E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët, Avokati i Popullit dhe mpakja e opinionit publik

Nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk përbën më lajm ndërkombëtar, si ndozot në vitin 1997, me kallashët e fëmijëve që gjuanin qiellin para kamerave të të huajve. Strehimi në zyrat e Avokatit të Popullit i dhjetëra romëve, burra, gra e fëmijë, të mbetur pa shtëpi e katandi, të dëbuar dhunshëm nga kasollet e tyre në ditët më të acarta të këtij janari, përbën lajm përnjëmend mbresëlënës për të gjitha mediat e botës, ndoshta më shumë se vendi i parë që zëmë (gjithnjë sipas kryeministrit), për rritjen ekonomike dhe përballimin me sukses të krizës globale. Kurrkund nuk është parë e dëgjuar, as në vendet më demokratike, që romët, shtresat në nevojë, të dëbuarit, të diskriminuarit, të përjashtuarit, të papunët e të pashpresët të merren kësisoj në mbrojtje nga “dora e ngrohtë” e Avokatit të Popullit jo vetëm me fjalë, me premtime e deklarata, por me strehim, me të ngrëna e të pira, me batanije dhe ngrohje falas, natyrisht jo me punësim, arsimim e asistencë nëpërmjet OJF-ve, administratave të pushtetit lokal a qendror, si do të lypte namuzi i një shteti serioz, dinjitar e demokratik…
E megjithatë duhet pranuar, si nga të djathtët e nga të majtët: Vajmedet, po sikur, -largqoftë!-, romët dhe varfanjakët, lypsarët dhe pensionistët, gabistët dhe kanoçembledhësit e pastrehë, të mbetur në pikë të hallit, ata që u dëbuan nga landfilli i plehrave në Vaqarr, bashkë me romët e Fierit, të Korçës, Elbasanit e Shkodrës, d.m.th romët e mbarë Shqipërisë, të organizoheshin që të mësynin e të kërkonin strehim në zyrat e kryeministrisë, n’daç edhe të Bashkisë së Bashës, ç’do të bënte vallë vaki?! Mos do të kishim një tjetër 21 Janar? Ja që fatmirësisht zyrat i hapi Avokati i Popullit, pikërisht ato mjedise ku nuk ekziston asnjë mundësi për përplasje të dhunshme me Gardën e policinë, aty ku dihet që nuk ka asnjë shans për zgjidhje reale, jo më afatgjatë, por as afatshkurtër, të halleve shumëvjeçare të këtyre skamnorëve, që duket sikur lindin të tillë... Andaj, vendimi i Totozanit duhet vlerësuar si një veprim i drejtë e njerëzor dhe, pse jo, edhe “i fortë”, për të “treguar muskujt” e një institucioni kushtetues e të pavarur, për të sensibilizuar sadopak opinionin tonë të mekur publik, (të cilit nuk i bëjnë më përshtypje vjedhjet disa milion euro, apo vrasjet e qytetarëve te dera e shtëpisë, te kangjellat e qeverisë, le më pastaj dëbimi racist i disa fakirfukarenjve!) si dhe për të tërhequr sadopak vëmendjen e qeverisë dhe të OJF-ve fitimprurëse, drejt halleve dramatike të romëve…
Ma merr mendja që edhe vetë Avokati i Popullit, i cili sapo ka nisur punën, e di që strehimi i romëve në zyrat e tij nuk do të ngrejë në këmbë opinionin publik, gjë që do të thotë se veprimi në fjalë nuk premton ndonjë zgjidhje optimale, as të shpejtë dhe as të vonë. Më së shumti ky është një premtim dëshpëronjës, që rrëfen pafuqi dhe shpresë të vagullt se, mbas sodit, hallet e romëve do të gjejnë këtë zgjidhje: sa për të kapërcyer dimrin e egër, pastaj shohim e bëjmë…Besoj se edhe romët e dinë këtë. Të kalosh natën në zyrat e Avokatit është si të trokasësh në një han apo hotel, pas një tërmeti, apo përmbytjeje, d.m.th pas një emergjence, derisa hotelxhiu të të dëbojë…Më shumë se altruist, ky është një akt populist i pashembullt, i ngjashëm me çartizmin. Sepse, afërmendsh, strehimi i romëve në zyrat e Avokatit të Popullit nuk ka për ta zgjidhur problemin, por vetëm sa e bën atë më të dukshëm, më dramatik, më spektakolar, më të prekshëm, për të tërhequr vëmendjen më shumë se të organeve të pushtetit qendror e lokal, të ndërkombëtarëve donatorë, aq të ndjeshëm për pakicat e margjinalizuara…
Koha do të tregojë, që Totozani nuk ka pasur asnjë rrugë dhe asnjë zgjidhje tjetër, më të butë, më ligjore, më të drejtpërdrejtë, më të kollajtë, aq më pak “institucionale”…Edhe ai e di fort mirë që të trokasësh në zyrat e sotme të pushtetit, është si t’i biesh murit me kokë, edhe po të jesh Avokat i Popullit…Jo më pastaj sikur të kesh lindur rom…Në Shqipëri as kur lindim nuk jemi të barabartë, që do të thotë se ndryshe është të lindësh nga një kryeministër e ndryshe nga një rom, evgjit, katundar, i papunë, minator i Bulqizës, etj etj...Shumëkush këtë e quan fat, kur në fakt është shkalla më e lartë e diskriminimit.
***
Me sa duket, që në ditët e para të punës, Avokati ynë i Popullit, si jo pak krerë institucionesh të pavarura, e ka kuptuar se sa jashtë loje dhe sa formal është edhe posti që Totozani sapo e mori nga Kuvendi…Duke qenë një rishtar i freskët, hë për hë Avokati e ka të vështirë ta pranojë dështimin dhe falimentimin, d.m.th pafuqinë dhe hiçdobinë e zyrës së tij para një administrate të korruptuar, të papërgjegjshme, e cila nuk ka lidhje dhe as nuk tenton të vërë ujët në zjarr për zgjidhjet e problemeve reale të popullit e të vendit…Me siguri Berisha e militantët më të rëndomtë të tij po thonë këto ditë: Po ky, që në ditët e para e tregoi që është socialist i thekur, ndaj po na kundërvihet e po na sjell telashe? Është kjo mënyrë të menduari, që motivon dhe njëkohësisht edhe justifikon moskokëçarjen, shpërdorimet, shkeljet e ligjit dhe abuzimet në administratën e sotme.
Ndaj, duke hapur zyrat e veta për këta mjeranë, Totozani jo vetëm që sfidon, por kryen njëkohësisht “goditje” të disafishta: Synon të justifikojë/forcojë/mbrothësojë/lartësojë sadopak titullin e lartë të Avokatit të Popullit para organeve qeveritare, ndërkombëtarëve dhe opinionit publik, si një faktor me peshë, i cili, me gjasë, pas kësaj hataje mediatike, të bërë publike, shpresohet se do të merret në konsideratë...Sepse me shkresa, me trokitje nëpër zyra, me kërkesa e ankesa në qeveri, me deklarata e thirrje nëpër media, jo vetëm hallet e romëve, por gjithë të diskriminuarit e tjerë do të mbeteshin aty ku kanë pas qenë tejemot, në mos po hallet e tyre do të shkonin më për keq, nj’ashtu si shkuan kur, edhe pse u ishte premtuar nga qeveria zgjidhja e strehimit, romët u dëbuan, në mes të dimrit, më keq se dëbohen refugjatët në kohëra lufte, pas pastrimeve etnike…
Sigurisht që të parët reaguan ndërkombëtarët. “Sipas ligjeve ndërkombëtare, dëbimi nuk mund të bëhet, pa pasur një vendbanim. Për më tepër, dëbimet nuk duhen bërë në dimër…,”- thuhet në deklaratën e “Amnesty International” për këtë ngjarje të trishtë. Më pas, edhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale u detyrua të bëjë me dije, se do të lirohet një kazermë ushtarake në Kombinat dhe palestra e shkollës “1 Maji”, por për këtë lypset vendim qeverie dhe më pas edhe disa muaj të tjerë, që këto ngrehina të bëhen të banueshme…Ministria pohoi se nga organizatat ndërkombëtare kanë dhënë 7 deri në 8 milionë euro për integrimin e romëve për një periudhë 3-vjeçare, por asnjë fjalë nuk u tha nëse ka një projekt qeveritar të mbështetur financiarisht për trajtimin dhe integrimin e kësaj popullsie, të margjinalizuar njëlloj nga të gjitha sistemet dhe qeveritë.
Edhe pse situata e romëve nuk pret për shkak të dimrit të egër, si përherë kanë nisur mosmarrëveshjet mes institucioneve,- për të mos thënë përplasjet,- konkretisht mes Ministrisë dhe Avokatit të Popullit… Totozani nuk pranon që romët të strehohen në ish-kazermat e ushtrisë, që janë, sipas tij, jashtë kushteve normale…Ndoshta prapa këtyre mosmarrëveshjeve fshihet synimi: Kush do t’i administrojë këto miliona? Kush do të fitojë tenderin? Kush do të vërë dorë mbi 7-8 milionë eurot që po sjellin ndërkombëtarët? Kush do të marrë përsipër fajin për këtë gjendje kaq dëshpëronjëse?
Fakti që kryeministri nuk gjeti kohë të vizitojë romët te zyrat e Avokatit të Popullit, si do të vepronte çdo kryeqeveritar normal, po u nis në Mynih të fotografohet, duke u duarshtrënguar me zonjën Klinton, për të na folur edhe njëherë tjetër për sukseset tona të papara (madje, sa jam në dijeni, te romët nuk ka guxuar të shkojë as edhe një nëpunës i rëndomtë i Ministrisë së Punës), do të thotë se qeveria nuk ka hallin e romëve, por të imazhit të keq që ka mbjellë strehimi i tyre në zyrat e këtij institucioni…Kjo do të thotë se qeveria e gjykon sjelljen e Avokatit të Popullit si shantazh kundër saj. E pra, sikur qeveria të mos i kishte duart e zëna me Prokuroren e Përgjithshme, me Spahiun e KLSH-së, me Presidentin e Republikës, me hetimet e 21 janarit, e sigurtë është, që ky Avokat i Popullit nuk do të gjente vrimë ku të futej!
Megjithëse situata ngjan e pashpresë, dihet që Avokati i Popullit nuk mund t’i zgjidhë dot as me shkop magjik këto halle të trashëguara e të kalçifikuara, ndaj më e pakta dhe ndoshta më normalja që mund të bëjë, veç strehimit të përkohshëm, është të kërkojë transparencë nga organet qeveritare e nga OJF-të, se ku kanë shkuar dhjetëra milionë euro që janë dhënë në këto 21 vjet nga ndërkombëtarët për integrimin e romëve. Nuk janë dhënë pak. 7-8 milionë eurot që pritet të vijnë për romët, pas kësaj ngjarjeje, me siguri që janë thërrime para donacioneve për romët dhe për shtresat në nevojë, si p.sh për gratë e dhunuara, fëmijët e trafikuar, rehabilitimi i prostitutave dhe të droguarve, etj. etj.,…Por të gjitha këto ndihma e financime janë transformuar në vila, zyra, prona, vetura, udhëtime jashtë shtetit, toka, biznese të presidentëve të OJF-ve…E shoqëruar edhe me kërkesën për një projekt afatshkurtër të qeverisë, për arsimim, asistencë, strehim, punësim, rehabilitim etj, një projekt që duhet bërë publik, kjo përpjekje e Avokatit të Popullit do të na jepte një lloj garancie për të ardhmen jo vetëm të romëve, por të mbarë shoqërisë, sepse kësisoj do të eliminoheshin sadopak abuzimet skandaloze me fondet, bashkë me demagogjinë që përcjellin ngjarje të tilla. Përndryshe, e gjitha kjo zallamahi do të ishte një tjetër flluskë sapuni në mediat tona, të cilat, duhet pranuar, një gjë e bëjnë fort mirë: Përditë e më tepër e imunizojnë, herë me, dhe herë pa dashje, opinionin publik nga skandalet, ndërsa ndërkombëtarët i bindin të besojnë: Këta njerëz janë të pandreqshëm!.
E ky është një dëm i madh e i pallogaritshëm, të cilin po e paguajmë të gjithë, jo vetëm romët!

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›