E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, tjetër proces gjyqësor ndaj Berluskonit

ROME - Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni do të përballet sërish me drejtësinë, pasi pritet të gjykohet për një tjetër akuzë.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ish-kryeministri akuzohet për nxjerrje të sekretit shtetëror, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij do të nisë më 15 mars.

Sipas Prokurorisë, kur ishte kryeministër, Berluskoni ka pritur në vilën e tij në Arkore në 24 dhjetor të 2005-ës dy sipërmarrës që i dorëzuan disa përgjime audio të një bisede mes Piero Fassino, në atë kohë lideri i demokratëve të së majtës me Giovanni Consorte, ish-kreun e grupit financiar UNIPOL.

Ky është procesi i katërt gjyqësor me të cilin përballet ish-kryeministri italian. Tre proceset e mëparshme lidhen me çështjen e njohur Mills, për dyshimet në lidhje me blerjen dhe shitjen e të drejtave televizive të kompanisë mediatike Mediaset, ndërsa çështja tjetër e njohur si Ruby, ka të bëjë me akuzat për marrëdhënie seksuale me të mitura.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›