E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit" i ftuar kreu i PS-së, Edi Rama

Dita e 29 qershorit duket se do të jetë një ditë dorëheqjesh për liderin e partisë më të madhe të opozitës Edi Rama. Protagonist i emisionit "Ora e Debatit" përballë gazetarit Alfred Peza , kandidati i opozitës për kryeministër ka pranuar qartë se nëse fiton betejën e 28 qershorit do të largohet nga posti i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Nga ana tjeter Edi Rama ka përsëritur për të dytën herë në emisionin "Ora e Debatit" se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i PS në rast se do të humbasë zgjedhjet parlamentare. "Në rast se njerëzit do ta refuzojnë energjitë, idetë dhe vullnetin tim për të qenë në dispozicion të tyre pa asnjë dyshim unë nuk kam arsye që të mos i krijoj mundësinë PS-së që tu japë njerëzve një mundësi të re" ka theksuar Rama.
Kryesocialisti Edi Rama ka qenë i qartë edhe për marrëdhëniet me polin tjetër të së majtës që drejtohet nga Ilir Meta duke theksuar se vota për LSI-në është një votë e humbur. Përballë gazetarit Alfred Peza , Edi Rama ka zgjedhur t'i shmanget dilemës se koalicionit pas zgjedhjeve duke iu bërë thirrje qytetarëve të votojnë vetëm për PS-në.
"Të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, që besojnë tek ndryshimi, që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimit, që kanë vullnet për të riorganizuar shtetin dhe Shqipërinë, duhet që votën e tyre ta vendosin tek kutia ku shkruhet PS, Edi Rama" është shprehur Rama. Sipas tij kjo sepse çdo votë që shkon në drejtime të tjera është një votë në drejtimin tanimë të ditur, të politikës së vjetër të këtyre 18 viteve. "Rrugën e re të ndryshimi mund ta garantojë vetëm një forcë të re, kjo është forca e bashkimit tonë të ri, e koalicionit tonë dhe e lidershipit të këtij koalicioni që është PS" ka theksuar Rama.
Listat e kandidatëve për deputet të PS-së, është një prej debateve më të nxehta të fushatës elektorale për të cilën është rrëfyer Edi Rama. Ndërsa maxhoranca e ka vënë në qendër të sulmeve mungesën e vetë Edi Ramës në listën e kandidatëve për deputet. Ky i fundit ka deklaruar se do të repektojë kontratën me kryeqytetasit për të qëndruar në krye të bashkisë. "Unë kam një kontratë të nënshkruar me vullnetin e dy anshëm, timin dhe qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës, dhe kjo kontratë nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme, por kërkon me patjetër konsensusin e palës tjetër, që është populli i kryeqytetit" deklaroi kreu i PS-së. Gjithashtu Rama theksoi se i ka kërkuar banorëve të Tiranës, një mandat për të qenë kryeministri i Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë nën shembullin e Tiranës dhe Tirana të transformohet me ritme akoma më të larta.
Por Edi Rama ka sqaruar në emisionin e gazetarit Alfred Peza edhe emrat e rinj në listën e deputetëve si dhe arsyet për mungesën e figurave të njohura të kësaj partie në garën e 28 qershorit. "Unë do të shprehja këtu respektin dhe mirënjohjen time më të thellë për këta njerëz përgjithësisht, për gjithçka që kanë bërë dhe për gjithçka kanë dhënë por ndërkohë siç e kam thënë dhe e përsëris edhe këtu, listat e deputetëve nuk janë lista që ndërtohen mbi bazën e kontributeve në të shkuarën, por janë lista që ndërtohen mbi bazën e angazhimit për së nesërmen" theksoi Rama. Ai gjithashtu shtoi se nuk ka përjashtuar në asnjë mënyrë, por përkundrazi e konsideron absolutisht të rëndësishëm për shoqërinë kontributin që vazhdon të japë Presidenti Mejdani dhe kontributin që kanë dhënë për parlamentin e Shqipërisë Musa Ulqini, Ylli Bufi. Rama theksoi edhe kontributin e Shkëlqim Canit si njëri nga njerëzit që asistuan me shumë dashamirësi dhe me shumë profesionalizëm në shkrimin e programit të ri. Por Edi Rama i ka kthyer përgjigje edhe akuzave të ish-liderit të PS Fatos Nano duke deklaruar se PS nuk ka nevojë për deputet që vijnë njëherë në 6 muaj në parlament.
Vetëm 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, lideri i partisë më të madhe të opozitës Edi Rama përballë gazetarit Alfred Peza ka sqaruar arsyet pse PS-ja duhet të fitojë në 28 qershor, duke shpjeguar programin qeverisës dhe garancitë që jep ai si kryeministër i vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›