Të majtët kundra Europës
E majta më shumë se kurrë po kërcënon Europën. Vitet e sakrificave të shumta, për të arritur tek Bashkimi Europian dhe pastaj tek monedha e përbashkët euro, ndoshta mund të shkojnë mjerisht, edhe dëm. Rreziku është real. Edhe në takimin që krerët e shteteve dhe qeverive do të kryejnë në fund të muajit do të flitet për Europën dhe krizën e saj. Kërcënimi më i afërt vjen nga radikalët e majtë grekë. Deklarata të shumta që bëhen kryesisht për efekte zgjedhore por që ndërkaq kanë rritur së tepërmi pasigurinë. E vërteta është se sa më shumë po afrohet data e zgjedhjeve aq më shumë po shtohet dhe pasiguria në shtetin fqinj. Vetë grekët tashmë prej kohësh janë duke tërhequr depozitat nga bankat e tyre. Por këto ditë ky fenomen është gjithnjë në rritje. Pjesa më e madhe i janë drejtuar bankomateve ndërsa të tjerët duke u paraqitur në sportelet e bankave. Sipas të dhënave që japin vetë bankat greke depozitat në dalje nga bankat më kryesore kanë arritur në 500 – 800 milionë, ndërsa në tërësi shifra arrin në 72 miliardë të tërhequr që prej tetorit të vitit 2009, në një kohë kur në arka ndodhen akoma “vetëm” 171,5 miliardë euro. Në të njëjtën kohë edhe bankat ndërkombëtrae po pregatiten për skenarë të vështirë. Një ndër këto banka është padyshim Credit Agricole e cila është e pranishme në Greqi me filialen e saj Emporiki, banka e gjashtë në Greqi për nga rëndësia. Sipas analistëve europianë nëse vendi fqinj i Greqisë do të dilte prej zonës euro kjo bankë do të humbte rreth 5,2 miliardë euro. Të gjitha këto sepse e majta radikale kërkon të mos njohë Memorandumin me kreditorët, ndërsa sondazhet hera - herës e japin si favorite në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht një fitore ë të majtës radikale greke do të sillte shumë pasoja të rënda sepse Memorandumi i firmosur mes Greqisë, Bashkimit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qëndrore Europiane mund të bllokojë huanë prej 130 miliardë eurosh për të cilat vendi fqinj ka shumë nevojë. Në një kohë kur nga ana tjetër arka e shtetit nuk mund të garantojë më rrogat dhe pensionet e punonjësve publikë deri më datën 20 korrik. Duket se kalimi tek dhramia do të jetë i shpejtë. A do të ketë një efekt domino? Sepse situata nuk është nga më të mirat edhe për Italinë. Për këtë është i ndërgjegjshëm edhe Mario Monti. “Është e qartë se nëse duhen kontakte me Europën për interesat dhe objektivat tona, duhet të ndërtohen në një situatë europiane të komplikuar dhe një situatë italiane të forcuar krahasuar me atë të disa muajve më parë” – ka nënvizuar presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti, për të vazhduar se: “Jemi shumë të qetë për mënyrën sesi Italia paraqitet në skenën ndërkombëtare dhe në tregjet ndërkombëtare”. Qeveria italiane është përqëndruar më së shumti tek rritja ekonomike. Ajo që trubullon më tepër tregjet financiare është rritja e pakët. Por nëse tregjet paraqesin shqetësim edhe shtypi botëror nuk duket se po injekton qetësi. “Ekonomia italiane është në grahmat e fundit”, - shkruante të martën Wall Street Juornal ndërsa Mario Monti po fliste për krizën në Eurozonë në Pallatin e qeverisë. Në një edicion tjetër të saj e njëjta gazetë ndërsa i kushtonte presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti faqen e parë, në artikullin e saj, shpjegonte përfundimin “e muajit të mjaltit mes italianëve dhe presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Montit”. Pak orë më vonë, Financial Times kishte një artikull tjetër për Italinë ku trajtohej gjërësisht kriza e vendit fqinj. Natyrisht shtypi italian është përgjigjur duke vënë theksin në euroskepticizmin britanik por në të njëjtën kohë është vënë në dukje se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, po ndjek me ankth zhvillmin e krizës së Eurozonës. Natyrisht për SHBA është një shqetësim i madh që partneri kryesor i saj është në krizë. Një partner që kërkon të ngrejë një tjetër bashkim të madh shtetesh që do të quhej Shtetet e Bashkuara të Europës, gjithmonë nëse e majta europiane nuk do të kishte kundërshtime Ndërkaq sipas statistikave të Eurostat për vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Europës kanë një Gdp më të madhe në mënyrë absolute. Me një rritje vjetore që është pak a shumë e bararbartë me +1,5%, për Europën dhe 1,7%, për SHBA. Gjithmonë sipas Eurostatit, Europa ka një debi publike inferiore sepse SHBA kanë një debi baraz me 114,32 të Gdp ndërsa Europa arrin në 82,5%. Nga ana tjetër Europa me një popullsi prej 502 milionëshe kundër 313 të SHBA është përpara edhe për eksportet e saj me 1.914 miliardë dollarë përkundrejt 1.473 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.