E Diel, 1 Nëntor 2026

Orë krize në Greqi. Presidenti Papulias vijon takimet për qeverinë

ATHINE - Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias po zhvillon këtë mbrëmje kontaktet individuale me krerët politikë, Panos Kameons, Aleka Papariga, Niko Mihaloliakos, Fotis Kuvelis. 

* 15 minuta zgjati takimi i presidentit Papulias me kryetarin e partisë neonaziste Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos. Mediat shkruajnë se "ishte i dukshëm sikleti në sytë e Presidentit të Republikës, gjatë takimit të tij me Mihaloliakos, i cili gjithashtu nuk ndihej shumë komod në këtë takim". 

Ndërsa Mihaloliakos hynte për takimin, gazetarët u ulën në dysheme dhe karrige, në shenjë proteste për incidentin e ndodhur para disa ditësh në selinë e kësaj partie, kur ata i detyruan të çoheshin në këmbë për të nderuar kryetarin e partisë. 

Mihaloliakos tha pas takimit se “Agimi Artë nuk mbështet asnjë qeveri që do të vazhdojë politikat e memorandumit”. Ai ka ngritur në takim edhe çështjen e samitit të NATO-s dhe kërkoi nga të gjitha palët që do të marrin pjesë në të, të vënë veton për emrin e Maqedonisë. Gjithashtu ka ngritur çështjen e emigrantëve dhe të ruajtjes së kufijve prej tyre. Michaloliakos tha se nuk ka ndërmend të pajtohet me varfërimin e vendit dhe referuar çështjes së emigrantëve të paligjshëm, tha se BE-ja duhet të marrë përgjegjësitë e veta. “Greqia është një vend i pasur, e cila ra viktimë e Memorandumit dhe duhet të rezistojë”, deklaroi kryetari i Agimit të Artë. 

* Përfundon takimi i dytë i presidentit Papulias, me kryetaren e Partisë Komuniste, Aleka Papariga. Në përfundim Papariga deklaroi se “Çfarëdo ndryshimi që të bëhet, nuk është i lidhur me përmirësimin e jetës së njerëzve. Në parlamentin e ardhshëm do të sjellim një projekt-ligj për shfuqizimin e memorandumit. Vetëm vendimet e parlamentit janë të rëndësishme dhe të padiskutueshme”.

* Takimi i parë me Panos Kamenos (Grekët e Pavarur). Pas bisedimeve, Kamenos në thelb ruajti qëndrimin e vet të njohur. Ai deklaroi se dialogu i fragmentuar nuk e ndihmon transparencën duke komentuar kështu faktin, që Papulias po takon një nga një liderët politikë, pas takimit me treshen Samaras-Cipras-Venizelos. Kamenos tha se me presidentin Papulias ranë dakord mbi nevojën e qeverisjes së vendit, por këmbënguli se kushti i tij thelbësor është mosangazhimi në zbatimin e kërkesave të Trojkës. 
Kamenos, deklaroi 7 kushte për pjesëmarrjen në qeveri:
1 Deklarimi i menjëhershëm i zonave ekskluzive ekonomike AOZ
2 Kontroll i shpejtë i Statutit të Bankës së Greqisë
3 Formimi i Komitetit të Auditimit të borxhit
4 Kontrolli i marrëveshjeve të kredisë
5 Kontroll mbi zyrtarët e lartë që nga viti 1974
6 Kontroll mbi aktivitetet e qeverive nga viti 2009 deri më sot dhe publikimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të nënshkruara
7 Kompensim nga Gjermania për dëmet e luftës 

Më pas pritet takim me Fotis Kuvelis (E majta demokratike), ndërsa në mesditë u zhvilluan konsultime me kryetarët e ND, SYRIZA dhe PASOK, përkatësisht Antonis Samaras, Aleksis Cipras e Evangelos Venizelos. "Konsultimi vazhdon", tha ndërsa largohej nga Presidenca, kryetari i ND. 

Kreu i SYRIZA, Aleksis Cipras deklaroi se nuk do të bashkëpunojë për krjimin e një qeverie që mbështet Memorandumin e masave dhe që nuk pranon kushtet e tij. "Më kërkojnë bashkëpunim në krim. Më kërkojnë të injoroj votën e popullit, i cili kundërshtoi zbatimin e Memorandumit", tha Cipras. Ai refuzoi edhe kërkesën e Samaras për të dhënë një "vote tolerance" duke deklaruar se "Kushtetuta nuk e parashikon". Cipras deklaroi se "ND, PASOK e DIMAR kanë rënë dakort, le të shkojnë përpara pa ne". Fotis Kuvelis deklaroi se "kreu i SYRIZA i ka tejkaluar kufijtë e mjerimit politik".

Sondazhet sugjerojnë rritjen e popullaritetit të SYRIZA, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 Majit për shkak të fushatës anti-memorandum. Një votim i ri mund t'i bëjë ata partinë më të madhe në një koalicion anti-memorandum, i cili sipas analistëve mund të kërcënojë anëtarësimin e Greqisë në euro.

Në këto kushte paralajmërimet e Brukselit, Berlinit dhe institucioneve financiare për Greqinë, sa vijnë e ashpërsohen dhe mediat ndërkombëtare me gazetarët e tyre të instaluar në Athinë, bëjnë parashikime nga më të ndryshmet. 

Reagime 

Revista gjermane “Der Spiegel” ka përgatitur shkrimin me titull "Mirupafshim Akropolis" dhe me nëntitull "Përse Greqia duhet të braktisë euron". Revista gjermane tregon në foto, rrënojat e Akropolit dhe një kolonë që ka rënë dhe ka thyer dy euro. “Në rritje vetëdija e Athinës. se duhet të braktisë unionin monetar”, shkruan ndër të tjera, revista gjermane.

Agjencia e vlerësimit Fitch shkruan në raportin e saj se “Në rastin e daljes së Greqisë nga euro për shkak të krizës politike ose në një fazë të mëvonshme, Fitch ndoshta do të vërë për gjithë zonën euro vlerësimin negativ. Siç raportohet, ndikimi i daljes së Greqisë nga zona e euros nuk mund të përcaktohet, pasi varet se si do të ndodhë dhe se si do të reagojë Evropa. 

Romano Prodi: Nëse Greqia lë euron, vendet e tjera do të fillojnë të rrëzohen si një shtëpi prej letre nga goditjet e spekulimeve.

Reuters: Bankat janë gati t'i kthehen dhrahmisë.

Ish zëvendëskryeministri grek Theodhoros Pangalos tha për Sunday Telegraph se “Nëse Greqia nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara me partnerët, atëherë paratë që kemi do të përfundonin në 6 javët e ardhshme dhe vendi do të hyjë nën një falimentim të egër dhe të pakontrollueshëm”. Lidhje te tjera Luftoi kundër gjermanëve, Papulias sot në tryezë me neonazistin Ish-zv.kryeministri Pangalos: Greqia ka para edhe për 6 javë Greqi, sondazhi: Nëse përsëriten zgjedhjet, SYRIZA del forcë e parë SYRIZA e Agimi i Artë, dy forcat që tronditën skenën politike greke Brukseli e Berlini: Eurozona mund t'ia dalë dhe pa Greqinë BE, Van Rompuy: Drejtuesit grekë më shumë përgjegjësi kombëtare SHBA, shqetësim dhe shpresë për zhvillimet në Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›