"Ora e Debatit", i ftuar kreu i PS Edi Rama

Lideri i opozitës Edi Rama i ftuar në emisionin "Ora e Debatit" përballë gazetarit Alfred Peza është shprehur se është i sigurtë që shqiptarët do të votojnë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Ndërsa për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit Rama është shpreur se qeveria ka dështuar ta garantojë procesin dhe të garantojë transparencë dhe njëkohësisht edhe sigurinë në këtë proces. "Ju e keni dëshmuar, të tjerë sy të vëmendshëm të tjera burime të pavarura të informim e kanë dështuar, që ky proces është karakterizuar nga konfuzioni, është karakterizuar nga episode të papëlqyeshme dhe është karakterizuar nga mungesa e garancive se të gjithë do të mund të votojnë më 28 qershor me një kartë identiteti që do ta kenë në dorë" ka theksuar Rama. Ai gjithashtu është shprehur se është plotësisht i bindur që kjo është një shprehje e paaftësisë dhe papërgjeshmërisë së kësaj qeverie, por edhe të një vesi të vjetër të Sali Berishës, i cili nuk e ka në formimin e tij dhe nuk e ka në mundësitë e tij të të kuptuarit së botës, lirinë e të tjerëve për të zgjedhur. "Për ne shtyrja e zgjedhjeve nuk ka qenë asnjëherë një opsion, për ne zgjedhjet duhet të mbahen në afatet kushtetuese. 28 qershori është dita kur njerëzit duhet të vendosin për t'u ndarë nga kjo politikë e vjetër e së shkuarës" ka theksuar Rama.