E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë respekt për të vdekurit

Në “Gazetën Shqiptare” të datës 4 shkurt, kishte një titull të madh që thoshte “Vrasja në Shkozë, dyshohet për kokainë”. Ndërsa ngjitur me të, pak më sipër, ishte një opinion, në brendësi të të cilit analizohej fakti se si Policia dhe Ministria e Brendshme, menjëherë pas ngjarjeve të rënda, siç janë vrasjet, ka perfeksionuar një formulë që jepet me urgjencë si ushqim për mediat, në formën: “U vra se ishte i implikuar në tregtinë e narkotikëve apo u vra se kishte precedentë penalë”. Një formulë që lehtëson Policinë, duke ndryrë me zor në mendjen e opinionit këtë informacion, që thotë se ai që u vra e kishte hak të vritej.
E pra në të njëjtën kohë që në gazetë publikohej apo radhitej ky opinion, policia ndërkohë u kishte kaluar gazetarëve të mediave kryesore të njëjtin variant të turpshëm shfajësimi, ku në rastin aktual, ende pa u tharë lotët në sytë e familjarëve të viktimës Eleni Basho, policia, me qëllim për të mbuluar paaftësinë e saj në zbulimin e autorëve, nis të përbaltë viktimën. Thënë me fjalë të tjera, popullit i hidhet të shijojë pak a shumë këtë gjellë: “Eleni Basho e pati hak plumbin, se ishte trafikante kokaine”.
Natyrisht, këtu nuk kanë asnjë faj gazetarët dhe mediat përkatëse. Gazetarët janë të interesuar dhe të detyruar të marrin sa më shpejt dhe sa më shumë informacion dhe ta transmetojnë atë mundësisht në kohë reale për publikun. Një informacion që atyre u duket real, pasi vjen nga autoritete policore të autorizuara për ta dhënë këtë informacion. Ajo që më shqetëson në këtë rast, është se si ka mundësi që policia shqiptare, ende pa u bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, ende pa pasur një konfirmim të ekspertëve për provat apo një konsultë me prokurorinë, ka gati një version kaq jonjerëzor, shpjegues për mediat.
Si ka mundësi që këta drejtues të lartë policie, këta shqiptarë në origjinë, nuk e kuptojnë që nëpërmjet këtyre deklaratave, jo vetëm i japin një rrugë të gabuar hetimit, por krijojnë edhe shumë shqetësim e nervozitet tek familjarët e viktimës, prindërit, fëmijët, të afërmit apo edhe te shoqëria e ngushtë?
Si nuk e kuptojnë se tashmë kjo metodë, që ka disa vjet që zbatohet, është duke i bërë qesharakë në sy të njerëzve që e kuptojnë? Apo mos vallë policia shqiptare punon vetëm për ata që nuk e kuptojnë?
Që të jem më konkret, po sjell disa raste.
1-Policia hapi thashetheme për motivin e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Për më tepër, një numër ministrash të Brendshëm, për këtë ngjarje sërish kanë gënjyer, duke thënë se janë afër zbulimit dhe për pak ditë do ta zbulojnë. Në fakt, asgjë edhe sot e kësaj dite për këtë vrasje.
2-Rasti më flagrant është vrasja, në prag zgjedhjesh, e Aleks Kekës, funksionarit të një partie. Të gjithë e kujtojnë se policia për 24 orë emetoi lajmin se si ishte një trafikant, një akuzë që nuk u provua asnjëherë.
3-Pak kohë më parë, u vra në Durrës një punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Policia menjëherë emetoi lajmin se ai kishte bërë vetëvrasje. Të gjithë shqiptarëve ky ushqim iu hodh përmes mediave, madje shfrenueshëm. Për këtë shkak, punonjësi i shtetit nuk pati një ceremoni varrimi të organizuar nga shteti. Por, kur pak ditë më vonë, ekspertiza vërtetoi se e kishin vrarë, të gjithë e hëngrën turpin me bukë.
4-U vra në Vlorë gjyqtari i nderuar Skerdilajd Konomi. Madje i filmuar në kohë reale, ai dha shpirt live, në sytë e të gjithë shqiptarëve. Të njëjtëve, ende pa u larguar nga Vlora tymi i djegies së makinës dhe trupit të tij, iu dha për ushqim nga një media proqeveritare një version i ngjashëm. Pra, një version që thoshte se e kishte hak të vritej, se ishte i implikuar në trafiqe, probleme për pronën etj. Edhe për këtë ngjarje si shumë të tjera u deklarua se ka informacione të rëndësishme dhe autorët do të kapen së shpejti( asgjë deri tani).
5-Për mendimin tim, kulmin e shkak-pasojës së një strategjie të tillë të policisë e arrin rasti i zhdukjes së fëmijës Bleona Mata në një fshat të Kukësit, ku të gjithë jemi dëshmitarë që policia sajoi njëmijë e një versione, vetëm për të mbuluar paaftësinë e saj në zbulimin e ngjarjes. U publikuan në media versione të policisë, sipas të cilave vajzën e kanë ngrënë kafshët e egra, se mund të jetë vrarë nga minat dhe më tej, kur laku i përgjegjësisë u shtrëngua, nisën thashetheme edhe më të hidhura. Babait të fëmijës i thonin se kishte mundësi që gruaja e tij t’ia ketë dhënë fëmijën dashnorëve të saj, i thanë drejtpërdrejt se ndoshta ajo nuk e kishte fëmijën me të, ndërkohë që në anën tjetër, gruas i thanë që vajzën mund ta kenë marrë kunatat, se burri juaj nuk interesohet fare e të tjera fantazi të çmendura, të cilat, të gjitha emetoheshin nga mediat.
Thashethemet arritën deri aty, sa krijuan tragjedinë tjetër, - u bënë shkaktarë të divorcit të prindërve të vajzës së zhdukur.
Po përse policia shqiptare këto vitet e fundit e ka bërë traditë këtë mënyrë marrëdhënieje me opinionin?
Sigurisht që me pak fjalë, por edhe me shumë shpjegime, e vërteta thotë se policia, duke inkriminuar viktimat, shfajëson vetveten përpara paaftësisë për të zbardhur ngjarjen dhe kapur autorët. Nga ana tjetër, duke i inkriminuar viktimat, sërish policisë i mbetet faji në torbë, pasi nuk ka bërë edhe pjesën tjetër të detyrës së saj, që quhet “parandalim krimi”. Pra, nuk e ka identifikuar dhe mbajtur nën kontroll viktimën e ardhshme, duke lejuar që të vritet.
Një tjetër impakt negativ që krijon kjo mënyrë të sjelluri e policisë përballë këtyre ngjarjeve, ka lidhje edhe me atë që popullit i jepet të përthithë në memorie. Pra, i hidhet për ushqim dita-ditës, një polici që e bën shumë mirë detyrën e saj, sepse të gjithë të vrarët e kanë merituar një fund të tillë. Një fluks informacioni, që ka të ngjarë, tashmë ka zënë vend në mendjen e popullit në formën: “Mirë bënë që e vranë! Një plehrë më pak!”
E në qoftë se ky është qëllimi i policisë sonë të kultivuar këto vite të fundit, Zoti na ruajtë!
Gjithsesi, këtyre mjeshtrave të policisë do u drejtohesha drejtpërdrejt, si ish-koleg, me një lutje: Pak më shumë respekt për të vdekurit, miqtë e mi! Se jemi shqiptarë dhe e kemi kultivuar tashmë këtë lloj respekti.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›