E Diel, 1 Nëntor 2026

Ora “zero” në Greqi. Në mbrëmje takimi i liderëve politikë

ATHINE - Shtyhet sërish takimi mes kryeministrit grek Papadhimos dhe liderëve politikë për finalizimin e Memorandumit të masave dhe Marrëveshjes së re të kredisë, i cili ishte njoftuar se do të zhvillohej sot në ora 16:00.

Negociatat e vazhdueshme me Trojkën janë arsyeja e shtyrjes së takimit, ku Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis duhet të japin një përgjigje për masat e ashpra të kursimit, që janë kusht për kredinë e re prej 130 miliardë Euro. Ata duhet t’i pranojnë ato duke nëkuptuar varfërim të qytetarëve dhe shpëtim të vendit, ose do t'i refuzojnë, duke pranuar falimentimin.

Mbrëmë gjatë gjithë natës deri në orën 3 të mëngjesit, kryeministri Papadhimos dhe ministri i financave Venizelos zhvilluan një takim tjetër me Treshen, e cila kërkon reduktim më të madh se 20 % të pagës minimale për të mos shkurtuar pagën e 13 e 14 në sektorin privat, shkurtime të fondeve të sigurimeve shoqërore për pensionet suplementare, dobësimin e marrëveshjeve sektoriale dhe mbylljen apo shkrirjen e organizmave publikë.

Sipas burimeve të ministrisë së Financave, në qoftë se shkurtimet e fondeve të sigurimeve shoqërore për pensionet suplementare nuk janë të mjaftueshme, do të bëhen shkurtime edhe në fondet e sigurimeve shoqërore për pensionet kryesore.

"Negociatat me Trojkën për programin e ri vazhdojnë dhe është e qartë se po ushtrohet presion shumë i madh kundrejt vendit, ndaj popullit grek, të cilët ftohen të përballen me një dilemë dramatike dhe akute. Sepse shpëtimi i vendit, qëndrimi në euro, PSI, kredia e re dhe marrja e parave, kërkojnë një kosto të madhe sociale, kërkojnë sakrifica", deklaroi nënkryetari i qeverisë dhe ministër i financave, Venizelos pas përfundimit të takimit.

Ndërkaq sic raportojnë mediat, që i referohen zëdhënësit të PASOK-ut, kryeministri Lukas Papadhimos ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme të Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët evropianë operojnë me Planin B, dmth falimentimin e Greqisë. Këtë shënim ai do ta paraqesë në takimin me tre liderët e partive, që mbështesin qeverinë e tij. 

BE për Greqinë

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar krijimin e një kontoje të veçantë për të gjitha hyrjet në buxhetin shtetëror grek. Përmes kësaj kontoje do të shlyhen në të ardhmen borxhet greke, tha presidenti francez, Nicolas Sarkozy në Paris, pas takimit me kancelaren Merkel. 

Lidhur me këtë ide është shprehur i hapur edhe kreu i Eurogrup Jan Klod Juncker, i cili sot bëri një deklaratë cliruese për Greqinë, duke thënë se Greqia nuk mund të dëbohet nga Eurozona. 

“Nëse Greqia del jashtë eurozonës, vendet e tjera do të duhet të investojnë për të mbështetur monedhën e vetme. Gjithkush e di se fundi i euros do të thotë fundi i integrimit evropian", shtoi Junker, duke argumentuar se euro do t’i mbijetojë krizës aktuale të borxhit. 

Nga ana tjetër zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Neli Kruz deklaroi se “Eurozona mund të mbijetojë edhe pa Greqinë”, në një intervistë për gazetën holandeze "Volkskrant". 

Sipas zëvendëspresidentes së KE, qeveria gjermane dhe holandeze, mund të marrin masa të jashtëzakonshme shpëtimi nëse shohin dëshmi të vullnetit të mirë nga udhëheqësit grekë.

Reagimet 

Në krahun tjetër, Greqia është paralizuar sot, për shkak të grevës 24 orëshe që kanë organizuar sindikatat e sektorit publik dhe privat, në përgjigje të negociatave mes qeverisë dhe trojkës. Sindikatat kanë bërë thirrje gjithashtu për tubime në sheshin “Sintagma”.

Në grevë janë përfshirë, nëpunësit shtetërorë, punonjësit nëpër bashki, mësuesit e shkollave fillore, të mesme e pedagogët e Universiteteve, punonjësit e Telekomunikacioneve OTE, nëpunësit private, inxhinierët, punonjësit e bankave, punëtorët e kantierit detar, zyrtarët gjyqësorë, ndërsa spitalet do punojnë me personel të kufizuar. Edhe sektori privat, nëpërmjet konfederatës së tregtisë, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në grevë, sepse "ndihet si humbës nga dialogu me qeverinë" dhe "do të luftojnë për të garantuar bizneset dhe nivelin e jetesës të popullit grek".

Autobusët, metrotë e tramvajet do të lëvizin vetëm për të akomoduar punonjës që dëshirojnë të marrin pjesë në tubimin dhe organizimin e sindikatave.

Në protestën e tyre sindikatat thonë se masat e Trojkës e cojnë në recesion shoqërinë dhe ekonominë greke. Lidhje te tjera Greqi, protestë dhe episode dhune në qendër të Athinës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›