Optimist për njohje nga Nigeria
(E plotësuar) Pas takimeve me Presidentin dhe zëvendëspresidentin e Nigerisë, zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Nigerisë, Martin Ukomoibhi.
Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, Pacolli e ka njoftuar ministrin e Jashtëm të Nigerisë, për progresin demokratik të arritur në Kosovë në vitet e fundit, dhe opinionin e GJND-së rreth shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Ai ka theksuar se ky opinion duhet të jetë edhe një arsye më shumë që të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, të marrin sa më shpejtë vendim për të pranuar realitetin e ri në Kosovë, realitet ky që buron nga vullneti i qytetarëve të vendit për liri dhe pavarësi.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Nigerisë, Martin J. Ukomoibhi, ka shfaqur opinion pozitiv për njohjen e Republikës së Kosovës, duke shprehur në të njëjtën kohë kënaqësinë që për herë të parë në historinë e shtetit të tij, ka pasur rastin që të takoj zyrtarisht në Republikën Federale të Nigerisë, përfaqësues të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai është shprehur optimist se ky takim do të hapë rrugë në procesin e krijimit të raporteve të fuqishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ministri, z. Ukomoibhi, ka garantuar se do të angazhohet bashkërisht me autoritetet e tjera të Nigerisë për të përshpejtuar procesin e formalizmit të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij.
Pacolli vazhdon lobimin në Maroko
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve për njohje të reja për Kosovën, sot do të udhëtojë për në kryeqytetin e Marokos, në Rabat, ku do të zhvillojë takime me Përfaqësuesit e Mbretërisë së Marokos, Kryetarin e Parlamentit dhe Ministrin e punëve të Jashtme të këtij vendi.
Baci në Presidencë të Nigerisë
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës ka takuar në Republikën e Nigerisë, Shkëlqesinë e tij, Presidentin, z. Goodluck Jonathan dhe Zëvendëspresidentin, z. Namadi Sambo.
“Në një pritje shtetërore në Pallatin Presidencial në Abuja, zv.Kreyeministri, z. Behgjet Pacolli ka shprehur mirënjohjen e thellë për Presidentin Nigerisë dhe për autoritetet shtetërore të këtij vendi për trajtimin me prioritet që po i bëjnë çështjes së Kosovës, duke krijuar hapësirë që të diskutohet për realitetin e ri demokratik në Kosovë dhe për të shprehur nevojën që ka vendi unë për njohje të reja. Z. Pacolli ka njoftuar Presidentin dhe zv.Presidentin e Nigerisë për zhvillimet demokratike në Kosovë dhe për angazhimet e institucioneve të Kosovës për zhvillim ekonomik, integrim dhe bashkëpunim me vendet e tjera”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Pacollit.
“Shkëlqesia e tij, Presidenti i Nigerisë, z. Goodluck Jonathan ka falënderuar, zv.Kryeministrin, z. Pacolli për urimin e bërë me rastin e zgjedhjes së tij në krye të shtetit të Nigerisë, në Maj 2011, duke e vlerësuar lartë respektin e treguar me këtë rast”, vazhdon komunikata.
Presidenti i Nigerisë z. Goodluck Jonathan ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Republika e Nigerisë të vendosë sa më shpejtë raporte të bashkëpunimit ndërshtetërorë me Kosovën, duke theksuar se vendi që ai drejton, në një periudhë sa më të shkurtër kohore, do të marrë vendim për të njohur shtetësinë e Kosovës.
“Zv.Kryeministri i parë i Kosovës, z. Pacolli, ka vlerësuar lartë gatishmërinë e Presidentit, z. Jonathan që Republika e Nigerisë sa më shpejtë të iu bashkohet vendeve demokratike që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar kështu mundësinë që vendi ynë të vendosë raporte të bashkëpunimit ndërshtetëror me Nigerinë në fushën Politike, Ekonomike e Kulturore”.
Gjatë qëndrimit në Nigeri në kuadër të angazhimeve lobuese, zv.Kryeministri i parë i Kosovës, z. Behgjet Pacolli ka takuar më herët edhe Kryetarin e Parlamentit të Nigerisë njëherit edhe Kryetar i Komisionit për Politike te Jashtme Dr. Barnabas A.I. GEMADE.
Zv.Kryeministri, z. Behgjet Pacolli ka folur gjerësisht për situatën politike e ekonomike në Kosovë, duke theksuar sfidat që ka kaluar vendi ynë gjatë periudhës së shtet-ndërtimit. Z. Pacolli ka theksuar edhe rëndësinë që ka opinioni pozitiv i GJND’së për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Kryeparlamentari, z. Barnabas A.I. Gemade, ka premtuar se në kuadër të mbështetjes dhe angazhimeve të autoriteteve të Nigerisë për të formatizuar njohjen e Kosovës, do të iniciojë një Rezolutë në Senatin e Nigerisë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast Kryeparlametari i Nigerisë ka shtruar drekë pune per zv.Kryeministrin e Parë të Kosovës.