E Shtunë, 31 Tetor 2026

Optimist për Tottenhamin

Ylli i Tottenhamit, Gareth Bale beson se ekipi nuk është larg të fitojë Premierligën, e madje edhe Ligën e Kampionëve. Mesfushori uellsian thotë se skuadra ka fituar përvojë nga pjesëmarrja e sivjetme në garën elite të klubeve evropiane dhe do të synojë përmirësime të mëtutjeshme. Sa u përket spekulimeve rreth të ardhmes së tij, ai insiston se është i lumtur në White Hart Lane. Nga Express më 17 prill 2011 në ora 12:25

Ylli i Tottenhamit, Gareth Bale ka shpresa të larta për ekipin dhe beson se së shpejti ata mund të bëhen kampionë të Anglisë dhe të Evropës.

Mesfushori uellsian mendon se skuadra nga White Hart Lane nuk është larg të lërë gjurmë të suksesit në futbollin anglez dhe atë evropian.

Tottenhami synon të kualifikohet për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve për vitin e dytë me radhë dhe Bale beson se klubi nga veriu i Londrës ka fituar përvojë të dobishme nga pjesëmarrja e tyre në edicionin e sivjetmë të garës, gjatë të cilit arritën deri në çerekfinale, por u eliminuan nga gjiganti spanjoll Real Madridi. Tani, ata do të përqendrohen në Premierligë, ku në fazën përfundimtare të sezonit do të takohen me Chelsean, Manchester Cityn, Liverpoolin dhe Arsenalin.

“Nuk mendoj se jemi larg nga triumfi i një gare si Premierliga ose Liga e Kampionëve, por na duhet vazhdimësia”, tha Bale për të përditshmen angleze, The Independent.

“Jemi të rinj në Ligën e Kampionëve dhe përvoja nga ky edicion do të na shërbejë mirë nga ana e përvojës. Do të vazhdojmë të përmirësohemi, jemi ekip i ri që do të mësojë nga kjo përvojë. Tani na pret një orar mjaft i vështirë në Premierligë, por duhet t’i mposhtim ekipet që janë mbi ne, kjo do të jetë e mirë për ne dhe fatin do ta kemi në duart tona. Duhet të fitojmë çdo ndeshje. Do të luajmë për fitore. Ne të gjithë e dimë se jemi në gjendje t’i mposhtim të gjitha ekipet e tjera. I kemi mposhtur gjithë sezonin e kaluar dhe nuk kemi arsye pse të mos besojmë se mund të nxjerrim pikë të plota kundër tyre edhe tani. Kemi futbollistë të aftë për të shënuar gola, nuk kemi frikë nga askush”, vazhdoi Bale.

21-vjeçari disa javë më parë gjatë një interviste për mediet spanjolle kishte thënë se do t’i pëlqente që një ditë të luajë jashtë Anglisë duke zgjuar spekulime të shumta rreth të ardhmes së tij. Por, Bale i cili së fundmi nënshkroi kontratë të re me Tottenhamin deri më 2015, ka insistuar se është i lumtur në klub. “Jam i lumtur këtu në Tottenham dhe nuk jam i përqendruar në asgjë tjetër”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›