Opozita vuri në presion kandidatët - Bujar Nishani, i pakontestuar
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi flet pas zgjedhjes së Presidentit
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi gjatë një interviste televizive se, opozita shantazhoi kandidatët për Presidentit. Sipas deputetit demokrat, Artan Hoxhën dhe Xhezair Zaganjorin i detyruan të njëjtët njerëz të tërhiqen.
Ai tha gjithashtu se mazhoranca nuk zgjodhi rrugën më të shkurtër për zgjedhjen e Presidentit, por zgjodhi një proces negociatash brenda saj dhe me opozitën, në mënyrë që të arrinte konsensusin. “Ne patëm dy shkrepje boshe dhe e treta ngjiti, që do të thotë ishim të përgatitur edhe Zaganjorin dhe Hoxhën, që ishte një nga të propozuarit e tryezës së fundit me PS. Nëse kandidaturat do të shkonin në seancë do të merrnin të njëjtat vota që mori edhe Nishani. Bjeri gjatë se të del shkurt, megjithëse hoqëm dorë nga kandidaturat politike, ne sërish mbërritëm në një kandidaturë të tillë. Kjo jo për dëshirën tonë, sesa për mënyrën aspak luajale me të cilën opozita u përfshi në proces. Nuk ka asnjë konspiracion dhe as tentativë komplotiste për të ardhur në një zgjidhje që është më afër mazhorancës. Nuk ka pasur skenar dhe as konspiracione për zgjedhjen e Presidentit. Ne provuam që hymë në proces me dëshirën e mirë që në zgjedhje të përfshihet edhe opozita. Mos prisni prej meje që unë të futem në detaje të një historie të pakëndshme, e cila prej meje është iniciuar politikisht nga të njëjtët njerëz, nga të njëjtat segmente që detyruan Zaganjorin të tërhiqej nga gara. U përdor e njëjta artileri për të krijuar një traumë në procesin e zgjedhjes së presidentit”, tha Patozi.
Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme ishin vite dritë larg. Patozi tha se posti i Ministrit të Brendshëm i takon PD-së. Sipas Patozit, vota kundër Nishanit ka qenë ajo e Gazmend Oketës, pasi sipas tij, Dule dhe Islami kanë dorëzuar një fletë të pavlefshme.
Gjithashtu, Patozi tha se mazhoranca refuzoi kandidaturën e Sandër Lleshit pasi nuk donin që vendi të bëhej një republikë ushtarake. Gjithashtu, Patozi vuri në dukje se lideri i së majtë, Fatos Nano nuk kishte asnjë shans të bëhej president konsensual.