“Opozitën s’e pengon askush të ngrejë komision hetimor”

Reagimi i kryeministrit Berisha
Në një reagim zyrtar publik, dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë akuzat e Partisë Socialiste për trafik armësh nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas kryeministrit, akuzat për trafikim armësh apo edhe për përgjim të deputetëve të opozitës, nga dikasteri në fjalë, janë aktrime mediatike si pasojë e sindromës së obsesionit të kryetarit të saj, Edi Rama.
“Kjo mazhorancë nuk pengon dhe nuk mund të pengojë asnjë nismë të vetme të Parlamentit. Parlamenti ka rregulloren dhe ligjin mbi të cilin ndërmerr veprimet. Shqiptarët duhet ta dinë se në protokollin e parlamentit nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e vetme nga opozita për një komision hetimor parlamentar. Këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi por teatralitetit për të njollosur një institucion shumë të rëndësishëm dhe të respektuar të vendit. U intereson të shpifin pa baza se po bëhet trafik armësh. Ju garantoj që nuk ekziston qoftë një fishek i shitur nga ky vend, procedurat për eksportimin e armëve janë tërësisht transparente. Kush i pengoi këta të paraqesin kërkesë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar?”, u shpreh kryeministri në reagimin e tij të parë për një çështje të tillë.