpërdrejtë në qëndrim ishte dje Paskal Milo, kreu i Partia Demokracia Sociale. "Nuk ka bisedë të drejtpërdrejt ditët e ardhshme midis dy liderëve. Por tashmë topi është në zyrën e Topit. Unë gjej rastin t'i bëj thirrje Presidentit të respektojë të drejtën kushtetuese për hapjen e kutive. Kjo nuk do të jetë një favor që dikush mund ta interpretojë se Presidenti po i bën opozitës", tha Paskal Milo, nga Partia Demokracia Sociale duke shtuar se "Presidenti i Republikës do të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të respektojë opozitën dhe të drejtën e saj kushtetuese. Presidenti do të jetë garant për t'u mbledhur në tryezë tjetër dhe me verdiktin e tij do të respektojë të drejtën e opozitës dhe mbi të gjitha të ardhmen e Shqipërisë në BE". Sipas tij, zoti Rama na informoi rreth takimit të djeshëm të realizuar në Presidencë me zotin Berisha dhe na tha se i ka parashtruar në emër të opozitës të gjitha qëndrimet tashmë të njohura, me synimin konstruktiv për të gjetur një zgjidhje.Ngjela: Duhet fiksuar protesta"Për të vetmen çështje për të cilën unë u ndava disi nga tryeza dhe zoti Rama është caktimi i datës së protestës së madhe. Tryeza ra dakord se data do qëndrojë si çështje e padiskutueshme, por për faktin se mund të shkaktojë shqetësim për tryezën do të mblidhemi të caktojmë datën kur të shohim që tryeza nuk vlen. Nuk ka bisedime në nivel ekspertësh. Ekspertët fillojnë kur do të fillojnë të bëjnë modalitetet e hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Përderisa kjo nuk është vendosur, s'ka pse të ketë ekspertë", u shpreh kreu i PLiDr.Veliaj: Presidenti duhet të vendosë"Tani i takon Presidentit të vendosë. Sot Presidenti ka barrën më të madhe të vendosë drejtësi. I kërkojmë zotit Berisha të filloj të dashurohet me transparencën jo me vjedhjen, me drejtësinë dhe jo me korrupsionin. Besoj që është e kotë të kemi negociata deri në pafundësi, sepse do kthehet në lojë bajate. Sot insistuam që pas negociatave të tjera, ajo që ofron zoti Berisha është krijimi i një grupi pune, ku sipas asaj shprehjes së famshme, se nëse nuk do ta zgjidhësh një gjë, fillo dhe krijo grup pune për çdo punë", u shpreh kreu i G99.Ndoka: Kodi PS-PD na futi në krizë"Shkelja e Kodit Zgjedhor e zotit Berisha pikërisht me atë marrëveshje me PS, ku pakica, dy anëtarët e KQZ të hapin kutitë, është e vetmja pengesë që ka zhytur vendin në krizë. Sot opozita s'ka kërkesa ndaj maxhorancës, nuk ka një listë kërkesash, por kërkon transparencën e zgjedhjeve, është kushtetuese, e drejtë e çdo qytetari dhe force politike për ta bërë një gjë të tillë. Opozita nuk ka një listë kërkesash, por kërkon transparencën e zgjedhjeve, kjo është e drejtë e çdo qytetari për ta pasur një gjë të tillë", theksoi kreu i PDK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›