E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guro Zeneli: Në një ditë rrebeshi në Progonat, Ramiz Alia pikasi Gramoz Ruçin

Vijon intervista e sekretarit të Ramiz Alisë. Guro Zeneli rrëfen të panjohurat e mëdha që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e ish kreut të shtetit komunist Ramiz Alia. Historia e tij ka nisur si drejtues i Lartë i Rinisë së rrethit të Fierit dhe më mbrapa ka përfunduar i përdhosur si mësues fshati në Finiq të Sarandës. Mirëpo aftësitë e tij të veçanta në drejtim të krijimtarisë dhe marrëdhënieve me njerëzit, bënë që shumë shpejt ta shikonte veten në drejtim të pallatit të kulturës së qytetit të Sarandës. Nuk do të vononte që ai të shikonte shkëlqimin e veçantë të jetës së tij. Një urdhër i papritur e njoftoi se kërkohej për të punuar në administratën më të lartë të shtetit si këshilltar direkt i presidentit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi. Për pak kohë si Zeneli kishte filluar punë në krye të presidiumit do të vinte Ramiz Alia. Ishte pikërisht viti 1982 kur do të niste punën me Alinë të cilën nuk do të ndërpriste deri sa Alia të largohej përfundimisht nga pushteti. E ndërsa në numrat e kaluar në këtë intervistë ekskluzive ai ka treguar për metodat e reja që Alia konceptoi në funksionimin e Kuvendit Popullor menjëherë sa erdhi në krye të tij, madje duke i hequr dënimin me internim vetë ish-gruas së paraardhësit.
Po ashtu ai ka rrëfyer një episod interesant për jetën e Alisë në krye të shtetit të djeshëm. Konkretisht ai dëshmon për turin politik të shefit të tij në vitin 1983 në veri të vendit kur Enver Hoxha ishte akoma gjallë, tur që atëherë u cilësua si promovim i tij si pasardhës i vetë Enver Hoxhës. Pikërisht në atë kohë është thënë se Alia i ka shpëtuar paq një "atentati" të mirëorganizuar që do t'i bëhej atij në një miting në Has të Kukësit. Ndërkohë në numrin e sotëm ish-njeriu dhe bashkëpunëtori më i afërt i tij tregon një moment tjetër interesant dhe të çuditshëm. Ai dëshmon për momente ku dhe si Alia ka njohur Gramoz Ruçin i cili në vitet e mëvonshme do të bëhej një zë i fuqishëm në politikën e majtë Shqiptare. Mitingu që Gramoz Ruçi kishte organizuar në mes të rrebeshit me njerëzit e malësisë së Progonatit në shtatorin e vitit 83, për të mundësuar takimin e planifikuar të Alisë. Çfarë përshtypje i la ai Alisë dhe bisedat e këtij të fundit me Sekretarin e Parë të Partisë së Rrethit për sa i përket figurës së Ruçit që i kishte lënë mbresë të atillë sa që vendosi ta tërheqë në nomenklaturën më të lartë të shtetit. Këto dhe të tjera lexuesi do t'i mësojë pikërisht tek intervista e mëposhtme e vetë zotit Guro Zeneli.

(Vijon nga numri i kaluar)

Le t'i kthehemi disi intervistës për të plotësuar kuptimin e saj çka po rrëfen për lexuesin tonë. Jam shumë kurioz zoti Guro të di se si vijoi puna juaj me ardhjen e Ramiz Alisë në krye të Presidiumit të Kuvendit Popullor kur kam parasysh se ju aty kishit shkuar si këshilltar i Haxhi Lleshit. Apo më mirë të shprehesha çfarë ndryshimi pati procedura tuaj e punës kur në dikaster kishte ardhur një shef i ri?
E vërteta është se me ardhjen e Ramizit ndryshoi tërësisht frymëmarrja në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai i dha tjetër natyrë gjithë funksionimit të aparatit. Kishte një stil dhe nivel tjetër, krejt ndryshe nga paraardhësi.
Në ç'kuptim?
Ja për shembull. Kur Haxhi Lleshi përgatiste shkresat për Qeverinë, pra për Adil Çarcanin, toni i tyre ishte urdhërues ndërkohë që kur pa një konceptim të tillë të shkresës së parë që unë i përgatita për ta firmosur për në drejtim të Adil Çarçanit, Ramizi më këshilloi ta përsërisja dhe ta konceptoja jo si urdhër, por si informacion, në mënyrë të atillë që e vinte në dijeni, gjë që do të thoshte se ato detyra që i dilnin qeverisë nga materiali i dërguar, Adili i dinte vetë dhe i kryente me korrektësi.
Ç'kuptonit nga kjo?
Kishe të bëje shumë me mënyrën si Ramiz Alia i ndërtonte marrëdhëniet me shokët dhe institucionet. Ai tregohej shumë i vëmendshëm.
Tjetër, çfarë ndryshoi me ardhjen e Ramiz Alisë?
Të thash që aty gjithçka mori tjetër frymëmarrje. Veç të tjerash ai caktoi dhe dy ditë në javë për pritje populli.
Caktoi orar pritje populli Ramiz Alia?
Po, po. Ai vet, ndryshe nga më parë urdhëroi të caktoheshin dy ditë pritje populli dhe ka qenë pikërisht dita e martë dhe e premte.
A mundej Ramiz Alia të priste popull kur në një rast të tillë kërkesat duhej të ishin pambarim pasi flitet për një shtet dhe dihet pretendimet dhe padrejtësitë që ishin mbi njerëzit e thjeshtë të kërkonin ndërhyrjen e autoriteteve më të larta të shtetit?
Pikërisht këtu e kisha fjalën kur thash që edhe për udhëheqjen apo të gjithë drejtuesit e kishin të vështirë të zgjidhnin sekretarët siç isha unë pasi kishte të bënte me një besim të madh për delegimet e kompetencave sepse ja pikërisht në këtë rast unë luaja rol të madh. Konkretisht në të gjithë morinë e kërkesave që më vinin për të takuar Ramiz Alinë, unë përzgjidhja njerëzit e veçantë me problematika specifike që ai duhej t'i dëgjonte patjetër vetë, ndërsa të tjerët i prisja unë. Në ata që i dërgoja Ramizit i shkruaja emrin dhe mbiemrin e personit dhe arsyen përse duhej ta takonte.
Po ata që ju takonit në vend të Ramiz Alisë a vihej në dijeni ai?
Ato ishin takime rutinë që kërkonin ndërhyrje në drejtim të barrierave burokratike që u kishin nxjerrë pengesa njerëzve. Aty unë ndërhyrja duke folur se kush isha dhe duke sugjeruar.
Me kë flisje?
Me autoritetet ku kishte dalë problemi i personit i cili vinte për të kërkuar ndërhyrjen e Ramiz Alisë.
Sigurisht ju flisnit në emrin tuaj?
Patjetër që në emrin tim se unë kisha një status institucional derisa prisja popull në takim madje i prisja në emër të Ramiz Alisë.
Po Ramizin, kur e vije në dijeni për ndërhyrjet e tua?
Gjithmonë kur autoriteti im nuk e përfundonte mbarimin e problemit. Në këtë rast, kur unë isha i bindur se ai duhej ndihmuar i thoja Ramiz Alisë për problemin. Pas kësaj i thoja edhe mendimin tim duke kërkuar miratim të tij nëse duhej zgjidhur si e mendoja. Kur ai binte dakord unë i kërkoja nëse duhej të ndërhyja. Kjo donte të thoshte që a të flisja në emër të tij për këtë problem. Kur ai më thoshte që ndiqe me vëmendje, kuptohej se ai e kishte dhënë mendimin, madje i kishte dhënë dhe zgjidhjen prandaj mua më ngelej veç të njoftoja autoritetet e lokaliteteve ku kishte ngritur problemin qytetari dhe ju thoja në emër të Ramizit se " Shoku Ramiz është dakord që filan fistekut t'i zgjidhet në këtë mënyrë problemi, apo shoku Ramiz thotë që filan fistekut duhet të mos e sorollatni se ka shumë të drejtë, etj etj. Në atë kohë kishte me dhjetëra e dhjetëra qytetarë që kur kishin ngritur problemet te unë për Ramiz Alinë kur shkonin në rrethet apo fshatrat e tyre i thërrisnin autoritetet për të cilat ishin ankuar dhe u thonin se ishte telefonuar nga Tirana dhe ishte porositur zgjidhja e problemit, madje në mënyrë të frikur i kërkonin si me marifet se pse kishte shkuar kaq lart kur mund tja mbaronin edhe ata atë punë.
Ju e konsideroni produktive këtë metodë?
Shumë. Se kjo nuk konsistonte vetëm në zgjidhjen e problemit të qytetarit por mbante në binar edhe autoritetet që bënin si agallarë kur u paraqiteshin hallexhinjtë. Ndërsa tani qytetarët edhe kur shkonin te Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit dhe nuk gjenin mbështetje hakërroheshin se do të shkonin më lartë deri te Ramiz Alia. Unë mendoj se kjo është shumë apo jo? Pas kësaj shumë qytetarë i zgjidhnin problemet më kollaj në rrethe se autoritetet kishin frikë se mos u nxirrnin "kallajin" lart.
Për sa thatë, doja të rikthehesha disi në pyetjen që ju bëra pak më parë për mënyrën e delegimit të kompetencave apo vënies në dijeni të Ramiz Alisë për ata që vinin në emër të tij. Tani që më shpjeguat goxha nga sa ju kërkova por që nuk dolët aty ku unë synoja do t'iu shtroja disi ndryshe pyetjen. Konkretisht çfarë të ka thënë në lidhje me ata që t'i duhet të prisje në emër të tij?
Edhe mua do të më duhet të përsëris një frazë të përmendur pak më parë. Sa erdhi Ramizi në Nëntorin e vitit 1982 si President i Kuvendit të Shqipërisë e largoi të gjithë kabinetin e punonjësve të Haxhi Lleshit dhe pranoi se do të punonte vetëm me një sekretar dhe ky sekretar i përzgjedhur nga ai isha unë. Për këtë rast tha: Me mua të rrijë vetëm Guroja dhe askush tjetër. Pse e tha e qysh e tha, nuk mund të them më shumë përveç fakteve që ai më kishte njohur qysh herët ku dhe jua përmenda më lart. Ndërsa për sa kërkoni juve në lidhje me pritjen e popullit ku me sa shikoj ju ka bërë shumë përshtypje po ju them se ai caktoi dy ditë për pritje populli që ishin dita e Martë dhe e Premte. Sigurisht ai nuk do të mund të priste shumë por që listën me problematikat e ngritura e shikonte dhe kryesisht ma linte në dorë mua ta zgjidhja. Të ndalemi më konkretisht. Në lidhje me atë që kërkoni ju se si u shpreh dhe si më tha për pritjen e njerëzve po citoj: Dëgjo Guro. Prit këdo që do të vijë për mua. Ata këmbëngulin ndërsa ti prit këdo që vjen pavarësisht se kush është. Gjyko dhe mua më seleksiono ato probleme që gjykon se janë për mua. Ne në Komitetin Qendror presim vetëm probleme në rrugë partie ndërsa këtu që mbulojmë funksionet e Kuvendit ti do të merresh edhe me ankesat e të dënuarve apo të pakënaqurve, edhe me problemet që mund të ngrenë kuadro të ndryshëm të sferave të ndryshme.
Zoti Guro. Kam dëgjuar, madje është përfolur shumë në këtë periudhë të pluralizmit se Gramoz Ruçi është i përzgjedhuri apo i selektuar personalisht nga Ramiz Alia. Sa të vërtetë ka brenda kësaj thashethemnaje?
Është më se e vërtetë. Por ki parasysh se Ramiz Alia aty ku vinte gishtin nuk e vinte kot ai e studionte dhe psikologjiste mirë dhe pastaj vendoste. Kështu ka ndodhur edhe me Gramoz Ruçin i cili më së shumti e meritonte dhe jo se vuri gishtin Ramiz Alia por ai i bëri përshtypje të veçantë dhe bindëse Alisë.
Le të ndalemi se si ka ndodhur në të vërtetë?
Është periudha që të theksova edhe në intervistën e numrit të kaluar kur në vitin 1983 Ramiz Alia bëri një tur vizitash në të gjithë Shqipërinë. Pas mbarimit të vizitave në muajt Maj - Qershor në veri, në muajin shtator të po atij viti ai u nis për vizita në rrethet e Jugut. Keni parasysh se jemi në vitin 1983 kur jetonte akoma Enver Hoxha. Prandaj ai tur u konsiderua siç ta theksova disa herë që ishte një mënyrë prezantimi i Ramiz Alisë në popull si pasardhës i Enver Hoxhës.
Jemi në periudhën kur në veri u zbulua i shumëpërfoluri si atentat ndaj Ramiz Alisë?
Po pra, pasi përfundoi vizitat në muajt e verës në Veri. Në shtator Ramiz Alia u nis për në rrethet e Jugut.
Nga kush shoqërohej nga Tirana?
U shoqërua nga anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, nga ndihmësi i tij i parë Leka Shkurti dhe unë si sekretar i tij.
Ku u bënë ato vizita konkretisht?
U bënë në Kras, Tepelenë, Progonat, Sarandë, Delvinë etj.
Ku ishte Gramoz Ruçi në atë kohë?
Gramoz Ruçi në atë kohë ishte sekretari i Byrosë së Partisë së Progonatit.
Thatë se i bëri përshtypje Ramiz Alisë Gramozi? Pse dhe si ndodhi?
Atë ditë që ishte planifikuar vizita e Ramiz Alisë në Progonat, binte një shi i madh. Tribuna ku do të mbahej fjala e tij dhe ku do të bëhej mitingu ishte ngritur në qendër të fshatit. Të gjithë ne ndërsa ecnim drejt Progonatit kur shikonim atë shi litar menduam se e pat mitingu. Megjithatë mendonim që në një situatë të tillë të bënim një takim të thjeshtë me njerëzit që do të mund të takonim. Por jo, kishim menduar gabim. Kur shkuam në qendër të fshatit pamë një dyndje njerëzish me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Ose më mirë të themi se nuk kishte ngelur njeri në shtëpi.
A binte shi litar?
Po ore, këtu ishte e gjithë çudia. Ishte emocionuese të shikoje ata njerëz që nuk tundeshin vendit për të takuar Ramiz Alinë. E mbaj mend si tani që kishin hedhur mbi supe nga një bruç apo sharr si i thonin gunës, dhe nuk tundeshin vendit. Ramizi kur i pa ashtu si dhe ne u emocionua. U bë një miting ashtu si nuk pritej. Ovacioni dhe entuziazmi ishin në qiell. Nuk dukej se binte shi por vetëm entuziazëm.
Këtu kishte rol Gramozi?
Patjetër që Gramozi. Ai ishte sekretari i Byrosë së Partisë dhe ai e kishte të gjithë ngarkesën sikurse përgjegjësinë e dështimit.
Madje Ramizi atje e njohu Gramozin. Atij i pëlqeu jo vetëm mitingu i organizuar por më shumë fjala e tij prej oratori të veçantë që kumbonte mes njerëzve që e dëgjonin me vëmendje të madhe.
Si vijoi më tej kjo njohje kur kemi parasysh se më mbrapa ai e mori si ministër Rendi?
Menjëherë pas mitingut për nder të vizitës së Ramiz Alisë ishte shtruar një drekë mirëseardhjeje në fshatin Gusmar në s'jam i gabuar. Edhe atje i bëri përshtypje autoriteti, pjekuria dhe mbi të gjitha oratoria e Gramozit që ishte imponuese për të pranishmit. Kur shkuam në darkë në shtëpinë e pritjes Ramizi e përmendi se i kishte bërë përshtypje. Por, ne aty për aty nuk e kuptuam se ku e kishte synimin dhe çfarë kishte në mendje. Dinim që Ramiz Alia kishte një simpati për Labërinë në përgjithësi dhe për lebërit në veçanti. I pëlqenin për faktin se Labëria kishte qenë jo vetëm djep i luftës Nacional Çlirimtare por i mbarë luftërave shumëshekullore të popullit tonë.
Kur e mësuat se ai po e përmendte Gramozin se po i bënte përshtypje dhe mendoi që ta ngrinte në detyrë?
Që në mëngjesin e ditës në vijim. Kur ne sa ishim çuar nga gjumi erdhi në shtëpinë e pritjes për të na përcjellë sekretari i parë i Komitetit të partisë së Tepelenës Manxhar Binaj. Atje pamë që ai pyeti edhe manxharin për Gramozin. Madje i tha se çfarë mendim kishte Manxhari për të. Atje kuptuam se ai e kishte pikasur për kuadër kryesor dhe nuk ishim gabuar se për të filloi ngjitja në hierarki.
Ku shkoi pas detyrës partiake që mbante në Progonat?
Menjëherë erdhi si sekretar i Komitetit të Partisë së Tepelenës. Për pak kohë u bë Sekretar i parë i Komitetit të Partisë së atij rrethi pra të Tepelenës. Pas saj dihet tashmë kaloi Ministër Rendi në momentet më të turbullta të vendit dhe që atëherë nuk është ndarë as një moment nga politika por ka milituar me devotshmëri dhe përgjegjshmëri labi do të thoja unë.
(Vijon në numrin e ardhshëm )

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›