E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozitës në Shqipëri i është bërë e ditur se debati zhvillohet brenda institucioneve”

Eurodeputetët, të gjithë kundër bojkotit të PS

Parlamenti Evropian është shprehur dje njëzëri kundër bojkotit të opozitës në Shqipëri. Përmes një seance të mbajtur nga Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Evropian, është diskutuar për situatën politike në Shqipëri, duke u ndalur ngërçi politik, si pasojë e bojkotit të Kuvendit nga Partia Socialiste.
Debati lindi pas paraqitjes së një projekt-rezolute nga raportuesi Nikolaos Chuntis, eurodeputet grek. Ai u kritikua ashpër si nga e majta ashtu edhe nga e djathta brenda PE-së.
Pothuajse të gjithë eurodeputetët janë në një mendje që zgjidhja e ngërçit politik duhet të bëhet nëpërmjet institucioneve.
“Zgjidhja për situatën duhet të gjendet në kuadër të institucioneve demokratike dhe të gjitha partitë duhet të pranojnë rezultatin”, u shpreh kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan.
Deklarata është pasuar nga ajo e raportuesit Chuntis, i cili ka deklaruar se nuk duhet t’u tregohet njerëzve se si të veprojnë.
“Unë nuk mendoj se ne jemi këtu për t’i vënë gishtin e për t’i treguar njerëzve si ta bëjnë. Kjo nuk do të pranohej në qarqet e politikanëve të përfshirë në këtë problem. Nëse japim një qëndrim pro njërit apo tjetrit, kjo do të shfrytëzohej si avantazh”, u shpreh ai.
Më e ashpër ishte eurodeputetja, Doris Pack, e cila ka deklaruar se opozita shqiptare duhet t’i bëhet e qartë se protestat në rrugë nuk janë rruga e duhur dhe një mënyrë demokratike për zgjidhjen e ngërçit.
Pierre Mirel, drejtor për zgjerimin me Ballkanin në KE, tha se opozitës shqiptare i është bërë e qartë që debatit duhet të bëhet brenda institucioneve.
“Një nga kriteret themelore politike të Kopenhagenit është siç e dini funksionimi efikas i institucioneve demokratike, dhe nuk është ky rasti për Shqipërinë ku prej 9 muajsh parlamenti nuk funksionon. është më se e qartë që në do ta marrim parasysh këtë fakt gjatë shqyrtimit të kandidaturës së Shqipërisë. Mesazhi i Komisionit ka qene i qartë, se pari debati politik duhet të behet në Parlament e jo në rrugë. Jam dakord me zonjën Pack këtu, por së dyti, prej më se 9 muajsh që nuk funksionon parlamenti, qeveria dhe opozita duhet të bëjnë çdo përpjekje për të gjetur dialogun konstruktiv politik. Te gjendet rruga mes dy principeve, respektimi i Kushtetutës por dhe nevojës për transparence. E se fundi, pas zgjedhjeve te fundit, OSBE/ODIHR shpërndau raportin ku thuhet se ka ende parregullsi, dhe është e rëndësishme që ato të adresohen përpara zgjedhjeve lokale”, deklaroi më tej, Mirel.
Nuk është hera e parë që institucionet e Bashkimit Evropian reagojnë për lëvizjet absurde të opozitës në Shqipëri. Edi Rama ka muaj të tërë që silurohet nga ndërkombëtarët, aq sa është bërë i padurueshëm, duke u vetë eliminuar nga axhendat e takimeve me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Më e freskëta për këtë është shmangia që i bëri kreu i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, i cili edhe pse u takua me të gjithë përfaqësuesit e qeverisë dhe politikës, hoqi nga axhenda takimin me Edi Ramën. Arsyetimi i tij ishte shumë i logjikshëm dhe racional: “Edi Rama nuk takohet se nuk është në parlament”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›