Mbyllet me letra
Ndryshimet kushtetuese për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës kanë kaluar të premten më lehtë sesa është pritur. Pro ndryshimeve në Kushtetutë janë deklaruar 98 deputetë dhe vetëm 10 kanë dalë kundër.
Ashti siç kërkohet, edhe 2/3 e serbëve apo 22 deputetë i kanë thënë po largimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Por, për t’i bindur ata është dashur që gjatë ditëve të fundit të aktivizohet edhe diplomacia e shteteve anëtare të Quinit’it. Kështu që gjatë votimit ka abstenuar vetëm një deputet.
Të vetmit që kanë dalë kundër janë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kërkuar më shumë kompetenca për Kosovën dhe largimin e nenit në Kushtetutë që e ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër.
Ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi menjëherë, por pavarësisë së përmbyllur formalisht do t’i vijë fundi kur të hënën këtë do ta miratojë edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u ka treguar deputetëve se janë marrë vesh me shefat e grupeve parlamentare se nuk do të ketë debat për amendamentet që i japin fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Në të njëjtën mbledhje të Kuvendit është ratifikuar edhe marrëveshja mes Qeverisë dhe BE’së për mandatin e Misionit për Sundimin e Ligjit EULEX edhe për dy vitet e ardhshme.
Kjo pikë e rendit të ditë është votuar pas ndryshimeve kushtetuese, e jo siç ka kërkuar Qeveria që të miratohet e para.
Deputetët me 97 për, 11 kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për mandatin e EULEX’it.
Kryetari i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se ndryshimet kushtetuese hyjnë menjëherë në fuqi.
E kundërshtimin për ndryshimet kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje i ka argumentuar me faktin se ende po mbesin misionet ndërkombëtare që janë neutrale ndaj statusit.
Sipas Visar Ymerit, Kosova po e humb një rast historik për të ndryshuar Kushtetutën, duke e bërë FSK’në ushtri, duke hequr mandatin ekzekutiv të misioneve ndërkombëtare
“Ne sot, me këtë përmbyllje që po ia bëjmë procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, po heqim ato nene ku përmendet përfaqësuesi civil ndërkombëtar, ndërsa në pikën 2 po ia vazhdojmë misionin EULEX-it”, ka thënë Ymeri. Ndërsa partitë tjera kanë folur me një gjuhë.
Adem Grabofci i PDK’së, Ismet Beqiri i LDK’së dhe Ardian Gjini i AAK’së kanë kërkuar të votohen ndryshimet që e largojnë mbikëqyrjen.
“Grupi Parlamentar i PDK-së ka përcjellë punën e Komisionit përmes përfaqësuesit tonë. Kemi dhënë vërejtjet dhe sugjerimet tona dhe i kemi dhënë mbështetje aprovimit të këtyre amendamenteve dhe sot i bëjmë thirrje kolegëve që t’i aprovojnë”, ka thënë Grabovci.
Shefi i deputetëve të LDK’së, Beqiri ka shfrytëzuar rastin që edhe kur janë votuar ndryshimet kushtetuese të thërret PDK’në për respektimin e marrëveshjes PDK-LDK-AKR.
“LDK do të votojë për amendamentet kushtetuese që janë në rend dite. LDK dhe Isa Mustafa do të vazhdojnë edhe më tutje kontributin në të mirën e vendit. Ne do t’i votojmë këto amendamente kushtetuese të propozuara sot”, ka thënë Beqiri.
Edhe Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini ka folur mirë për ndryshimet kushtetuese.
“Ndryshimet që do t’i votojmë sot janë edhe një moment të një rruge të gjatë të Kosovës. Mendojmë se do të duhet shumë punë edhe në të ardhmen që mundësia që hapet të bëhet realitet”, ka thënë ai.
Menjëherë pas votimit në Kuvend, Kryeministri Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë dhe ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin e amendamenteve kushtetuese për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe ratifikimin e marrëveshjes me Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it.
“Kjo ditë shënon edhe përgjegjësi të re për shtetin e Kosovës, pavarësi e plotë dhe përgjegjësi të reja. Kosova ka implementuar në përpikëri dokumentin e Ahtisaarit për një Kosovë europiane dhe shumetnike”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, shteti i Kosovës po konsolidohet çdo ditë dhe përfundimi i mbikëqyrjes është vlerësimi që i është bërë Kosovës deri më tash.
Zyrtarizohet të hënën
Përfaqësuesi Civil Bdërkombëtar, Piter Feith ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve kushtetuese që ndërlidhen me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
“Me vendimin e tyre të sotëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha komunitetet etnike të këtij vendi krenar dhe të larmishëm kanë treguar përkushtimin e tyre të përbashkët për ta bërë Kosovën një shtet funksional e të pavarur”, ka thënë, ndër të tjera, Feith. Ai ka thënë se të hënën Kosova do të shpallë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë pas deklarimit të GND’së.
“Ky hap ishte një vendim edhe i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në përbërje të SHBA-së, vendeve të Bashkimit Europian që e kanë njohur Kosovën dhe Turqisë, i cili ka konstatuar paraprakisht se Kosova ka përmbushur obligimet kryesore që ka pasur me Planin e Ahtisarit.
Edhe Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar partneritetin e ngushtë ndërmjet institucioneve kosovare për sundimin e ligjit dhe të këtij misioni.
“Votimi i sotëm në Kuvend është një tregues i fuqishëm i vendosmërisë së Kosovës për ta përmirësuar sundimin e ligjit, ndërsa misioni që e kryesoj unë do ta vazhdojë përkrahjen e tij në këtë proces. EULEX-i pret ta vazhdojë bashkëpunimin e tij të mirë me institucionet kosovare për sundimin e ligjit. Vendimi i Kuvendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, pasi që përmirësimi i sundimit të ligjit vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, tha de Marnhac.
Shpenzohet pakoja
Pakoja e ish-Presidentit finlandez është hartuar në vitin 2007, në kohën kur janë zhvilluar bisedimet rreth statusit të Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit.
Këto negociata ishin udhëhequr nga Ahtisaari, i cili hartoi dokumentin mbi të cilin Kosova shpalli pavarësinë.
Edhe pse ishte paraparë miratimi i Pakos në OKB, vetoja e Rusisë dhe Kinës ka bërë që dokumenti i Ahtisaarit të mos ketë vulën e Këshillit të Sigurimit.
Konfirmimi se shtetësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare është konfirmuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Tash, pas ndryshimeve kushtetuese, Pakoja e Ahtisaarit shpallet e përfunduar, por jo për krejt territorin e Kosovës.
Ky dokument asnjëherë nuk u zbatua në pjesën më problematike të Kosovës – në veri, ku vazhdojnë të funksionojnë strukturat shtetërore të Serbisë.
Kosova për katër vite e gjysmë ka arritur të merr përkrahjen e gati gjysmës së shteteve të Kosovës, përfshirë vendet më të fuqishme të BE’së dhe SHBA’në. Por, pavarësinë e kundërshtojnë Rusia, Kina dhe disa vende të tjera.