E Shtunë, 31 Tetor 2026

Optimizmi i Obamës

Siç pritej, gjatë konventës së Partisë Demokratike, presidenti amerikan, Barack Obama, pranoi të enjten mbrëma nominimin e partisë për kandidat presidencial në zgjedhjet e ardhshme amerikane për president të vendit. Nga fjalimi i tij i parë si kandidat zyrtar presidencial mund të konkludohej se, përkundër vështirësive aktuale ekonomike, Obama vazhdon të mbetet optimist.

Vija udhëheqëse e fjalimit të tij ishte pikërisht theksimi i dallimeve të pikëpamjeve politik të tij dhe të Partisë Republikane. Pastaj, njësoj siç ndodhi edhe në vitin 2008, edhe kësaj radhe temë kryesore e fjalimit të presidentit Obama ishte “shpresa”. Me të vetmin dallim se, kësaj radhe kjo fjalë, që doli nga goja e presidentit Obama, nuk tingëlloi as përafërsisht bindshëm sa katër vite më herët, kështu që, tani, të gjithë atë sikur e shikojnë me njëlloj fusnote.

Gjatë fjalimit të tij, Obama kaloi nëpër një sërë temash, duke filluar nga familja e deri tek kolegët e tij të afërm, dhe nga politika e jashtme e deri te strategjia tatimore e republikanëve. Pë të kuptuar më mirë se për çfarë foli presidenti aktual amerikan, në vazhdim po sjellim disa prej citateve më mbresëlënëse nga fjalimi i tij.

“Michele, të dua shumë. Mendoj se në natën e parmbrëmshme i gjithë vendi

u bind se sa i lumtur që jam. Malia dhe Sasha, ne të dy jemi shumë krenarë në ju. Dhe, po! Në mëngjes duhet të shkoni në shkollë. Joe Biden, të falemnderit që ishe zëvendëspresident më i mirë, sesa që unë kam shpresuar ndonjëherë”.

“Problemet e këtij kombi janë grumbulluar për decenie me radhë, andaj ato nuk mund të përmirësohen menjëherë. Por, kur të merrni fletëvotimin në duar, ju do të përballeni me zgjedhjen më të qartë të kësaj gjenerate”.

“E vërteta shpeshherë mbetet e bllokuar nën një ortek të tërë të parave dhe shpalljeve. Por, nëse jeni mërzitur nduke më dëgjuar teksa e përsëris këtë porosi, atëherë më besoni se jam mërzitur edhe unë!”

“Republikanët mund të ofrojnë recetën e njëjtë me atë që e ofronin gjatë 30 viteve të fundit; Keni tepricë? Provojeni uljen e tatimeve. Deficiti është i lartë? Atëherë, rriteni atë. Po vjen dimri? Merrni pra dy lehtësime tatimore, shmangni rregullimin, dhe na thërrisni në mëngjes”.

“Rrokaqiejt e ri po ngriten mbi qiellin e New Yorkut, Al-Qaeda është në rrugëtim e sipër drejt shkatërrimit, ndërkaq Osama bin Laden është i vdekur”.

“Nuk jeni të përgatitur për një diplomaci me Pekinin, po qe se nuk jeni të aftë që t’i vizitoni Lojërat Olimpike pa e ofenduar aletin tuaj më të afërm”.

“Në qoftë se nuk mund t’ia lejoni vetes nisjen e një biznesi personal, ose nisjen e studimeve, atëherë dëgjojeni këshillën e kundërshtarit tuaj, dhe ‘huazoni pak para prej prindërve’. A e dini çka? Këta nuk jemi ne. Kjo nuk është ajo që përfaqëson Amerika”.

“Zgjedhjet e para katër viteve nuk ishin për mua. ishin për ju. Të dashur bashkëvendës – Ju ishit ndryshimi”.

“E di që kohërat kanë ndryshuar që prejse kam folur për herë të parë në këtë konventë. Kohërat kanë ndryshuar, dhe edhe unë bashkë me to. Më nuk jam vetëm kandidat. Tani jam edhe president”.

“Po qe se hiqni dorë, dhe nëse gjunjëzoheni para cinizmit dhe tezës se ndryshimi për të cilin luftuam nuk është i mundur, atëherë ndryshimi as që do të ndodhë”.

“Po, rruga jonë është më e vështirë – por, ajo çon drejt një vendi më të mirë. Rruga jonë është më e gjatë, por atë po e kalojmë bashkërisht. Nuk po kthehemi prapa. Nuk po e lëmë askënd pas nesh, por njëri-tjetrin po e shtyjmë përpara. Nga fitoret po e nxjerrim forcën, dhe po mësojmë nga gabimet tona. Por gjithnjë po shikojmë vetëm përpara, duke e ditur se agimi është me ne, dhe se jemi të bekuar për shkak se jemi qytetarët e kombit më të madh në botë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›