E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora dhe koha

Edmond Tupja 

Sharl Bodleri, poet francez  i shekullit XIX, kishte në dhomën e tij një orë muri që punonte normalisht, me një tiktak të kumbueshëm, por së cilës ai ia kishte hequr akrepat dhe nën të cilën kishte shkruar: “Il est plus tard ... que tu ne le crois!”, d.m.th. “Eshtë më vonë se ç’pandeh ti!”; e gjitha kjo për të treguar që jemi robër të kohës dhe që, çfarëdo që të bëjmë, nuk e shmangim dot fundin, meqenëse koha punon kundër nesh e një ditë do të vdesim. Pa asnjë dyshim kemi të bëjmë këtu me një qëndrim pesimist ndaj ekzistencës njerëzore, por ky fakt mund të interpretohet, të paktën sipas meje, edhe si një ftesë për t’i administruar më mirë vitet që na kanë mbetur për të jetuar duke i konsideruar ato jo vetëm si kohërrjedhje, por edhe si kohëzgjatje. Në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri, një propagandë e shfrenuar u përpoq t’ua mbushte mendjen shqiptarëve se “Koha punon për ne!”, thënë ndryshe, se asgjë nuk mund ta pengonte popullin shqiptar që, nën udhëheqjen e PPSH-së me Diktatorin në krye, të ndërtonte socializmin fitimtar, se “imperializmi dhe revizionizmi ishin në grahmat e fundit”, se “Revolucioni proletar do të triumfonte në gjithë vendet e botës” e plot të tjera parulla të këtij lloji sa bombastike aq edhe qesharake. Dhe sigurisht që askush nuk ia kishte hequr akrepat orës së dorës, të xhepit, të tryezës apo të murit, madje ishte më mirë të të shkonte ora përpara (drejt së ardhmes së ndritur) sesa të të mbetej prapa (në të kaluarën e prapambetur).
Në ditët tona, pas një tranzicioni paskomunist që po zgjatet duke u zgjeruar vende-vende ca si shumë, në një moment kur Shqipëria po përgatitet të hyjë në NATO dhe, më vonë, në Bashkimin Europian, kam përshtypjen se, teksa trumbetohet se “Koha punon për Shqipërinë dhe shqiptarët”, ata që na e kanë thënë dhe na e thonë këtë, qofshin të majtë apo të djathtë, nuk para i shohin akrepat e orëve të çmuara që mbajnë dhe i bëjnë llogaritë duke menduar se koha u përket shqiptarëve, më saktë vetë atyre, ndërsa në fakt ndodh e kundërta, shqiptarët, ashtu si gjithë njerëzit e kësaj bote, i përkasin kohës, kohës së pamëshirshme së cilës nuk i qëndron asgjë, askush, sidomos e kryesisht ai që nuk nxiton të humbasë sa më pak prej saj. Ndoshta, ashtu si Sharl Bodleri, por jo për të njëjtën arsye, ata ua kanë hequr akrepat, të paktën psikologjikisht, orëve të tyre pa tiktak, sepse, me shumë gjasë, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja përbëjnë për ta një të vetme, të tashmen e të qenit në pushtet. Kjo e tashme u duket e përjetshme, vetja u ngjan e perëndishme dhe aspak e perëndueshme, ngaqë harrojnë se edhe ata janë vdekatarë si unë, si ti, si ne të gjithë, pa përjashtim, të dashur lexuesit e mi të vëmendshëm e të paanshëm që sytë nuk i keni taketuke.
Diku, në “Rrëfimet” e tij, Shën Agostini, shkruan se, ç’është e vërteta, vetëm e tashmja ekziston për mendjen njerëzore, por bëhet fjalë për një të tashme të trefishtë, nënvizon ai: “një e tashme që lidhet me të shkuarën, kujtesa, një e tashme që lidhet me të tashmen, perceptimi, një e tashme që lidhet me të ardhmen, pritja...”. Nëqoftëse politikanët tanë të sotëm, qofshin ata të opozitës apo të shumicës parlamentare, do t’u kushtonin vëmendjen dhe kohën e duhur këtyre rreshtave të Shën Agostinit, ata do ta kuptonin sado pak se kujtesa shërben kur nuk e lë ta mbulojë pluhuri i kohës, se perceptimi, me kusht që t’u shmanget shtrembërimeve, është i vetmi burim që e ushqen kujtesën dhe se ajo çka ata presin duhet të jetë në unison me shpresat dhe ëndrrat e njerëzve të thjeshtë, që nuk duhen zhgënjyer kurrsesi.
Si përfundim, unë do t’u këshilloja atyre që na kanë qeverisur, të paktën nga viti 1991 e këtej, dhe që do të na qeverisin tash e tutje, që ta bëjnë të tyren moton e Sharl Bodlerit “”Il est plus tard que tu ne le crois!” dhe ta shkruajnë me shkronja të dukshme atje ku banojnë, punojnë e pushojnë, ta lexojnë vazhdimisht në mënyrë që ta kenë të qartë se as ata, as shqiptarët e tjerë nuk kanë më kohë të humbasin kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›