Ndëshkim ndaj tradhtisë që iu bë 3 korrikut
Sali Berisha gjendet sot në momentin e tij më të vështirë politik, që nga dita kur u rikthye në pushtet pas tetë viteve në opozitë. Ndodhet në një çast delikat, jo se opozita ka kërkuar dorëheqjen e tij, as sepse i mungojnë votat në parlament në rast të një mocioni mosbesimi. Por, pas gati dy vjet e gjysmë në pushtet, për herë të parë mund të thuhet, se Berishës iu rrëzua botërisht karta më e fortë morale që i dha besimin popullor për të qeverisur, ajo e antikorrupsionit. Partia Demokratike mund të rezistojë fare mirë deri në zgjedhjet e radhës në vitin 2009, por ajo do të hyjë në fushatë nën shenjën e Gërdecit ose, e thënë ndryshe, nën shenjën e zhgënjimit moral dhe politik tek ata që i besuan më 3 korrik 2005.
Pse u gjend Sali Berisha në këtë krizë politike, pikërisht atëherë kur gjërat dukeshin më mirë se kurrë për të? Kapërceu problemet brenda qeverisë dhe grupit të tij, kur Ilir Rusmali dha dorëheqjen, kaloi gjysmë në heshtje si pa u ndjerë skandalin e korrupsionit që përfshiu partinë e ministrit të tij të Shëndetësisë, mbylli me një manovër të shkathët politike votimin e presidentit të Republikës që mund ta çonte në zgjedhje të parakohshme, shkëlqeu në marrëdhëniet ndërkombëtare, përjetoi pavarësinë e Kosovës si kryeministër, po bëhej gati të celebronte një tjetër ngjarje të madhe, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe arriti të sigurojë një pakt me opozitën për të qeverisur pothuajse i patrazuar deri në 2009. Më mirë se këtë herë, Berisha ndoshta nuk është ndjerë kurrë gjatë gjithë kohës, kur i është dashur të drejtojë vendin.
Por, ky realitet u shkund nga themelet krejt papritur prej shpërthimit katastrofik të Gërdecit. Bashkë me shtëpitë e rrënuara, u shfaq qartë sesa e paqëndrueshme paskësh qenë godina e qeverisë. Ftesa në NATO, paqja me opozitën apo numrat në parlament mund t’i zgjasin jetën një qeverie, por nuk mjaftojnë për t’i dhënë asaj besimin te qytetarët. Ngjarja e Gërdecit në mënyrë tragjike vërtetoi pikërisht këtë. Ajo rezultoi kulmi i një bjerrjeje të vazhdueshme morale, që pak nga pak, ditë për ditë, po vinte në dyshim ndershmërinë e qeverisë së djathtë në premtimin e saj kryesor, atë të luftës kundër korrupsionit dhe informalitetit. Sali Berisha erdhi në pushtet me sfidën e një morali të ri në politikë, administratë dhe shoqëri. Dy vjet e gjysmë më pas, ai rezulton në të njëjtën situatë si në qeverisjet e mëparshme. Prandaj dhe rezultatet e përmendura më lart nuk i mjaftuan për të përballuar një goditje si kjo e Gërdecit. Sepse Gërdeci vërtet ishte një ngjarje e papritur si akt, por si fenomen rezulton pasojë e një sistemi qeverisjeje që moralin e përdori vetëm sa erdhi në pushtet, ndërsa pushtetin e përdori njësoj si ata që iu zuri vendin.
Nën justifikimin e numrave, që në fillim lideri i mazhorancës pranoi të bëjë një aleancë aspak krenare me një parti pa seks si ajo Agrare. Pa u hequr ende afishet e fushatës “Me duar të pastra”, Sali Berisha shtrëngoi duart me Fatos Nanon, duke lënë me gojë hapur një pjesë të madhe të atyre që e duartrokitën, kur e nxori në pension “simbolin e korrupsionit”. Nënshkroi privatizime dhe licencime që i kishte kritikuar ashpër si afera korruptive, kur ishte në opozitë. Jashtë natyrës së tij, por, me sa duket, brenda “rregullave” të pushtetit dhe logjikës së numrave pranoi të fusë në qeveri edhe individë e parti që do të turpëronin çdo kabinet normal. Madje, nuk guxoi të bëjë ndryshime, edhe kur afera korruptive rënduan fort mbi disa aleatë të tij. I harroi të gjitha akuzat për Edi Ramën, për të siguruar një qeverisje pa shkopinj në rrota. Këto dhe shumë veprime të tjera ishin sigurisht shumë larg moralit që vetë Berisha kishte shpallur, por gjithsesi ende nuk preknin në mënyrë direkte thembrën e Akilit, korrupsionin.
Në këtë pikë Sali Berisha mbetej kategorik. Ai nuk kishte pranuar asnjë prej akuzave që i bëheshin prej opozitës, qoftë për privatizime të dyshimta, qoftë për rrugën Durrës- Kukës e madje dhe për fëmijët e tij që po përmenden gjithnjë e më shpesh. Kryeministri mohoi se qeveria e tij ishte selektive në goditjet ndaj biznesit informal.
Por, paprekshmëria e Berishës në këtë pikë mbajti aq sa muret e shtëpive të Gërdecit. Shpërthimi nxori në shesh se një prej ministrive më të rëndësishme të vendit bënte transaksione me individë me të kaluar të dyshimtë, me firma të huaja fantazmë dhe kishte drejtor të ndërmarrjes së shitblerjes së armëve një njeri me precedent penal. Shpërthimi tregoi se qeveria e duarve të pastra i kishte larë ato vetëm aty ku kishte dashur dhe kishte trashëguar nga administrata e mëparshme drejtues e sekserë të njohur për trafik e kontrabandë. Qeveria që do të luftonte informalitetin, kishte lejuar të punonin mes predhave fëmijë dhe njerëz të pasiguruar. Dhe mbi të gjitha, asnjë kontroll, asnjë hetim, asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë në fabrikën vdekjeprurëse dhe afera do të ishte mbuluar, nëse nuk do të kishte ndodhur fatkeqësia. Deklaratat e para të Berishës, se ministri nuk kishte përgjegjësi dhe ato të ditëve të fundit, pas investigimeve të shtypit, se faji është i ministrit dhe shefit të shtabit, i shtojnë dyshimet se diçka është tentuar të fshihet nga sytë e publikut. Dhe aq e qartë duket përgjegjësia shtetërore, sa me gjithë zemërimin e kryeministrit me mediat asnjë prej emrave me ndikim në opinionin publik nuk e ka vënë në dyshim këtë përgjegjësi.
Të gjithë këta elementë vërtetojnë atë që, nëse deri dje dyshohej, sot është e qartë: kjo qeveri është e prekur nga virusi i korrupsionit. Deri në ç’shkallë ka arritur ai, nuk ka asnjë rëndësi. Sepse bëhet fjalë për një qeveri që erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit dhe tani nuk dihet se për çfarë motivi tjetër duhet të vazhdojë të mbetet.
Ngjarja e Gërdecit vërtetoi gjithashtu edhe njëherë një mësim të vjetër se, sado mirë të ngjajnë gjërat në dukje, nëse devijon nga misioni dhe abuzon me besimin që të kanë dhënë, do të ndodhë diçka që një ditë do të duhet të përgjigjesh patjetër.