NATO, një shans që fitohet me shtetin ligjor
Të nesërmen e tragjedisë së Gërdecit kam botuar një letër të hapur për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në të cilën me pak fjalë kërkoja që kjo ngjarje të mos trondisë shpresat e shqiptarëve për të marrë ftesën për në NATO, pavarësisht përgjegjësisë që ka qeveria për atë që ndodhi. Editoriali ishte ribotuar dje në gazetën “Courier International”, në Paris dhe kjo më bëri të mendoj se tragjedia e Gërdecit është një ngjarje që tashmë ka filluar ta tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Shqipëria mund ta tejkalojë problemin e krijuar në imazhin ndërkombëtar pas tragjedisë së Gërdecit, nëse drejtësia operon shpejt dhe vendi demonstron vullnet politik për të respektuar shtetin ligjor. Dy javë para datës së pritshme për marrjen e ftesës për në NATO, garancia e vetme që kjo ngjarje të mos ndikojë në opinionin ndërkombëtar negativisht është që ne të demonstrojmë se e kemi ngritur mekanizmin e shtetit ligjor, i cili di të ndajë përgjegjësitë dhe t’i vendosë fajtorët para drejtësisë. Pavarësisht kostos që mund të ketë sa i përket nivelit politik dhe shtetëror që do të përfshihen në hetime dhe gjykime, kryeministri Sali Berisha e ka tashmë alternativë të vetme ruajtjen e pozitave të mira që ka ende Shqipëria për ftesën e NATO-s, vetëm duke vepruar shpejt dhe duke çuar deri në fund hetimet.
Në këtë prizëm, thirrja e djeshme e presidentit, Bamir Topi, për të shpejtuar në nxjerrjen e përgjegjësive ligjore dhe politike është një gjest pozitiv. NATO dhe udhëheqësit politikë të saj nuk mund të tërhiqen nga vendimi i tyre, pse ka ndodhur një katastrofë në Tiranë, por mund të tronditen thellë në marrjen e vendimit, nëse konstatojnë se kjo katastrofë zbulon probleme të shtetit ligjor në Shqipëri dhe mungesë garancish për të gjykuar në mënyrë të drejtë fajtorët. Është po ashtu pozitive deklarata e kryerepublikanit Godo, se partia e tij do të qëndrojë jashtë qeverisë deri në përfundim të hetimeve për Gërdecin. Kjo jep shpresa se politika po bën përpjekje për të ndarë përgjegjësitë ligjore për tragjedinë dhe nuk dëshiron të bëhet mburojë e fajtorëve.
Por, pavarësisht këtyre sinjaleve pozitive, mijëra vetë që marshuan dje në bulevard, janë një sinjal politik që mund të tronditë imazhin e para një jave për klasën politike shqiptare, e cila ishte e bashkuar në thirrjen për t’u futur në NATO. Tashmë, opozita po kërkon rrëzimin e qeverisë dhe ky është një lajm i keq për ata që prisnin të ishim të bashkuar deri më 2 prill në Bukuresht. Asgjë nuk vlen se kush është përgjegjës, nëse nuk marrim ftesën. E rëndësishme është të bëjmë gjithçka që ftesa të merret, pavarësisht problemit që krijoi tragjedia e fundit.
Në këto kushte, e vetmja pikë konsensusi që mund të gjendet mes opozitës dhe pozitës është që hetimet t’i lihen prokurorisë dhe të dy blloqet politike të inkurajojnë hetimin e shpejtë të tyre dhe të krijojnë një klimë besimi, se asgjë nuk do të fshihet nga ky skandal që është prodhuar prej depërtimit të korrupsionit në strukturat më të larta të shtetit. Që interesat politike të të dy palëve të mos dëmtojnë aspiratat e shqiptarëve për të marrë ftesën e NATO-s, duhet një pakt publik dhe një veprim i shpejtë i institucioneve dhe sidomos qeverisë shqiptare për të qenë transparente deri në fund dhe për të krijuar besim se hetimet janë në rrugën e duhur. Kryeministri, Sali Berisha, është personi kyç që ka tashmë në dorë krijimin e kësaj klime. Në vend të deklaratave të përditshme, ai mund të kufizohet në daljet publike dhe të punojë më shumë me prokurorinë që ajo të ketë në dorë menjëherë çdo letër apo dokument që i duhet për të çuar fajtorët para ligjit. Kjo është rruga e vetme që të ruajë konsensusin politik dhe të japë sinjale të forta në Perëndim se, pavarësisht se çfarë ndodh, shteti ligjor funksionon dhe vendi nuk rrezikon kurrë kriza destabiliteti. Berisha është personi që tashmë mund ta shpejtojë krijimin e kësaj klime besimi për shtetin ligjor. Nëse shteti ligjor funksionon, askush nuk ka asnjë të drejtë të paragjykojë fajin dhe përgjegjësit që dalin prej tij. Deri më sot, kryeministri është përgjegjës, por jo fajtor për atë që ka ndodhur dhe ai ka shans ta përdorë këtë pozitë të tij për ta krijuar këtë klimë besimi. Është banale që ai të humbasë kohën, duke shpikur grupe sabotazhi për ftesën në NATO, ndërkohë që shanset janë ende të mëdha me gjithë tronditjen që ka pësuar imazhi i Shqipërisë. Rruga e vetme e rikuperimit të tij është shteti ligjor. Çelësat e këtij suksesi gjenden në zyrën e Sali Berishës. Aftësia e një drejtuesi shteti është të ketë vizionin e duhur për ta nxjerrë vendin nga kriza të tilla dhe jo të hyjë vetë në krizë, qoftë dhe psikologjike, për shkak të përgjegjësisë që ka si kreu i qeverisë. Në këtë vend kanë ndodhur dhe do të ndodhin tragjedi dhe aksidente, do të ndodhin dhe akte të rënda korrupsioni. Garancia që do Perëndimi është shteti ligjor. Qeveria duhet t’ia japë këtë garanci.