E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buja: Në Evropë, pa imituar të tjerët

Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 15:54

Në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë është mbajtur debati me temën “Evropa mes teje dhe meje”, organizuar nga Forumi “Weltoffen International”.

Sipas organizatorëve, iniciativa synon paraqitjen e vizioneve nga kosovarët, 12 vjet pas mbarimit të luftës si dhe 3 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Debate të kësaj natyre janë organizuar më herët në Vjenë, Athinë, Tiranë, Beograd, Pogradec, Uells dhe në vende të tjera.

“Qëllimi është që të tregohet se Kosova është shtëpia e përbashkët për të gjithë ata që shikojnë të ardhmen e tyre në integrimin në familjen evropiane. Aktivitete e tilla në Prishtinë, por më vonë edhe në Mitrovicë kanë për qëllim edhe të prezantojnë zhvillimet në Kosovë si dhe rëndësinë që ka vendi ynë në kontekstin rajonal ballkanik si dhe të ardhmen në bashkësinë evropiane”, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Arsimit, e cila e mbështet iniciativën.

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Ramë Buja, i cili mori pjesë në debat, ka theksuar se ende janë pesë vende evropiane që po hezitojnë ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës. “Por unë besoj se kjo gjë shpejt do të korrigjohet dhe do të integrohemi edhe politikisht, por edhe në rrafshin kulturor... Ne ende nuk jemi në pozicionin e dëshiruar, por të integruar në rrafshin kulturor e arsimor, por synimet tona janë që të ecet me vlerat tona pa imituar të tjerët, andaj them se do të integrohemi kur të jemi vetvetja, pa imituar të tjerët, pra ne nuk mund të jemi me evropianë se evropianët”.

Më tutje, ministri Buja ka shpalosur synimin që të ndahen më shumë bursa për të rinjtë kosovarë, për studime jashtë vendit, ashtu që këta djem dhe vajza të sjellin kulturën e punës e të dijes nga vendet e zhvilluara. “Mandatin e tashëm e kam shpallur mandat të cilësisë në arsim. Besoj se do të hyjmë si vlerë në Evropë. Këtë po e bëjmë çdo ditë, por jo me kapacitetin e dëshiruar”.

Në debat morën pjesë edhe Hannes Swoboda, eurodeputet dhe kryetar i grupit parlamentar S&D në Parlamentin Evropian, Robert Wright, drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Lirak Çelaj, Drejtor i Teatrit Oda ne Prishtinë e personalitete të tjera.

Në fjalën e tij, Swoboda u shpreh se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe se integrimi i saj në Evropë do të ndodhë herët a vonë, siç po ndodhë së fundi me Kroacinë. Ai përmendi rëndësinë e zhvillimit të demokracisë në Kosovë si dhe rëndësinë e arsimit dhe të edukimit të brezave të rinj, të cilët duhet të jenë të aftë të përballen me sfidat e jetës dhe te marrin përgjegjësitë. Në këtë kontekst Swoboda mori shembull Greqinë, e cila po ballafaqohet me krizë e njohur tashme dhe një nga shkaqet përmendi mungesën e trajnimeve të mirëfillta të mësimdhënësve në këtë vend .

Debatin e moderoi Fate Velaj - kryetar i Forumit “Weltffen International”, i cili njëherësh foli për qëllimin dhe rëndësinë e zhvillimit të këtyre debateve në qendra të ndryshme të Evropës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›